Lajme

Biden: Uragani “Hilary” po kërcënon Kaliforninë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar njerëzit në shtetin e Kalifornisë për uraganin e Paqësorit Hilary.

“Unë u bëj thirrje të gjithë njerëzve në zonën e lidhur me stuhinë të marrin masa paraprake dhe të dëgjojnë këshillat e autoriteteve shtetërore dhe lokale”, tha Biden në një konferencë shtypi në Camp David, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Kalifornia Jugore duhet të përgatitet për “përmbytje kërcënuese për jetën dhe potencialisht katastrofike”, tha Qendra Kombëtare e Uraganeve NHC.

“Hilary” mund të shkaktojë më shumë shi atje sesa të bjerë në një vit të tërë teksa rojat bregdetare amerikane parashikojnë rryma të rrezikshme dhe erëra të forta për ditët në vijim.
Uragani ishte në brigjet veriperëndimore të Meksikës të premten në mbrëmje (me orën lokale) dhe u nis drejt gadishullit Baja California.

Më shumë se 18 mijë ushtarë janë vënë në gatishmëri në Meksikë dhe janë ngritur strehimore emergjente. Së fundmi, “Hilary” fitoi forcë dhe u klasifikua si një uragan i Kategorisë 4 (nga 5).

E pazakontë për rajonin

“Hilary” duhet të arrijë në Kaliforni të dielën në mbrëmje (me orën lokale) dhe pritet të zvogëlohet në një stuhi tropikale pak më parë. Por, edhe kjo është e pazakontë për rajonin. Një paralajmërim për stuhi tropikale është lëshuar në Kaliforni për herë të parë në histori.
“Hilary” do të ishte stuhia e parë tropikale në dekada që goditi drejtpërdrejt Kaliforninë – përndryshe ka më së shumti nxitje të stuhive të tilla. Në vitin 1939 dhjetëra njerëz humbën jetën sepse banorët e rajonit nuk ishin të përgatitur siç duhet.