Lajme

Bie inflacioni në Turqi, për herë të parë në 16 muaj zbret në 40%

Inflacioni vjetor në Turqi ka rënë nën shifrën 40 për qind në maj, për herë të parë që 16 muaj. Sipas të dhënave zyrtare, kjo ulje është nxitur nga oferta momentale e gazit falas për ekonomitë familjare.

Çmimet e konsumit janë rritur për 39.6 për qind në baza vjetore dhe kanë qenë pothuajse stabile me muajin paraprak, ka thënë Agjencia shtetërore e Statistikave.

Megjithatë, këto shifra zyrtare të parat që kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është betuar si president për një mandat të ri më 28 maj, janë duke u sfiduar nga ekonomistët e pavarur të Grupit Kërkimor për Inflacion në Turqi.

Sipas këtij grupi, norma vjetore e inflacionit shkon mes 105 deri më 109 për qind, varësisht nëse merret parasysh ofrimi falas i gazit.

Erdogan, i cili e ka nisur mandatin e tretë si president, ka thënë se luftimi i inflacionit do të jetë prioriteti i tij kryesor. Inflacioni pati prekur shifrën 85 për qind, në vjeshtën e vitit 2022, para se të niste rënia më vonë.