Zhvillim

Bizneset nga Zvicra, model për Kosovën

“Vali Ranch” “Rosconi” “Sonnenkraft” janë vetëm disa nga kompanitë e suksesshme në Kosovë ku kanë investuar afaristët nga Zvicra. Këto kompani japin sinjale edhe për investime të tjera

Afaristët shqiptarë dhe zviceranë që kanë investuar në Kosovë, janë shumë të kënaqur me klimën e investimeve dhe kushtet që ofron Kosova për biznes. “Vali Ranch” “Rosconi” “Sonnenkraft” janë vetëm disa nga kompanitë që origjinën financiare dhe modelin investues e kanë marrë nga shteti helvetik.

Përfaqësuesit e këtyre kompanive, përveç që kanë sjellë model evropian të të bërit biznes, kanë punësuar dhjetëra punëtorë, duke krijuar mirëqenie ekonomike për shumë nga familjarët e tyre. Po ashtu investimet e disa prej afaristëve kanë lënë gjurmë gjithandej Ballkanit.

Ekipi i Albinfo.Ch së bashku me një grup afaristësh zviceran dhe kosovarë kanë zhvilluar një ekskursion nëpër disa nga kompanitë më të suksesshme zvicerane në Kosovë.     

Njëri prej tyre është Christoph Frei, pronar i kompanisë “Rosconi AG”, i cili ka katër muaj që ka filluar të investojë më kompaninë e tij në Kosovë, gjegjësisht në qytetin e Gjakovës. Ndryshe nga të tjerët që origjinën e kanë nga Kosova, Frei është zviceran që investon në Kosovë. 

Kompania “Rosconi AG”, merret me ndërtimin e mureve lëvizëse. Në objektin ku tani gjendet kjo kompani ka plotë tre mijë metra katrorë hapësirë dhe më parë ky objekt ka qenë fabrikë e mobileve. Frei shprehet i kënaqur që ka investuar në Kosovë, por i vetmi problem për të mbetet sigurimi i lëndës së parë dhe disa probleme teknike me objektin.

Problem për retromaterial 

“Në këtë vend bëhet vetëm përpunimi dhe këtë objekt e kemi marrë me qira dhe i plotëson të gjitha kushtet tona…..Kemi disa probleme të vogla, këtu vetë ne e kemi rregulluar dyshemenë dhe kulmin e kësaj fabrike, mirëpo kulmi i saj nuk është punuar në mënyrë perfekt dhe ka ende punë”, ka treguar Frei, i cili në kompaninë e tij na tregonte në çdo vend se çka punohet dhe me cilat vegla e makineri punohet.

Aktualisht kompania “Rosconi AG”, numëron 17 punëtorë dhe vetëm dy prej tyre janë nga Zvicra, që janë në cilësinë e ekspertëve për ti trajnuar punëtorët e kësaj kompanie që janë nga Kosova.

Zenun Bajrami, përgjegjës dhe partner i kompanisë “Rosconi AG”, i cili ka jetuar për 28 vite me radhë në Zvicër, shprehet i kënaqur për këtë investim që ka bërë kjo kompani në Kosovë sepse, siç ka thënë ai, kjo në radhë të parë i ka ndihmuar Kosovës dhe ekonomisë së Gjakovës në veçanti.

Ai thotë që muret lëvizëse që kjo kompani i prodhon ende nuk janë të njohura në Kosovë, por që “Rosconi AG”, është edhe në kërkim të tregut kosovarë.

“Faktikisht në Kosovë nuk janë në prodhim deri tash janë ende të pa njohura, me përjashtim të Mitrovicës, një Universitet atje ka kërkuar që të prodhojmë mure lëvizëse, mirëpo shpresojmë që në të ardhmen edhe në Kosovë sikur edhe në shtet e ballkanit do të hyjë në prodhim”, ka treguar Bajrami.

Sipas tij, i vetmi problem është sigurimi i materialit të lëndës së parë, por që sipas tij, janë duke kërkuar edhe partner nga Kosova që të sigurojnë këtë lëndë.

“Këtu në objekt gjendjen me rrymë e kemi shumë të mirë dhe me gjëra të tjera deri më tani nuk kemi pasur probleme, por me përjashtim të materialit që është problem me e sigurua në Kosovë”.

“Deri më tani materialin e kemi importuar nga Zvicra, aluminin nga Turqia. Tash të shohim këtu për shembull me kohë nëse mund të gjejmë ndonjë partner lokal që me u marrë me furnizim të lëndës së parë”, është shprehur Bajrami.

“Vali Runch”, modeli i veçantë në Ballkan

Një investitor tjetër që ka lënë gjurmë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit, është Fehmi Fetahu. Ky i fundi përfaqëson një kompani ndërtimore në Zvicër, ndërkaq në Kosovë ka investuar në hotelieri dhe turizëm, duke hapur kështu “Vali Ranch”, i cili ofron edhe kalërim si dhe restauruat.

“Para 25 viteve në Zvicër e kam themeluar një kompani e cila merret me ndërtimtari dhe në atë kompani i kam të punësuar 65 punëtorë, ku 80 për qind e tyre janë shqiptar. Ndërkaq në Kosovë kam filluar që nga viti 2006 dhe sot “Vali Ranch”, numëron mbi 80 punëtorë, si në pjesën e restorantit ashtu edhe në pjesën e kalërimit dhe në mirëmbajtjen e kuajve”, tha ai.

Ky investim, sipas tij, u ka ndihmuar shumë familjeve të fshatit Përlepnicë dhe Gjilanit, sepse 80 punëtorë janë nga këtu dhe ata me këtë pagë e ndihmojnë familjen e tyre.

Objekti i “ Vali Ranch”, ka një hapësirë prej 7 mijë metra katrorë dhe është në majë të fshatit Përlepnicë, ku nga aty mund ta shohësh si në pëllëmbë të dorës qytetin e Gjilanit.

Muqa sjell në Kosovë energjinë e ripërtritshme    

Po ashtu edhe Xhevat Muqa, nga fshati Vraniq, Komuna e Suharekës, i cili ka jetuar për 11 vite në Zvicër dhe një herësh është edhe nënkryetar i shoqatës për energji të ripërtritshme, shoqatë kjo e cila është formuar para një viti, është përfaqësues i kompanisë “ Sonnenkraft”, nga Austria për Kosovë dhe Shqipëri po ashtu.

Ai ka treguar se në fillim të kthimit të tij në Kosovë ka punuar si përkthyes në KFOR-in austriak dhe që nga aty ka filluar që të merret me energjinë e ripërtrishtme apo siç i quan Muqa, panelet solar.

Ai ka treguar se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar mjaftë sa i përket investimit në energji të ripërtritshme.

“Në vitin 2008 mu dha mundësia përmes një motre nderi dhe KFOR-it austriak  që të marrë pjesë në një seminar në sektorin e solarëve termike në Austri dhe që nga viti 2008 përfaqësoj kompaninë “Sonnenkraft”, që është një firmë e mirënjohur në tërë Evropën”, tha ai. 

Kjo firmë, sipas tij, është prodhuese e paneleve diellore termike si dhe të atyre fotovultaike.

“Unë përfaqësoj këtë firmë për Kosovë dhe Shqipëri dhe në Kosovë jemi futur mirë në treg do të thotë duke filluar me shtëpi private, pastaj në QKMF-në e Suharekës kemi bërë montimin e solareve etj. Në këtë vit në këtë kohë sapo e kemi përfunduar dh zyrtarisht e kemi dorëzuar projektin në Mitrovicë që është një qumështore, etj”, tha Muqa.

Ai po ashtu tha se është inkiaudruar shumë mirë në tregun rajonal, përfshirë edhe disa kontrata me Swiss Kontakt-in që është nën ombrellën e Ambasadës Zvicerane në Kosovë.

“Ne jemi të interesuar që ta kyçim sekorin e gjelbër sa më shpejt që është e mundur edhe në tregu kosovarë”, ka treguar Muqa. Ai si përfaqësues i kompanisë “Sonnenkraft”, numëron pesë punëtorë që merren me instalimin e energjisë së ripërtritshme.