Integrimi

Besa, një akt i lartë moral i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve

Të hënën është hapur në Lucern ekspozita “Besa” një kodeks nderi, si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore"

Në hapjen e ekspozitës “Besa” një kodeks nderi, si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore” që u bë në Lucern, në një sallë të mbushur përplot zviceranë, shqiptarë dhe hebrenj, ishin të pranishëm personalitete te ndryshme nga Zvicra, Izraeli dhe viset  shqiptare.

Hapjen solemne të ekspozitës dhe moderimin e bëri Ursula Stämmer-Horst drejtoreshë e Departamentit Arsimit në qytetin e Lucernit.

Në fillim u mbajt një fjalim i shkurtër nga Laura Grütter, nënkryetare e Parlamentit te Lucernit. Ajo përshëndeti te pranishmit në ekspozitë dhe shprehu falënderimet e saj, që edhe në  Zvicrën qendrore, në qytetin e Lucernit kanë mundësinë për të mësuar për „Besen“, pasi që shumica e qytetarëve nuk kanë njohuri për këtë akt shumë njerëzor. Ajo ka theksuar se njohuritë për njëri-tjetrin janë shumë të rëndësishme për të jetuar së bashku dhe më pak me paragjykime.

Në fjalën e hapjes, anëtarja e këshillit për organizim të ekspozitave, Esther Hörnlimann, ka folur për qëllimin e kësaj ekspozite.

Ngritja e urave në mes të popujve, kujtimi dhe vlerësimi i solidarizimit të pashembullt të shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kultivimi në kohën e sotme i kësaj trashëgimie pozitive është synimi për të cilin është iniciuar kjo seri ekspozitash.

Pastaj mbajti një fjalim Avni Binaku nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës.

Ai në fjalimin e tij theksoj se gjatë Luftës së Dytë Botërore burrat dhe gratë shqiptare, myslimanë dhe të krishterë, kishin shpëtuar hebrenjtë nga një politike shfarosëse që udhëhiqej ndaj tyre nga nacizmi.

“Në një kohë të errët dhe dramatike për hebrenjtë ata hapen shtëpitë e veta, mbrojtën dhe i ushqyen ata. Shqiptaret e bënë këtë akt njerëzor të bazuar në një parim shumë të vjetër në „Besën“ e Kanunit. Në këtë kontekst Shqipëria, një vend i vogël, në breg të detit Adriatik tregoj një guxim shoqëror.
„Ata nuk mbyllën sytë, por morën në mbrojtje hebrenjtë si detyrë njerëzore – ky ishte një akt i lartë moral”, thotë Binaku.

Në fund të diskutimit, Avni Binaku ka shprehur me theks të veçantë se Ekspozita – „Besa“ ka një karakter të veçantë sidomos për të rinjtë në Zvicër, ku ata mund të mësojnë edhe për këtë element historik, që ka të bëjë me njerëzinë, tolerancën, guximin qytetar dhe të drejtat e njeriut.

“Këto elemente janë sot më se të rëndësishme dhe të domosdoshme për shoqërinë zvicerane, evropiane dhe me tej. Besa ndërton dhe mundëson lidhje në mes Zvicrës – Izraelit – Shqipërisë“, tha Binaku.

Prijësi fetar nga Izraeli, Rabbi Chaim Drukman theksoi gjatë panelit se për „Besën“ shqiptare kishte dëgjuar para disa viteve për herë të parë. Ai ka theksuar se „Besa“ shqiptare vlerësohet si një akt njerëzor që lidhet fuqishëm edhe në kontekstin religjioz.

Njerëzit e kanë për detyrë që t‘u dalin në ndihmë atyre që kanë nevojë. Ai theksoi se njerëzit duhet të kenë respekt për njëri-tjetrin dhe të mundohen për më shumë tolerancë.

Hamit Zeqiri, kryetar i organizatave për integrim në nivel të Zvicrës ka shpjeguar se si e kishte përjetuar ai vet termin „Besa“. Ai ka përmendur disa kujtime se si ai e kishte përjetuar „Besën“ në familjen e tij.  „Besa“ ishte diçka e vetëkuptueshme por jo diçka e veçantë, pritja e mysafirit në shtëpi dhe mbrojta e tij ka qenë e thelluar në shoqërinë shqiptare.

Me fjalët e fundit përshëndetëse dhe përmbyllëse të zonjës Stammer është theksuar se Ekspozita do të ndihmojë fuqishëm në përmirësimin e imazhit të hebrenjve dhe shqiptarëve në Zvicër. Siç dihet ne mediet dhe debatet shoqërore emri i hebrenjve dhe i shqiptarëve paraqitet më tepër në formën negative.

“Prandaj mua dhe të gjithëve, me njohjen e aktit të „Besës“ përmes kësaj ekspozite na mundësohet që t‘i kuptojmë më thellësisht edhe pjesët pozitive të këtyre dy grupeve shoqërore në Zvicër”, ka theksuar Stammer.

Në ditët në vijim do të ketë edhe aktivitete tjera në lidhje me ekspozitën, si vizita kolektive të nxënësve të shkollave të Lucernit, panele dhe shfaqje filmash etj.
Ekspozita do të jetë e hapur  deri më 27 janar 2015 në „Kornschütte“ në qytetin e bukur të Lucernit.

(Foto Bashkim Rexhepi)