Kosova

SHBA-ja ndan vaksina edhe për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se Presidenti i Amerikës, Joe Biden, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.

“Më 19 mars 2021 i kam shkruar Presidentit Biden, duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht, në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-së, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, shkroi Osmani në Facebook.

Presidentja e Kosovës shpreh mirënjohje të për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars.

“Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht. Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave. Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Osmani tutje në Facebook.

Sipas Osmanit, njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.