Shqipëria

Bie çmimi i vajit të lulediellit në Shqipëri, në Evropë vazhdon të shitet shtrenjtë

Çmimi i vajit të lulediellit ka pësuar ulje të fortë gjatë 2 muajve të fundit, duke arritur në nivelin e fillimvitit 2022. Nga ana tjetër, në Bashkimin Europian ky produkt vazhdon të shitet shtrenjtë.

Nëse shkojmë në market, te raftet e ushqimeve, vaji i lulediellit po shitet sot me çmim rreth 200 lekë, sipas markës tregtare, nga 400 lekë që arriti verën e kaluar. Në grupin e mallrave ushqimore ky produkt ka pësuar ulje të fortë gjatë muajve të fundit, duke u kthyer pothuajse në nivelin e çmimeve të fillimvitit 2022.

Të dhënat e nxjerra nga INSTAT tregojnë se inflacioni i majit në prill zbriti në 0.8%, ndërsa për gjithë shportën ushqimore arriti në 9.6%.

Edhe në Bashkimin Europian prej muajit dhjetor shihet që ka një prirje të uljes së çmimit, por norma e inflacionit atje për vajin vegjetal mbetet e lartë, transmeton euronews albania, përcjell albinfo.ch.

Në muajin mars ndryshimi mesatar ishte 23%. Në shtete si Hungaria, Danimarka e Belgjika luhatja është mbi 30%, ndërsa në Kroaci e Bullgari ka pasur ulje më të fortë.

Vaji i lulediellit përdoret gjerësisht në botë në tryezat familjare dhe restorante, dhe nevojat për të janë të larta. Ukraina dhe Rusia kanë një peshë të konsiderueshme në furnizimin e tregut botëror, duke zënë vendin e 8 dhe të 9 për prodhim dhe eksporte.