Kultura

Besa shqiptare shkon edhe në organizatën e kombeve të bashkuara në Gjenevë

Organizata joqeveritare “I AM YOUR & PROCECTOR” që mision special ka mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në bashkëveprim me UPSH-në e Gjenevës dhe ndihmën e miqve të memorialit historik “Yad Vashem” gjatë këtij viti ka prezantuar “Besën Shqiptare” në qytetet kryesore të Zvicrës.

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

  • Foto: Klevis Terpini

Këtij projekti të përbashkët të këtyre dy shoqatave i janë përgjigjur pozitivisht edhe institucionet lokale dhe ato qendrore të kantonit të Gjenevës.

Po ashtu, kjo vepër njerëzore dhe humane është përkrahur edhe nga shoqëria civile dhe grupi i intelektualëve të pavarur të Zvicrës.

Në saje të këtij bashkëpunimi konstruktiv, më 27 janar të këtij viti në bulevardin “Place du Molard” të Gjenevës u është bërë homazh viktimave milionëshe të holokaustit.

Në këtë marsh përkujtimi, përveç qytetarëve, patën prezantuar edhe bartësit e funksioneve më të larta politike të kantonit të Gjenevës, si dhe përfaqësuesit shpirtërorë të konfesionit hebraik, protestant dhe mysliman, të cilët duke ndezur qirinj në kujtim të viktimave të pafajshme të kësaj lufte të tmerrshme, janë lutur që një ngjarje me fatalitet si kjo të mos përsëritet më kurrë.

Shtatë muaj më vonë, me nismën e UPSH-së dhe koordinimin e punëve me organizatën “I AM YOUR&PROCECTOR” si dhe me mbështetjen e radhës nga organet ekzekutive të kantonit dhe

Bashkisë së qytetit të Gjenevës, në sheshin e bukur “Planpalais” kanë qëndruar dhjetë ditë rresht të ekspozuara një mori fotografish me shpjegime në anglisht e frëngjisht.

Nëpërmjet këtyre fotografive me cilësi të kënaqshme është pasqyruar qartë sakrifica e pashembullt e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mbrojtje të hebrenjve, të cilët nazifashizmi i kërcënonte me likuidim të përgjithshëm.

Këtë gjest fisnik të shqiptarëve që dikur s’ patën guxim e as vullnet ta bënin popujt  e tjerë, veçmas ata të Ballkanit, sot secili njeri i ndërgjegjshëm dhe paqedashës e vlerëson lart.

“Besa Shqiptare” impresionon edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të huaja të akredituar pranë OKB-së në Gjenevë.

Për nder të Ditës së Flamurit kombëtar dhe 104-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Misioni i Përhershëm i vendit tonë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në bashkëpunim me UPSH-në e Gjenevës, ka organizuar pritjen tradicionale të përfaqësuesve  diplomatikë të vendeve të ndryshme të botës, si dhe të atyre të institucioneve federale e kantonale të Zvicrës. Në këtë festë gëzimi dhe hareje kanë marrë pjesë edhe shumë bashkatdhetarë tanë.

Ata përveç ndjenjës së kënaqësisë, përjetuan edhe emocione të veçanta, ngase Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, si shtëpi e dytë e tyre, shënoi njëzetvjetorin e punës dhe të sukseseve të njëpasnjëshme.

Pjesëmarrësve të kësaj kremteje me një fjalë rasti u është drejtuar drejtori i përgjithshëm i OKB-së në Gjenevë, z. Michael Moller, i cili kujdesin dhe përpjekjet e shtetit shqiptar për t’i çuar përpara objektivat e organizatës, të cilën ai e drejton, i sheh si mjaft serioze. Ndërsa aktin e atyre familjeve shqiptare, të cilat shpëtuan mbi tetëqind hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, e quan heroizëm në vepër.

img_0429-1

Mirëseardhje në këtë ngjarje të rëndësishme të kombit tonë të gjithë të pranishmëve u ka shprehur edhe zonja Filloreta Kodra, ambasadore e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ajo në pika të përgjithshme ka përshkruar ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar vendi i saj. Gjithashtu ka falënderuar vendet mike të Shqipërisë, të cilat si në të kaluarën, ashtu edhe sot, po e mbështesin zhvillimin e gjithëmbarshëm të saj.

2016-12-01-photo-00000006

Me një analizë rreth aktiviteteve të UPSH-së dhe ekspozitës “Besa Shqiptare” është paraqitur z. Manuel Tornare, drejtor i përgjithshëm i UPSH-së në Gjenevë dhe deputet nacional i Parlamentit të Zvicrës nga radhët e Partisë Socialiste.

Zoti Tornare tha: ”Populli shqiptar është popull fisnik e bujar që në vazhdimësi ka krijuar atmosferë tolerance dhe mirëkuptimi. Këtë e argumentojnë edhe këto fotografi të ekspozuara sonte para syve tanë, të punuara me mjaft profesionalizëm nga zoti Norman Gershman.

2016-12-01-photo-00000011

Kjo punë me vlerë të veçantë vjen në këtë sallë plenare të OKB-së falë zonjës Albana Krasniqi-Malaj, koordinatore e UPSH-së. Me dëshirën që t’u mbetet hapësirë diskutimi edhe të tjerëve, unë po e mbyll diskutimin tim me lutjen që me duartrokitje të përshëndet puna e palodhshme dhe me fryte suksesi e zonjës Albana-Krasniqi Malaj, e cila me organizimet e mrekullueshme po tregon vërtet kulturë të lartë pune.

Në foltore është ftuar edhe Kryetari i Këshillit të Qytetit të Gjenevës, Zoti Remy Burri, i cili me fjalë të përzgjedhura tamam si i ka hije një diplomati të mirëfilltë ka përshkruar përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri dhe mëvetësi.

Duke u uruar të gjithëve përvjetorin e 104-t të Pavarësisë së Shqipërisë, ka thënë: “Le të ruhen dhe të forcohen edhe më tutje raportet  e shkëlqyera ndërmjet popullit zviceran dhe atij shqiptar”.

Falënderim dhe mirënjohje për mikun e madh të çështjes shqiptare, Ueli Leunberger

Kryeprotagonistja e këtij organizimi, Albana Krasniqi-Malaj, ka falënderuar të gjithë mysafirët, duke u zotuar se edhe në të ardhmen UPSH-ja do të bëjë përpjekje që të ndërtojë ura ofrimi me të gjitha komunitetet e kantonit të Gjenevës. Ajo duke qenë mirënjohëse për punën dhe sakrificën dyzetvjeçare të z. Uli Leunberger dhënë çështjes shqiptare, e ka ftuar atë që të pranojë dy dhurata modeste, njëra prej të cilave ishte skulpturë e derdhur në qelq me portretin e shenjtores sonë NËNË TEREZA.

Foto: Klevis Terpini
Foto: Klevis Terpini

Ueli Leunberger, njohës i shkëlqyer i organizimit sindikal dhe deputet shumëvjeçar në Parlamentin e Zvicrës, si dhe mbrojtës i pakonkurrencë i të drejtave dhe lirive të njeriut, këto dhurata të shoqëruara me një buqetë lulesh nga Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës i konsideron nga dhuratat më të çmuara në mesin e shumë dekoratave dhe mirënjohjeve të tjera të fituara në periudha të ndryshme kohe.

Z. Leunberger, gjurmues dhe analist i zhvillimeve në Ballkan, qysh herët ka vërejtur padrejtësitë e regjimeve totalitare të ish-Jugosllavisë karshi shqiptarëve.

Ndjekjet, persekutimet, burgosjet dhe vrasjen e shqiptarëve në fund të viteve të 90-ta nga regjimi gjakatar i Milosheviqit pahezutuar fare i ka quajtur “gjenocid të paparë“.

Jo vetëm kaq, i nxitur nga ndjeja humane Leunberger kudo e ka përkrahur të drejtën legjitime të shqiptarëve për shkëputje nga Serbia.

Madje si një person me edukatë universale dhe gjerësi të mendimit politik, me shumë takt ka lobuar në qendrat vendimmarrëse të botës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Leunberger, i cytur nga dëshira që komuniteti shqiptar në Zvicër të kualifikohet dhe të integrohet ashtu si duhet në vendin mikpritës më 1996 themeloi Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës. Prandaj, me të drejtë ai meriton të respektohet dhe të kujtohet përjetësisht nga të gjithë shqiptarët.

2016-12-01-photo-00000010-1

Si diskutues i radhës, prof.dr. Etienne Piguet, nënkryetar federal për Migracionin, ka kujtuar fundvitet e 90-ta, kur shqiptarët të dëbuar nga vendet e tyre morën botën në sy. Përkundër asaj dhune të paparë dhe atij represioni, ata u integruan lehtë e shpejt kudo, duke shënuar suksese në të gjitha fushat e jetës.

img_0221-1

Pjesa e diskutimeve u mbyll me fjalën e Z. Joel Hercog, i cili në emër të miqve të “YAD VASHEM” me sinqeritet dhe përzemërsi falënderoi sakrificën sublime të shqiptarëve, të cilët ai i mori si kultivuesit kryesorë të paqes dhe të humanizmit.

Foto: Klevis Terpini
Foto: Klevis Terpini

Që ky manifestim të marrë pamjen e vërtetë të një feste, fragmente të kulturës shqiptare solli treshja e artisteve të famshme Ermira Zyrakja-Lefeort, Mimoza Nazrako dhe  Elona Mathieu. Ato me mjeshtëri të rrallë kënduan Himnin e Flamurit tonë, për çfarë edhe merituan të duartrokitën nga të gjithë. Për ta bërë këtë natë sa më të hareshme u kënduan edhe këngë të zgjedhura qytetare të Shqipërisë së Mesme. Nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare nisi edhe cakërrimi i gotave me verën e shijshme të Rahovecit, ku secili uronte njëri-tjetrin për këtë ditë të shenjtë dhe të bekuar.