Lajme

Bitcoin kapërcen kufirin e tij historik të çmimit

Çmimi i Bitcoin-it, kriptomonedha e parë e decentralizuar, tejkaloi të hënën 19 700 dollarë për herë të parë që nga krijimi i saj 11 vjet më parë, i rritur nga përdorimi i tij gjithnjë e më i përhapur dhe nga oreksi i rrezikut në tregjet.

“Rreth orës 3:20 pasdite GMT, çmimi i Bitcoin u rrit me 8,2% në 19 761 dollarë, pasi kishte kapërcyer nivelin e tij të mëparshëm i arritur më 18 dhjetor 2017 me 19 511 dollarë”, njoftoi agjencia Bloomberg, sipas të dhënave të mbledhura nga disa shkëmbime.

Bitcoin është rritur me 175% që nga fillimi i vitit, me një rritje prej më shumë se 40 % që nga 21 tetori, kur gjiganti i pagesave në internet Paypal njoftoi se po fillonte një shërbim të blerjes, shitjes dhe pagesave me kriptovalutë, shkruan AFP, përcjell Albinfo.ch.

“Po lëvizim në ujëra të paeksploruar nga çmimet dhe kjo rritje e vogël mund ta çojë çmimin edhe më lart”, tha Craig Erlam, analist në Oanda.

I krijuar nga persona anonimë si një mjet pagese i decentralizuar dhe i miratuar nga investitorë të aftë në investime alternative, Bitcoin ka parë ngritje të tjera spektakulare dhe kulme po aq marramendëse.