Zhvillim

Bingeni ofron trajnim të infermierëve nga Prizreni

“Marienhaus është i interesuar për të sjellë në Bingen infermierë nga Kosova dhe tu mundësojë konkurruesve të përshtatshëm aftësimin këtu. Kjo mundësi do t`u ofrohej edhe mjekëve”

Qyteti gjerman Bingen ka prej 45 vitesh partneritet me qytetin e Prizrenit. Ditë më parë një delegacion nga Bingeni i kryesuar nga kryetari i tij ka vizituar Prizrenin. Mysafirët nga Gjermania kanë vizituar shumë institucione dhe subjekte ekonomike të Prizrenit, si dhe kanë ofruar ndihma për institucionet prizrenase, përfshirë këtu edhe 30 kompjuterë.

Pas kthimit në Gjermani, delegacioni ka bërë një vlerësim të vizitës, për çfarë kanë shkruar mediet e Bingenit e më gjerë.

Por, më interesantja është iniciativa e ndërmarrjes Marienhaus GmbH që udhëheq spitalin Heilig-Geist-Hospital të Bingenit për të ofruar vende trajnimi për infermierë dhe mjekë nga Prizreni. “Marienhaus është i interesuar për të sjellë në Bingen infermierë nga Kosova dhe tu mundësojë konkurruesve të përshtatshëm aftësimin këtu. Kjo mundësi do t`u ofrohej edhe mjekëve”. Me këtë lidhet edhe shpresa për t`i ofruar rinisë së papunë të Prizrenit një perspektivë dhe njëherësh të zihen vendet e lira të punës në regjionin Mainz-Bingen, shkruan allgemeinzeitung.de. Është menduar edhe për një partneritet të ngjashëm në bashkëpunim me dhomën e zanateve dhe shkollat e larta.

“Nga konkurruesit kërkohet natyrisht edhe angazhim vetiak, veç tjerash zotërimi i gjuhës gjermane në nivelin C1”. Kryebashkiaku Feser thotë se shpreson që do të krijohen lidhje personale në rast se do të kishte më shumë njerëz nga Prizreni që do të punësoheshin në Bingen. Kjo do t`i jepte jetë partneritetit në mes të qyteteve duke e bërë atë edhe partneritet në mes të njerëzve.