Gruaja
Besa Zajmi fiton çmimin prestigjioz të arkitekturës në Zvicër
Më datë 31 janar janë ndarë çmimet nga “Foundation Awards” me të cilat vlerësohen arkitektët e rinj gjegjësisht byrotë e reja të arkitekturës. Këtë vit me këtë çmim u shpërblye “Studio Barrus”, pjesë e së cilës është arkitektja Besa Zajmi
Në një intervistë për albinfo.ch, Besa, një arkitekte e re me prejardhje nga Kosova, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, ka folur për çmimin dhe suksesin e arritur.
Besa Zajmi është e lindur në Gjakovë ndërsa nga mosha 2 vjeçare jeton në Zvicër. Ajo është e para shqiptare që ka studiuar dhe magjistruar arkitekturën në ETH Zürich, universitetin ndër më famozët në botë. Kjo, me siguri e bën atë që të ndihet shumë krenare. Ndërsa dëshira e saj është që sa më shumë shqiptarë të tjerë të jenë pasues të rrugës që ka ndjekur Besa.
Arkitektja e re dhe e suksesshme ka folur me albinfo.ch lidhur me vështirësitë po edhe për përkushtimin e treguar gjatë kohës së studimeve.
Në ETH “dita i ka 25 orë dhe java 8 ditë”
“Siç dihet, shkollimi në Zvicër nuk është i lehtë. Të studiosh dhe të përfundosh studimet në ETH-Zürich sidomos në degën e arkitekturës që nga dita e parë duhet një dëshirë, një disiplinë, një sakrificë dhe një përkushtim i madh”, ka thënë Besa.
Gjithashtu asaj i kujtohet edhe dita e parë e studimeve dhe thënia e një profesori, “Këtu te ne dita i ka 25 orë dhe java 8 ditë” dhe, sipas Besës, ashtu ka qenë.
“Gjatë studimeve pesëvjeçare kam pasur shumë netë pa gjumë. Meqenëse kryesisht kohën e kaloja në atelienë e fakultetit, kam pasur mundësinë të njihesha dhe të punoja së bashku me shumë studentë të tjerë, me dy prej të cilëve e vazhdojmë punën edhe sot”, thotë ajo.
Besa ka pasur fatin që të jetë studente e Adam Caruso, Hans Kollhoff, Miroslav Sik, Tony Fretton e posaçërisht e profesorit Peter Märkli, të cilët janë profesorë dhe ekspertë me renome botërore.
Pasionin për arkitekturë, Besa Zajmi e ka pasur që nga fëmijëria. Ajo, që nga fillimi i shkollës ka ndjekur rregullisht kursin e artit figurativ. Nga dëshira e madhe për t`u marrë me krijimtari artistike, ajo o regjistrua në Gjimnazin e St. Gallenit, në drejtimin, dizajn artistik të cilin e përfundoi me shumë sukses. Ndërsa studimet ajo i filloi në vitin 2008 dhe i përfundoi në vitin 2014.
Ka përjetuar edhe ëndrrën amerikane
Pas përfundimit të studimeve, Besa ka përjetuar edhe ëndrrën amerikane. Ajo, si studente, kishte vizituar disa herë Nju Jorkun. Mirëpo dëshira saj për të punuar në një projekt të përmasave të mëdha u realizua kur ajo u pranua në një zyrë arkitektonike shumë prestigjioze në të cilën punoi për 1 vit.
Besa, pas 1 viti u rikthye në Zvicër ku arriti të krijojë edhe studion e saj personale.
“U ktheva në Zvicër dhe menjëherë u punësova në Cyrih, në një zyrë arkitektonike. Aty punova 1 vit e gjysmë dhe paralelisht krijova studion time personale “„Besabild“ . Kam shumë punë pasi që unë bëj vizualizimin e projekteve të ndryshme”, shprehet Besa.
“Në vitin 2017, së bashku me shoqet e studimeve, Romana Castiglioni dhe Alexia Sawerschel themeluam zyrën arkitektonike “Studio Barrus”, tregon Besa.
Fituese e çmimeve të shumta si arkitekte e re
Konkursi i parë ku ajo ka marrë pjesë, ka qenë në Bernë, në të cilin u shpërblye me vendin e tretë. Dhe, Besa nuk u ndal. Ajo së bashku me bashkëpuntoret e saj kanë marrë pjesë edhe në disa konkurse të tjera. Ajo po ashtu ka fituar çmimin e parë me një projekt të një shtëpie për të moshuarit, në qytetin Wil, si praktikante në një zyre në Zürich.
“Përveç punës në studion time “„Besabild“ dhe studion e përbashkët, “Barrus”, punoj 50-60% asistente në shkollën e lartë në Luzern ndërsa bashkëpuntoret e mia Romana dhe Alexia për t’u vetëfinancuar janë të punësuara po ashtu 50-60% në zyra të tjera arkitektonike këtu në Cyrih.
Çmimi “Foundation Award”, i fituar në një konkurrencë të madhe
Çmimi “Fondation Award” për Besën është një sukses i madh sepse ai, prej nëntë vitesh sponzorizon zyrat arkitektonike, inovative të udhëhequra nga arkitektë të rinj.
“Konkurrenca ishe e madhe. Morën pjesë në konkurs, 40 zyra, kriteret ishin të larta. Arkitektët me projektet e tyre duhej të tregonin konturat e një potenciali të së ardhmes, që tejkalon rrjedhën e tanishme dhe mund të hapë rrugë të reja për arkitekturën zvicerane”, shprehet Juria.
Vlerësimi i jurisë për “Studio Barrus” ka qenë ky: “Këtë vit “Studio Barrus” me portofolion e saj tregoi një qëndrim dhe një mënyrë komunikimi shumë bindëse për jurinë profesionale. “Studio Barrus” me projektin e saj tregohet jashtëzakonisht “simpatike” dhe vetë-kritike, si të rinj të motivuar dhe ngapak naivë. Dhe, duke u rritur ndërkohë për të dëshmuar se njeriu dhe vendbanimi i tij është gjithmonë në fokus të tri arkitekteve të reja”. Kjo dhe ka bindur jurinë të ndajë vendin e parë për “Studio Barrus”.
Porosia e Besës për të rinjtë shqiptarë
Besa ka një mesazh edhe për të rinjtë shqiptarë në Zvicër. “Jemi me fat që jetojmë në Zvicër dhe gjithsesi duhet të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Ka mundësi të pakufizuara në këtë vend dhe ato duhet shfrytëzuar nga të rinjtë shqiptarë. Pra, nëse doni të arrini diçka, atëherë besoni se do ta bëni atë”, ka thënë Besa.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?