Lajme
Biletat, “helm” gjatë sezonit të verës
Ndonëse shesin biletat me çmimet më të larta në rajon dhe kanë përfitime shumë të mëdha nga shitja e tyre, drejtuesit e agjencive turistike mohojnë një gjë të tillë. Madje, ata arsyetohen që kjo vjen ngase të gjithë bashkatdhetarët kërkojnë datën e saktë të fluturimit dhe kjo e bën më të shtrenjtë biletën.
Nga ana tjetër, Ministria e Transportit dhe e Postë-Telekomunikacionit vazhdon të mos lëshojë licenca për kompani të huaja për tregun e Kosovës.
Frank Koraqi nga Agjencia Exslusive ka thënë se nuk ka udhëtime të shtrenjta jashtë sezonit. Sipas tij, ato janë njësoj sikurse në tërë rajonin, ose shumë pak dallojnë. Ai madje thotë që shpesh agjencitë punojnë me humbje, por gjatë sezonit veror nxjerrin fitime.
“Në Kosovë të gjitha agjencitë punojnë me humbje dhe të gjithë e shfrytëzojnë rastin që gjatë muajve korrik dhe gusht, kur ka shumë udhëtarë, t’i mbulojnë humbjet, prandaj edhe çmimi i biletave në atë kohë rritet dukshëm.
Gjatë tërë vitit ne punojmë me humbje, sepse për shembull, ne e kemi një aeroplan që ka 150 vende, e nuk i kemi aq udhëtarë, ne si agjenci duhet të paguajmë aeroplanin për të gjitha vendet dhe kjo na ka shkaktuar humbje”, ka theksuar Koraqi. Për më tepër, ai ka shtuar se në Kosovë nuk vijnë turistë, sepse siç ka thënë ai, këtu turizmi nuk është i zhvilluar si në vendet e tjera dhe kjo ndikon në numrin e vogël të udhëtarëve jashtë zezonit, sikur të kishte, atëherë do të ishte më ndryshe.
Edhe Albion Idrizi nga Air Prishtina mohon të jenë çmimet e larta të biletave në Kosovë, duke shtuar se çmimet janë tepër të ulëta në këtë kohë. “Nuk ka çmime të larta në Kosovë. Unë mendoj se me tepër është iluzion se sa që ka çmime të shtrenjta në vendin tonë.
Ne kemi ulur deri në 70 për qind çmimin e biletave, po ashtu nëse dikush do të rezervonte një biletën një muaj a po dy më herët mund të merrte me çmimin 150 deri në 250 franga dhe ky çmim nuk është i lartë, por është i lirë”, është shprehur Idrizi. Për më tepër, ai ka shtuar se kjo agjenci në çmimin e biletave po ashtu ka të përfshira të gjitha gjërat dhe pasagjeri nuk paguan bagazh, nuk paguan ushqim në aeroplan etj.
Ndërkaq Naim Ejupi nga agjencia Eurokoha ka thënë ata kanë çmime të volitshme, duke thënë se momentalisht bileta kthyese Prishtinë-Cyrih-Prishtinë me Airberlinin kushton rreth 250 euro, ndërsa me Swiss afër 350 euro. Ai ka pranuar që Kosova ka biletat më të shtrenjta në krahasim me shtetet e rajonit, sepse siç ka thënë ai, të gjithë personat që lëvizin janë me viza dhe kërkojnë biletat me datë të caktuar dhe për atë kushtojnë më shtrenjtë. Ndërsa vendet që janë të përfshirë në liberalizimin e vizave ofrojnë biletat më të lira, ngase pasagjerët mund të lëvizin kur të dëshirojnë. “Caktimi i datës po e shtrenjton edhe çmimin e biletës. Gjatë sezonit veror në një datë të caktuar pothuajse të gjithë bashkatdhetarët vijnë dhe pothuajse në një datë të caktuar shkojnë dhe kjo e shtrenjton çmimin e biletës, sepse ka fluks të madh”, ka thënë Ejupi.
Drejtuesit e agjencive po ashtu e shohin të nevojshme që Kosova të ketë një aviokompani të veten, sepse siç thonë ata, kjo do të ndikonte në uljen e çmimit të biletave, por edhe do ta ndihmonte drejtpërdrejt shtetin. Ndërsa, edhe qytetarët që udhëtojnë shpesh ankohen në çmimin e lartë të biletave. Njëri nga ta është edhe Arti Balaj, i cili kërkon nga institucionet që të rregullojnë këtë çështje. “Biletat janë shumë të shtrenjta dhe duhet të bëhet diçka, andaj unë kërkoj nga rregullatori i konkurrencës që të ndërhyjë dhe të bëjë diçka”, ka theksuar Balaj. Edhe Ibrahim Ademi ankohet në çmimin e lartë të biletave. “Këta të agjencive na myten, kta nuk i kqyrin interesat e qytetarëve, por vetëm të vetat. Kerkund në botë nuk luan bileta me 500 euro diferencë”, ka theksuar Ademi.
Nga ana tjetër, ka edhe kompania ajrore që ankohen në Departamentin e Transportit të Aviacionit Civil që vepron në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, për shkak të moslejimit të hyrjes në Kosovës të operojë me fluturime. Njëra nga këto kompani është Belle Air nga Shqipëria, e cila ka kërkuar nga ky departament që të lejojë të hyjë në Kosovë, ndërsa sipas drejtuesve të kësaj kompanie, kjo do të rriste përfitimet për buxhetin e Kosovës, si dhe do të krijonte vende të punës për qytetarët e Kosovës. Presidenti i kësaj kompanie, Ilir Xhelo, ka thënë se operimi i Belle Air në Kosovë do të shtonte numrin e pasagjerëve, numrin e fluturimeve për aeroportin dhe të ardhurat për shtetin e Kosovës.
Presidenti Xhelo mohon të ketë ndonjë konflikt me këtë departament për mosdhënien e kësaj leje. Ai këtë e sheh më shumë si dëshirë të Aviacionit të lejojë apo të mos lejojë operimin e Belle Air. “Çështje dëshire e Departamentit të autorizojë apo të mos autorizojë këto fluturime. Belle Air është një kompani e cila nuk është e regjistruar në Kosovë, është në një shtet tjetër të tretë që duhet të bëjë fluturime në mes të Kosovës dhe një vendi të tretë.
Të drejtat e fluturimit janë të mundshme të jepen, janë të detyrueshme të jepen në faza të mëvonshme në bazë të një marrëveshje ACAA Agrement që do thotë marrëveshja Open Sky e qiejve të hapur në Evropë”, ka thënë Xhelo. Zyrtarët e kësaj kompanie thonë që kjo kompani do të ofronte çmime më të lira për linjat e ndryshme. Belle Air ka 24 destinacione çdo ditë nga Tirana për në shtete të ndryshme, ndërsa 44 % të tregut e ka në Shqipëri. Por të gjithë e shohin si shpëtim liberalizimin e vizave, sepse sipas tyre, do të rriste numrin e udhëtarëve dhe uljen e çmimit të biletës.
Shefi i kabinetit dhe këshilltari i ministrit të Transportit, Endrit Shala, ka deklaruar se Kosova prej së është bërë pjesë e ECAA-së e ka shmangur monopolin e disa aviokompanive që kanë operuar në vend. “Të gjitha kompanitë që kanë dëshirë të operojnë me Kosovën e që janë nga BE-ja nuk ka kurrfarë barriere, ato mund të marrin licencën. Ndërsa, çështja e çmimeve është problem i agjencive, të cilat kanë bërë marrëveshje të brendshme dhe ministria nuk mund të ndikojë”, ka deklaruar Shala. Në një krahasim që ka bërë albinfo të çmimeve të biletave të Kosovës dhe ato të vendeve të rajonit në këtë kohë nuk dallojnë edhe shumë. Për shembull, linja Tiranë-Cyrih dhe anasjelltas sillet prej 230 deri 270 euro, Shkup-Cyrih-Shkup nga 250 deri në 300 euro, Podgoricë-Cyrih-Podgoricë kushton nga 200 deri në 290 dhe Beograd-Cyrih-Beograd kushton nga 180 deri 300 euro.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve