Développement

Biznesi kosovaro-gjerman drejt strukturimit

Albinfo.ch ju sjell një reportazh nga vendngjarja në Köln, ku u mbajt kongresi i suksesshëm i Unionit të bizneseve kosovare-gjermane

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Në historinë e tij të re, Unioni i bizneseve kosovare-gjermane me seli në Köln ka qenë shumë aktiv, duke organizuar takime dhe konferenca të suksesshme në Gjermani, Kosovë dhe në vende të tjera. Në një kohë të shkurtë kjo organizatë ka arritur të bëhet urë lidhëse në mes të dy vendeve në lëmenj të ndryshëm.

Me organizimin e Kongresit të parë, Unioni kishte qëllimin që së bashku me anëtarët dhe mysafirët e shumtë të diskutohet për disa projekte të rëndësishme dhe ambicioze.

Një nga sallat e kongreseve të hotelit “Dorint” në Köln, ku albinfo.ch ishte në vendngjarje, ishte mbushur të shtunën e kaluar deri në vendin e fundit. Lista e gjatë e mysafirëve dhe e anëtarëve premtonte një ditë interesante pune.

 

albinfo.ch
albinfo.ch

I moderuar nga studenjta e Drejtësisë, zonjusha Alketa Frroku, e cila njëherësh është edhe udhëheqëse e Zyrës së Unionit, kongresi kishte një plan të ngjeshur pune, të cilin e prezentoi kryetari i Kryesisë së Unionit të bizneseve, z. Ejup Berisha. Fillimi i kongresit i takoi prezentimit të mysafirëve që përfaqësonin ndërmarrje dhe institucione e komuna të ndryshme nga Gjermania, Kosova dhe Shqipëria, të cilët, siç u shpreh kryetari Berisha, „janë shumë të rëndësishëm për bashkëpunim në të ardhmen.

Mysafiri i parë që përshëndeti kongresin ishte kryetari i Bashkisë së Kölnit, Dr. Ralf Heinen, i cili tha se “jam i lumtur që ky kongres sot mbahet në qytetin tone, duke vazhduar: “Në këtë kohë të shkurtë të aktivitetit Unioni ka arritur statusin e një partneri të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve. Me aktivitetin e tij Unioni është duke kontribuar në konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës“, theksoi Dr. Heinen, duke mos fshehur kënaqësinë që selia e Unionit gjendet në Koln, qytet ky internacional që njihet edhe si qytet i kongreseve dhe i panaireve.

albinfo.ch
albinfo.ch

Fjalën pastaj e mori ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, z. Blerand Stavileci, i cili foli për orientimet e Qeverisë dhe planet e saj në katër vjetët e ardhshëm. Reformat ligjore, krijimi i sistemit energjetik funksional që do të siguronte furnizim stabil me energji elektrike, vazhdimi i ndërtimit të rrugëve që lidhin me shtetet fqinje ishin vetëm disa nga projektet që i përmendi ministri Stavileci. Ai foli edhe për iniciativa dhe suksese konkrete gjatë kësaj faze, në të cilën po kalon Kosova, me shpresë se një ditë vendi të bëhet më atraktiv për investitorët e huaj.

Ejup Berisha foli gjerësisht për tri projektet e Unionit për këtë vit, që janë: krijimi i mundësive për pacientët nga Kosova të shërohen në klinikat gjermane, rritja e kapitalit të fondit zhvillimor për Kosovën, i cili sapo është themeluar, si dhe krijimi i mundësive për punësimin e 10.000 punëtorëve nga Kosova në Gjermani. Për projektin e fundit, kryetari Berisha ftoi biznesmenët e pranishëm në pjesëmarrje aktive duke ofruar vende pune në bizneset e tyre.

albinfo.ch
albinfo.ch

I pranishëm ishte edhe ministri për Diasporë, z. Valon Murati, i cili iu falënderua bashkatdhetarëve për kontributin e dhënë në të kaluarën, duke shpresuar se kjo ndihmë për mbijetesë të shndërrohet në ndihmë për zhvillim e prosperitet të vendit. „Me rëndësi është identifikimi i potencialeve të diasporës dhe rrjetëzimi i tyre në shoqata dhe unione, që pastaj me projekte të ndryshme të krijohen mundësi investimi në Kosovë. Me punën tuaj të vyeshme këtu ju keni fituar besimin te partnerët tuaj dhe ju jeni ata, që si urë lidhëse do të sillni investitorët në vendin tonë“, vazhdoi ministri Murati, duke i quajtur bashkatdhetarët në mërgim si një partner shumë i rëndësishëm në zhvillimin e vendit.

Zëvendësministrja e Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë, zonja Brunilda Paskali, bëri prezentimin „Shqipëria – vend i mundësive“, që kishte të bëjë me zhillimin ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar potencialet e shumta që ofron vendi për investitorë të huaj. “Shifrat zhvillimore japin arsye për optimizëm në shtimin e investimeve në vend”, rezumoi zëvendësministrja Paskali.

Kongresi u përshëndet edhe nga prof. Murat Jashari, kryetar nderi i Unionit të bizneseve, i cili foli për meritat e mërgatës, por edhe ndihmën e popullit gjerman për Kosovën, derisa Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Skënder Xhakali, në fjalimin e tij përmendi disa projekte të suksesshme të bashkëpunimit, sidomos në sektorin e arsimimit dual. Me fjalime interesante u paraqitën edhe Konsullja e nderit e Republikës së Shqipërisë, zonja Anduena Stephan, Lazim Destani (ecolog), Samir Krasniqi (KDWV) etj. Fjalimin ndoshta më të zjarrtë të kongresit e mbajti zonja Hamide Latifi nga organizata „Women in Business“, e cila foli për punën e suksesshme të kësaj organizate. „Me punën e palodhshme dhe me etikën e lartë të biznesit, shumë gra në Kosovë kanë arritur që jo vetëm të sigurojnë ekzistencën e tyre, por edhe të punësojnë punëtorë në bizneset e tyre. Patriotizmi më i madh është të hapësh vende pune“, tha ndër të tjera zonja Latifi, e cila u përshëndet me duartrokitje frenetike nga të pranishmit.

Pasoi prezentimi i disa kompanive shumë të suksesshme të biznesmenëve shqiptarë në sektore të ndryshme. Këto kompani kanë punuar në projekte të ndryshme prestigjioze në Gjermani, duke u gjetur kështu në mesin e kompanive më të suksesshme në Gjermani në lëmitë e tyre, si p.sh. kompanitë BES Rexhepaj apo Heby Brandschutz. Për mundësitë e investimeve në sektorin shëndetësor në Kosovë dhe Shqipëri foli edhe përfaqësuesi i Lucas Krankenhaus.

Biseda të shumta zhvilloheshin edhe në pauzat e kongresit që shfrytëzoheshin për vënie kontakti ndërmjet kompanive të pranishme. Derisa shumica e bisedave kishin të bënin me mundësinë e investimeve në trojet shqiptare, kompania Frutex GmbH nga Bad Neuenahr, e përfaqësuar nga z. Selajdin Gallopeni dhe z. Ralf Küpper, bisedonte për mundësinë e depërtimit të produkteve nga Kosova në tregun gjerman. Ata veç kishin filluar hapat e parë të sjelljes së pijeve të ndryshme në tregun gjerman. Shembull i mire, kur dihen shifrat e vogla të eksportit të prodhimeve kosovare në tregun evropian.

Unioni i bizneseve u ndau mirënjohje shumë biznesmenëve të pranishëm, të cilët kishin kontribuar në aksionin e ndarjes së bursave për 30 studentë në Kosovë. Atyre iu falënderua anëtari i Kryesisë së Unionit, z. Gani Nuha, i cili së bashku me Sekretarin z. Nexhmedin Veliqin dhe anëtarin e Kryesisë z. Zenun Krasniqin dhe z. Alketa Frroku ishin kujdesur për një rrjedhë të suksesshme të kongresit.

Pas darkës, për pjesëmarrësit e kongresit këndoi këngëtarja e njohur Elina Duni, e cila si mysafire speciale pati një performancë të shkëlqyer.

 


 Të tjera nga Développement