Lajme

Biden bën thirrje për rritje të vaksinimit

Presidenti Joe Biden tha se varianti shumë i transmetueshëm Omicron i COVID-19 përbën shkak për “shqetësim, por jo panik” dhe mbrojti vendimin e tij shumë të kritikuar për të kufizuar udhëtimin nga rajoni i Afrikës Jugore, ku u raportua për herë të parë varianti i ri. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Pandemia Covid-19 ka një emër të ri, dhe ai është Omicron. Varianti i ri shumë i transmetueshëm i koronavirusit u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët e Afrikës së Jugut dhe u emërua me shkronjën e 15-të të alfabetit grek.

“Ky variant është shkak për shqetësim, jo shkak për panik. Ne kemi vaksinën më të mirë në botë, ilaçet më të mira, shkencëtarët më të mirë. Ne po mësojmë më shumë çdo ditë, dhe do ta luftojmë këtë variant me shpejtësi, veprime shkencore dhe maturi, jo kaos dhe konfuzion”, tha presidenti.

Menjëherë pas shpalljes së variantit të ri, presidenti Biden vendosi kufizime udhëtimi në disa vende të Afrikës Jugore. Kjo shkaktoi zemërimin e menjëhershëm të presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

“Këto kufizime janë krejtësisht të pajustifikuara dhe diskriminojnë në mënyrë të padrejtë vendin tonë dhe vendet motra të Afrikës Jugore. Ndalimi i udhëtimit nuk është i bazuar në shkencë dhe as nuk do të jetë efektiv në parandalimin e përhapjes së këtij varianti”.

Por presidenti Biden argumenton se po përdor kufizimet për të fituar kohë që më shumë amerikanë të vaksinohen dhe të marrin masa të tjera parandaluese.

“Ditën që Organizata Botërore e Shëndetësisë identifikoi variantin e ri, unë mora hapa të menjëhershëm për të kufizuar udhëtimet nga vendet në Afrikën Jugore. Por, ndërsa ne e dimë se kufizimet e udhëtimit mund të ngadalësojnë shpejtësinë, ato nuk mund ta parandalojnë variantin e ri. Por kjo na jep kohë për të ndërmarrë më shumë veprime”, tha presidenti./VOA