Lajme

Biden: Pandemia ka marrë fund!

Presidenti amerikan Biden deklaroi në një intervistë se pandemia Corona ka mbaruar. Por ende ka probleme me COVID-19. Qeveria dhe Kongresi kanë ndarë disa miliarda dollarë të tjerë për luftimin e pandemisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkurara të Amerikës, Joe Biden, konstatoi: “Pandemia ka mbaruar. Ne ende kemi një problem me Coronën. Ne ende jemi duke punuar shumë në luftimin e këtij virusi, por pandemia ka mbaruar”, deklaroir 79-vjeçari në një intervistë për emisionin “60 Minutes”, të televizionit CBS.

“Askush nuk mban maska”

Intervista është regjistruar ditën e enjte, kur presidenti Biden vizitoi ndër tjerash edhe një autoshou në Detroit në Michigan. “Siç mund ta shihni, askush këtu nuk mban maskë. Të gjithë duket se janë në formë mjaft të mirë, kështu që mendoj se situata po ndryshon dhe mendoj se ky është një shembull i përsosur i asaj që po ndodh”, theksoi presidenti amerikan, Biden.

Deklarata e presidentit Biden mund të shkaktojë trazira brenda vetë administratës së tij. Vetëm pak javë më parë, qeveria amerikane i kërkoi Kongresit amerikan miliarda dollarë shtesë për të luftuar pandeminë, në mënyrë që të mund të vazhdojë të ofrojë teste dhe vaksinime, gjatë një vale të mundshme të Coronës në vjeshtë.

Megjithatë, kufizimet për shkak të virusit Corona në SHBA janë hequr në masë të madhe. Edhe lëvizjet dhe udhëtimet janë kthyer gati në nivelin e para pandemisë.

Vetë presidenti Biden ka rezultuar pozitiv ndaj virusit Corona në korrik të këtij viti dhe është trajtuar me ilaçin kundër COVID-it, Paxlovid. Në fund të gushtit, gruaja e tij, Jill, u infektua po ashtu me këtë virus dhe u trajtua me të njëjtin ilaç – Paxlovid./DW