Integrimi

Blerta Hoti është zgjedhur nënkryetare dhe jo kryetare e Komunës së Göteborg-ut

Blerta Hoti është zgjedhur anëtare e Qeverisë Komunale dhe njëherësh nënkryetare e Komunës së Göteborg-ut dhe jo kryetare

Një lajm që fillimisht ka dalë si postim në FB të ministrit të Jashtëm në detyrë, Bexhet Pacolli, ka pasur një shpërndarje të madhe, duke zënë vend ndër kryelajmet e pothuaj të gjitha medieve shqiptare në Kosovë e më gjerë. Në një tekst fare të shkurtër dhe gjysmak, njoftohej se Blerta Hoti, shqiptare me prejardhje nga Kosova, që jeton në Suedi, ishte zgjedhur kryetare e Komunës së  Göteborg-ut, qytetit të dytë më të madh të Suedisë.

Por, me gjithë se suksesi i Blerta Hotit nuk kontestohet në asnjë mënyrë, e vërteta është pak më ndryshe. Siç merr vesh albinfo.ch nga një burim i saj që është aktiv në politikën suedeze dhe në rrjedha me çështjen, Blerta Hoti është zgjedhur anëtare e Qeverisë Komunale dhe njëherësh nënkryetare e Komunës së Göteborg-ut dhe jo kryetare.

Lajmin se është zgjedhur kryetare e ka përgënjeshtruar edhe vetë e përmendura, në një postim në fb: 

Ndryshe, Blerta Hoti është politikane e Partisë Socialdemokrate dhe, ndonëse në moshë të re, ka pas vetes një karrierë në politikë. Ajo, në postin më të ri vjen nga posti i këshilltares politike në Ministrinë e Mbrojtjes të Suedisë, shkruan albinfo.ch. Ndërsa para kësaj, nga viti 2015 ka qenë këshilltare politike në Parlamentin Evropian.