E-Diaspora
Bie për një të tretën numri i refugjatëve të rinj në Gjermani
Gjatë shkurtit në Gjermani është shënuar një rënie prej rreth një të tretën, e numrit të refugjatëve të ardhur rishtas, në krahasim me muajin janar
Regjistrimi i refugjatëve të rinj në Gjermani u ngadalësua me një të tretën në shkurt, krahasuar me janarin. Këtë e bëri të ditur Ministria Federale e Punëve të Brendshme. Megjithë shtimin e punonjësve, mbeten rreth 400.000 kërkesa për azil ende pa u përpunuar, shkuan dw.de
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, stafi i të cilit është përballur me kërkesa për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave për azil, publikoi i lehtësuar të martën të dhëna të reja për përpunimin e kërkesave për azil. Ai tha se në muajt janar dhe shkurt janë përpunuar dhe janë vendosur 100.000 kërkesa për azil.
“Kjo është një shifër më e madhe se pesë muajt e parë të 2015-ës së bashku”, tha de Maiziere. Ai tha se shtimi “impresionues” i shifrës së përpunimit ka të bëjë me shtimin e numrit të punonjësve, punën jashtë orarit të tyre dhe përmirësimin e rrjedhave të punës.
Ende shumë kërkesa të patrajtuara
Zyra e tij, megjithatë, bëri të ditur se Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), me seli në Nyrnberg, ende ka 393,155 kërkesa për azil të papërpunuara.
Objektivi që ka shpallur kreu i BAMF, Frank-Jürgen Weise është që BAMF të arrijë të marrë vendime për 1.2 milionë kërkesa për azil në vitin 2017 si dhe që të shkurtojë kohën e shqyrtimit të kërkesave. Koha për përpunimin e një kërkese, në vitin 2015 ishte mesatarisht 5,2 muaj.
Ngadalësimi i ardhjes së refugjatëve dhe përshpejtimi i përpunimit të kërkesave formale për azil në Gjermani vjen pas vendimit të mesit të shkurtit të Austrisë, për të frenuar hyrjet e refugjatëve në vend. Kjo u pasua nga një reagim zinxhir i shteteve ballkanike që mbyllën kufirin, duke i lënë refugjatët të bllokuar në Greqi.
Publikimi i këtyre të dhënave vjen edhe në prag të tri zgjedhjeve për parlamentet rajonale të dielën e ardhshme në Gjermani. Zgjedhje do të mbahen në Landin e Saksoni-Anhaltit, në Baden-Vyrttemberg dhe në Rheinland-Pfalc, ku prej muajsh refugjatët e ardhur kanë qenë në qendër të debatit.
Ngadalësim i ardhjeve të reja
Ministria e Brendshme e Gjermanisë bëri të ditur se që prej vitit të ri, numri i ardhjes së refugjatëve është pakësuar. Në krahasim me janarin, kur u regjistruan 91,671 persona të ardhur, në shkurt u regjistruan 61,428 refugjatë të rinj. Gati gjysma e të ardhurve të regjistruar, ose 24,612 vetë u identifikuan si sirianë, të ndjekur nga irakianët dhe afganët. Numri i personave të ardhur në dhjetor ishte 127,320. Në nëntor qenë regjistruar 206,101 refugjatë të rinj, bëri të ditur Ministria. Krahasuar me marrjen e vendimit të kërkesave për azil vitin e kaluar, ritmi i marrjes së vendimeve është rritur me 132 përqind, u bë e ditur.
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
Jeta në Zvicër
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare Numri i njerëzve që kanë vështirësi në pagesën e primeve të sigurimit shëndetësor nuk ka qenë...
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve