Integrimi
“Besa”, një histori humanizmi që i flet të sotmes
Në Bernë është hapur ekspozita tematike, "Besa, një kod nderi", e teta me radhë në kuadrin e serisë së ekspozitave që ka filluar në maj të këtij viti
Lamije Jaha me bashkëshortin, Vllaznimin, kishte udhëtuar nga Kanadaja në Zvicër për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës shëtitëse me fotografi të autorit amerikan Norman Gershman“Besa, një kod nderi” që tematizon mirënjohjen e hebrenjve ndaj shqiptarëve të cilët i shpëtuan ata nga nazistët. Lamijen këtu e ka sjellë historia dramatike e familjes së saj, e shtrirë brenda më shumë se gjysmë shekulli.
“Ka qenë viti 1942, kur babai im, Dervish Korkut, kustos i muzeut të Sarajevës kishte sjellë në shtëpi vajzën e re hebrenje Mira Papo, duke i thënë nënës që ta trajtonte si vajzë të shtëpisë dhe të mos i tregonte askujt për arsyen e qëndrimit të saj aty. Ta ruante sepse ishte rrezik të zbulohej se kush ishte. Sigurisht këtë ma tregonte më vonë nëna ime sepse unë kam lindur 13 vjet pas kësaj”, tregon Lamija. Pas një viti Mira përmes një lidhjeje ishte shpërngulur nga Sarajeva dhe përmes Shqipërisë kishte ikur në Itali. Më vonë ajo me familjen ishte shpërngulur në Izrael. Por këtu është vetëm pika fillestare e rrëfimit i cili kurorëzohet 57 vjet më vonë. Familja e Lamijes e ka përjetuar në mënyrën më kuptimplotë thënien “e mira kthehet me të mirë”…
Ishte koha e luftës dhe deportimeve të shqiptarëve nga Kosova, në vitin 1999. Familja Jaha (Lamija shqiptaro-boshnjakja nga Sarajeva ndërkohë ishte martuar me Vllaznim Jahën, në Gjakovë) bashkë me mijëra bashkëkombës tjerë detyrohet që në valët e eksodit të arratiset në Maqedoni, në Shkup.
E mira që nuk harrohet
Këtu Lamija kontakton komunitetin e atjeshëm izraelit që i mundëson familjes shkuarjen në Izrael. Njeriu i parë që i pret atje është djali i Mira Papo-s, i cili përmes të ëmës kishte trashëguar respektin e thellë për familjen që i kishte shpëtuar jetën asaj. Vetë Mira kishte ndërruar jetë një vit më parë por i biri na trajtonte si pjesë e familjes, thotë Lamija. Familja Jaha jeton rreth tetë vite në Izrael prej nga pastaj shpërngulet në Toronto, Kanada.
Babai i Lahijes është në mesin e personave që shoqata për përkujtimin e holokaustit “Yad Vashem” i ka dekoruar me mirënjohjen “Të drejtët e popujve”.
Duke qenë pjesëmarrës i panelit, drejtori i platformës albinfo.ch dr. Bashkim Iseni ka falënderuar organizatorët për këtë projekt që shkon në të mirë të mirëkuptimit në mes popujve dhe sidomos ndihmon përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër. Më tutje ai ka ndarë me të pranishmit rrëfimin e tij personal, nga familja e tij lidhur me shpëtimin e hebrenjve.
“Verën që shkoi, pasi kisha biseduar me organizatorët e ekspozitës “Besa” rreth shpëtimit të hebrenjve, ia sqarova nënës përmbajtjen e bisedës. Për befasinë time ajo më tha: `Edhe ne kemi strehuar dhe shpëtuar hebrenjtë që ishin në nevojë. Gjyshi yt e ka strehuar familjen e një partneri afarist, hebre nga Shkupi. Pastaj ai e ka organizuar udhëtimin e asaj familjeje nga Kosova në Shqipëri`. Pasi ndjehet i befasuar me ketë rrëfim njeriu pyet veten sa rrëfime tjera të kësaj natyre mbeten të pazbuluara. Por, ka vazhduar Iseni, është me rëndësi që këtë ta projektojmë në kohën e sotme. “Sa njerëz sot janë të gatshëm që duke rrezikuar jetën e tyre të ndihmojnë ata që rrezikohen ose janë të diskriminuar?!”
Ekspozita, kontribut për imazhin e shqiptarëve
Dr. Herbert Winter, kryetar i Bashkesisë së Shoqatave Izraelite të Zvicrës (SIG) ka falënderuar në emrin e bashkësisë që drejton, iniciuesit e ekspozitës dhe njëherësh ka apeluar për më shumë mirëkuptim e tolerancë në mes të komuniteteve fetare dhe etnike. Ai ka përkujtuar se kohëve të fundit, si antisemitizmi ashtu dhe urrejtja ndaj myslimanëve, edhe në Zvicër shfaqen publikisht pa u dënuar, gjë që përben shqetësim për gjendjen ku është shoqëria jonë sot. Winter ka përshëndetur këtë organizim duke e quajtur edhe si kontribut për imazhin e shqiptarëve në Zvicër, i cili shpesh bie viktimë e paragjykimeve.
Ngjashëm ka folur edhe përfaqësuesi i Qeverisë lokale të Bernës, Alexander Schmidt. Ai ka shprehur admirimin e tij për guximin e pasembullt qytetar që shqiptarët kanë treguar gjatë kohës së holokaustit, duke shpëtuar hebrenjtë, me të cilët nuk i lidhte as religjioni dhe as etnia. Besa, si një kod moral, unik i shqiptarëve, ka vepruar pa dallim feje duke shpëtuar jetët e nje numri të madh të hebrenjve Duke e bartur këtë fenomen të luftës së Dytë Botëror në kushtet e krizave aktuale në botë, Schmidt ka përkujtuar se sa pak po bëjnë vendet me mirëqenie ekonomike, ku hyn edhe Zvicra, në strehimin dhe ndihmën e viktimave të luftërave në Lindjen e mesme.
Në aktivitetin me rastin e hapjes së ekspozitës kane qenë të pranishëm edhe tre ambasadorë: Yigal Caspi, i Izraelit, Ilir Gjoni i Shqipërisë dhe Naim Malaj, i Kosovës.
Një bend muzikor i drejtuar nga Stephane Schuler, i krijuar ad-hoc është kujdesur për muzikën, duke interpretuar këngë pop, rock dhe blues nga këngëtarë të njohur të shekullit 20 e 21. Mes tjerash janë kënduar këngë të këngëtarëve Bob Dylan, John Lennon, Rita ra etj.
Shoqata “Bashkimi” shtron tryezën me ushqime shqiptare
Në aktivitetin e fundit për këtë vit, të serisë së ekspozitave “Besa, një kod etik” një kontribut të dalluar e ka dhënë edhe shoqata “Bashkimi” nga Ostermündigeni (Bernë). Gratë e vyeshme të kësaj shoqate kanë sjellë për mysafirët ushqime të zgjedhura nga kuzhina tradicionale shqiptare. Ndërsa katër djem e vajza të kësaj shoqate me veshje kombëtare shqiptare kanë qenë pjesë e dekorit të mbrëmjes. Sikur në mbrëmjet tjera të deritashme, në tryezë ka qenë e pranishme edhe birra Peja dhe pije tjera nga Kosova, si kontribut i distributorit për Zvicër të birrës së njohur kosovare, Rexhep Berisha.
Programi
Krahas ekspozitës që mbetet e hapur deri më 3 janar 2015, në këtë hark kohor do të ketë edhe në varg aktivitetesh që ndërlidhen me të. Kështu, filmi “Besa-The Promise” do të shfaqet të dielën, më 14 dhjetor nga ora 19 dhe të enjten, më 18 dhjetor nga ora 20.30 në kinemanë “Cinemàtte”. Ky film dokumentar amerikan tregon se si një qytetar shqiptar, Rexhep Hoxha, përpiqet të gjejë familjen hebreite të cilën 60 vite më parë babai i tij e kishte strehuar në shtëpinë e vet për të mbajtur premtimin ose “Besën” që ia ka dhënë babait të tij: duke ia dërguar familjes në fjalë librat e lutjes në hebraishte që ajo i kishte lënë në Shqipëri.
Ekspozita do të ketë edhe një prezantim publik, më 12 dhjetor 2014 që do ta bëjë Shpresa Jashari, studiuese e gjuhës dhe kulturës nga Universiteti Neuchatel
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot Këtë të diel po votohet për katër propozime kombëtare: Zgjerimi i autostradës: Qeveria federale dhe parlamenti...
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar