Shqipëria

Bizneset gjermane vlerësojnë se situata ekonomike në Shqipëri është përmirësuar

Dhoma Gjermane e Tregtisë përmbledh rreth 90 kompani gjermane dhe austriake, të cilat kanë investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare

Bizneset gjermane që kanë investuar në Shqipëri vlerësojnë se situata ekonomike në Shqipëri është përmirësuar.

Dhoma Gjermane e Tregtisë publikoi sondazhin e përvitshëm me bizneset anëtare, rezultatet e të cilit kanë qenë më optimiste se vitet e shkuara.

“Pothuajse 2/3 e bizneseve anëtare të dhomës gjermane e vlerësojnë situatën ekonomike në Shqipëri si të mirë ose të kënaqshme. Shqipëria në vitin 2018 ka marrë në të gjitha aspektet nota më pozitive se sa vitin e kaluar. Vetëm në vitin 2015, vlerësimi ka qenë kaq i lartë sa është për vitin aktual”, është shprehur Hartmut Jarosch, drejtor ekzekutiv DIHA, raporton “TCH”.

Sipas anketimit, pjesa më e madhe e bizneseve kanë raportuar rritje të xhiros dhe parashikojnë më shumë investime, përcjell albinfo.ch.

“Më shumë se gjysma e të anketuarve pra 56 për qind presin një përmirësim të xhiros që realizojnë nga biznesi i tyre. Vlerësimi i përmirësuar iu bizneseve për gjendjen e tyre financiare reflektohet dukshëm edhe në dëshirën e tyre për të investuar, pasi sipas ankesës më shumë se gjysma e bizneseve parashikojnë se këtë vit do të bëjnë investime më të larta”, thekson Jarosch.

Paralelisht bizneset kanë raportuar përmirësim edhe në shumicën e tregtuesve të klimës së investimeve, ndërkohë që problematik mbetet sistemi i taksave.

“Barra e tatimeve dhe e taksave ka një vlerësim të përkeqësuar. në fakt zyrat dhe institucionet e tatimeve dhe komplet sistemi i taksave ka marrë një vlerësim më negativ se vitin e kaluar. po ashtu edhe administrata publike përsëri ka marrë një notë pak me negative”, thekson Jarosch.

Dhoma Gjermane e Tregtisë përmbledh rreth 90 kompani gjermane dhe austriake, të cilat kanë investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.