CH-Ballkani

Bitcoin, ilegal në Shqipëri

Në lidhje me blerjen, zotërimin apo tregtimin e mundshëm të parave virtuale, të tilla si Bitcoin, Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale.

Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë, shkruan Monitor në Tiranë.

Banka e Shqipërisë, duke mirëkuptuar transformimin e madh që vjen nga teknologjia e informacionit, shpreh angazhimin e saj për të informuar në vazhdimësi publikun shqiptar në lidhje me risitë e parasë virtuale, si dhe rregullimin dhe administrimin e rreziqeve që shoqërojnë këtë produkt, përfundon deklarata për shtyp e Bankës së Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.