Kosova
Besa Luci, mbi gazetarinë e guximshme në Kosovë
Këtë vit, K2.0 është duke festuar 10 vjetorin e themelimit. Së bashku me Lucin ne diskutuam punën e saj një dekadëshe si kryeredaktore e K2.0, ndikimin dhe arritjen më të madhe të saj në gazetarinë kosovare
Besa Luci ka qenë shumë e zënë që prej kur ishte bursiste e KAEF në Universitetin e Missouri-të. Pasi përfundoi studimet e masterit në “Gazetari dhe Shkrim i Revistave,” Luci bashkëthemeloi Kosovo 2.0, një organizatë e pavarur mediale e cila hedh dritë mbi çështjet e padrejtësisë, diskriminimit, të drejtave të njeriut, dhe çështjeve aktuale në vend dhe në botë. Fillimisht e lancuar si platforma e parë për blogging në Kosovë, K2.0 shumë shpejt u zhvillua në një organizatë mediale me një audiencë gjithmonë në rritje. K2.0 është gjithashtu mediumi i vetëm në vend i cili publikon në tri gjuhë – shqip, anglisht, dhe serbisht – një dëshmi e përkushtimit të tyre për të thelluar kuptimin e problemeve dhe për të krijuar lidhje ndërkulturore mes vendit dhe regjionit.
Luci bën pjesë tek gjeneratat e para të bursistëve të KAEF. Ajo pranon se koha e saj në universitet si dhe klasat që i ka marrë në botim revistash kanë qenë një katalizator për themelimin e K2.0. Përderisa ishte në Mizzou, Luci gjithashtu punoi në pasurimin e portfolios së saj duke punuar në gazetën ditore të universitetit “Columbia Missourian,” si dhe duke ndjekur pune praktike në gazeta prestigjioze.
Këtë vit, K2.0 është duke festuar 10 vjetorin e themelimit. Së bashku me Lucin ne diskutuam punën e saj një dekadëshe si kryeredaktore e K2.0, ndikimin dhe arritjen më të madhe të saj (gazetës) në gazetarinë kosovare, si dhe çfarë përmban e ardhmja për këtë gazetë.
Ky vit shënon 10 vjetorin e themelimit të Kosovo 2.0. Vetëm dy vite para themelimit, ju sapo patët diplomuar në një nga shkollat më të mira për gazetari në SHBA – Universiteti i Missouri-të në degën Gazetari dhe Shkrim i Revistave. A mund të na tregosh se çfarë ju motivoi të filloni këtë organizatë mediale?
Për mua, Missouri ka luajtur një rol shumë të madh në atë sesi unë u zhvillova dhe u rrita si gazetare. Unë vetëm se kisha një prapavijë në gazetari ngase unë kisha një diplomë të baçelorit në gazetari nga Universiteti Amerikan në Bullgari, dhe menjëherë pas diplomimit, unë fitova bursën nga KAEF të studioj në Universitetin e Missouri-të. [Prandaj,] unë veç se e dija se kjo shkollë e kishte një program të mrekullueshëm të gazetarisë, një ndër më të mirët në SHBA.
Kur unë shkova, fillimisht, e kisha një ide se doja të bëhesha një gazetare e shtypit. Kjo ishte mënyra se si e shihja vetën të përfshirë në gazetari. Por kur shkova në Missouri, unë fillova të merrja klasa në shkrim revistash, dhe një botë e re e gazetarisë u hap para meje. Kjo ishte një influencë direkte nga fakulteti dhe profesorët që ishin të kësaj fushe. Unë pashë menjëherë se si shkrimi i revistave të ofron aq shumë mundësi për të folur mbi atë se çka e krijon dhe formëson një shoqëri, dhe duke u fokusuar në përvojat e vërteta, në përvojat e ndryshme të njerëzve që përbëjnë shoqërinë.
Prandaj, unë veçse kisha filluar të mendoja të themeloja revistën time përderisa isha në Missouri, sepse tashmë kisha marrë klasa në shkrim, editim, dhe botim revistash. Unë me të vërtetë u fiksova në të gjitha proceset e botimit të një reviste. Kur u diplomova dhe u ktheva në Kosovë, unë erdha me këtë ide, këtë skice paraprake të fillimit të një reviste. Jam shumë mirënjohëse dhe e lumtur që kam pasur këtë mundësi, që kam studiuar në Mizzou, që kam pasur profesorë të mrekullueshëm, dhe që kam mësuar aq shumë prej tyre.
Në letrën nga kryeredaktorja të edicionit të fundit të revistës, ju përmendni pak nga prapavija politike dhe sociale që ndikuan në themelimin e Kosovo 2.0. A mund të na tregoni për rolin që kjo ka luajtur në fillimin e kësaj medie?
Kur unë u ktheva në Kosovë, unë vërejta se kishte një boshllëk në mjedisin mediatik. Çfarë unë mendoja se po mungonte ishin tregimet përmbajtësore për njerëzit në shoqërinë tonë. Kishte një mungesë në larminë e zërave që i dëgjonim, lexonim apo shihnim në media. Në atë kohë isha më e re dhe mendoja se zëri i të rinjëve së bashku me këndvështrimet e ndryshme që sfidojnë të ashtuquajturat të vërtetat dhe narrativat e ngulitura mungonin plotësisht. Çdo gjë po merrej si e mirëqenë në atë se si ishin gjërat. Unë mendoja se kishte kaq shumë debate dhe diskutime që duhej të silleshin, jo vetëm në Kosovë, por gjithashtu duke bërë lidhje mes njerëzve këtu, në regjion dhe në botë. Gjthashtu, duke i bërë këto lidhje të bazuara në problemet e përbashkëta, në atë se çka mundemi të ndajmë dhe të mësojmë nga njëri tjetri, si dhe në atë se si mundemi të zgjerojmë mënyrën se si e kuptojmë botën.
Këto ishin disa nga gjërat që ne po i diskutonim në fillim të Kosovo 2.0. Si mund të krijojmë një platformë ku njerëzit kanë hapësirën të flasin, të shkruajnë, të sfidojnë, të debatojnë? Në e arritëm këtë duke lancuar platformën e blogut, por gjithashtu duke krijuar një hapësirë për një lloj tjetër të gazetarisë – një gazetari që shkon deri në thellësi, një gazetari që i dëgjon njerëzit, që i shndërron statistikat në përvoja të ngjashme njerëzore, që flet për format e ndryshme të padrejtësisë, një gazetari që kërkon llogaridhënje. Këto ishin dy nga gjërat që ishim të interesuar të bëjmë, gjatë gjithë kohës duke zgjeruar debatin dhe kuptimin e problemeve dhe proceseve. Kjo ishte idea prapa gjithë kësaj. Gjithashtu, për këtë arsye që nga fillimi e kemi shkruar në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht, ngase dëshironim të kemi në tre gjuhë të gatshme në mënyre që të mund të ndërtojmë më shumë lidhje, të jetë më e lexueshme, si dhe të kemi një pjesëmarrje më të madhe.
Artikujt dhe historitë tuaja janë të guximshme, ato mbulojnë një larmi temash, dhe më e rëndësishmja, ato portretizojnë njerëz të cilët nuk janë zakonisht të përfaqësuar në burimet tona mediatike. Si mendoni se ky zhanër i të shkruarit ka ndryshuar gazetarinë në Kosovë?
Natyrisht se ka pasur edhe shkrim të editorialeve edhe para Kosovo 2.0. Unë mendoj se në kemi kontribuar drejt formatit blogging kur kemi filluar. K2.0 ishte platforma e parë e blogging.
Në ndërkohë, ka pasur projekte më të vogla mediatike që janë krijuar, ka gjithnjë e më shumë interes në brezin e ri të gazetarëve për të bërë histori me fokus njerëzit rreth diskriminimit, formave të ndryshme të pabarazisë dhe padrejtësisë, hetime të detajuara që janë të shtyra nga narrativa. Unë mendoj se K2.0 ka kontribuar duke treguar fuqinë e këtij formati. Fuqia e këtij lloji të formatit të gazetarisë narrative është se i ndihmon njerëzit të kuptojnë se çfarë do të thotë diskriminimi, çfarë do të thotë padrejtësia, pse të drejtat e njeriut janë të rëndësishme. Me të vërtetë ndihmon që të jetë më e kuptueshme për njerëzit që mund të mos e kishin pasur atë përvojë. Kështu që, ndjehem sikur kemi kontribuar në zgjerimin e kuptimeve dhe pritshmërive nga gazetaria gjithashtu.
Nëse ke një medie, një redaktor, një gazetar që punojnë në diçka përmbajtësore, kjo kontribuon në të gjithë profesionin e gazetarisë. Është e vështirë ta masësh apo ta shohësh direkt, por kontribuon. Sidomos sot, unë shoh gjeneratën e re të gazetarëve të cilët kanë aq shumë energji, potencial, kuriozitet, dhe përgjegjësi shoqërore. Është një tjetër brez i gazetarëve dhe unë dua të besoj se ne kemi kontribuar disi në këtë, nga gazetaria dhe programet tona.
A mendoni se audienca në Kosovë i ka mirëpritur këta artikuj?
Po, por unë gjithashtu mendoj se duhet të kemi parasysh se K2.0 nuk lexohet nga masa; ne kemi një audiencë më të vogël. Mendoj se ka qenë e pritur shumë mirë dhe vazhdon të jetë. Ne ndonjëherë marrim një email apo mesazh nga ndonjë lexues ose dikush që na falenderon për punën që e bëjmë ose për ndonjë artikull specifik që ka ndryshuar pikëpamjen e tyre. Për mua do të thotë aq shumë kur i shohim këto mesazhe, do të thotë më shumë se sa potencialisht ti kemi një milion shikues në ditë. E sheh ndikimin, atë se çka ke bërë përmes një tregimi.
Së fundmi, kjo është kudo dhe edhe në Kosovë, me ndryshimet që po ndodhin në gazetari, me lajmet e shpejta dhe çdo gjë duke kaluar online, njerëzit janë duke kërkuar kualitet dhe përmbajtje. Ata nuk janë të kënaqur me informata të gjysmuara. Ata duan të kontekstualizojnë, ti kenë gjërat e shpjeguara, ata duan të kuptojnë të gjithë historinë. Vlerësimi im është se njerëzit janë duke kërkuar këtë lloj të gazetarisë, dhe ne jemi një nga vendet në Kosovë që e ofrojnë këtë. Sidomos, gjeneratat e reja. Ekziston një paragjykim ndaj gjeneratave të reja që ata janë shumë të lidhur me mediat sociale, dhe duan gjithçka të vizualizuar, por unë mendoj se ata dëshirojnë diçka më të mirë, diçka më përmbajtësore.
Ju përmendni artikujt me fokus njerëzit për të cilët K2.0 shkruan, si dhe reagimet që keni marrë nga njerëz të ndryshëm në Kosovë. A mendoni se kjo ka qenë arritja më e madhe e juaja deri tani? Kur bie fjala te gazetaria në Kosovë, çfarë mendoni se ka qenë arritja më e madhe e Kosovo 2.0?
Unë nuk e di se cfarë do të quaja arritja me e madhe, është e vështirë të flasësh për arritjen ‘më të madhe.’ Njerëzit të cilët i përmend janë nga Kosova por gjithashtu shumë prej tyre janë edhe nga diaspora. Unë ende mahnitem nga ajo sesa lexohemi nga diaspora jonë dhe se çfarë kuptimi dhe ndikimi e kemi për ta. Ndërsa jemi në vitin tonë të 10-të tani, ne shohim se jemi vazhdimisht duke arritur tek anëtarët e rinjë të diasporës. Me kalimin e të rinjëve në adoleshent ose në moshë madhore, në jemi vazhdimisht duke fituar lexues të rinj nga diaspora. Nga komentet e tyre, në kuptojmë se sa me ndikim [K2.0] është, se si e ka hapur një pamje dhe kuptim komplet të ndryshëm të Kosovës, si dhe se si ata përfundojnë më të lidhur me vendin.
Sa i përket arritjes më të madhe, ka pasur lloje të ndryshme të çështjeve. Me gazetari ndonjëherë mund të kesh ndikim direkt në ndryshim të politikave, ndonjëherë mund të kesh ndikim në ndonjë çështje më të madhe shoqërore. Për shembull, edicioni ynë me tematikë Seksin, i cili kishte edhe një pjesë të plotë për të drejtat e LGBTQ, ishte një ndryshues i madh në Kosovë pasi që theu kulturën e heshtjes, kur bëhet fjalë për të drejtat e LGBTQ në Kosovë. Është për të ardhur keq ajo se çfarë ka ndodhur, dhe frustruese sulmi të cilin e kemi përjetuar kur e kemi lancuar edicionin, por në afatin e gjatë ndikimi pozitiv ishte aq i madh sepse theu kulturën e heshtjes. Aq shumë ka ndryshuar për të mirë. Kjo ka qenë një arritje e madhe.
Gjithashtu një tjetër artikull me ndikim të madh ka qenë kur kemi shkruar për segregimin që po ndodhte në transportin publik në Fushë Kosovë apo ishte në Obiliq, ku qytetarët e komunitetit rom ishin të detyruar të ulen në fund të autobusit. Kjo shkaktoi një reagim edhe nga institucionët.
E kam gjithmonë problem të emërtoj një gjë, mendoj se është e njëjta me arritjet. Mësimi dhe rritja së bashku, të kesh kaq shumë gazetarë të rinjë që kalojnë përmes K2.0, qoftë stafi apo studentët nga programet tona, është diçka për të cilën jam e lumtur. E shoh edhe këtë si një arritje.
- Janë 22 njerëz që punojnë në K2.0, por qindra të tjerë që janë vullnetarë dhe ndihmojnë në përgatitjen e këtyre artikujve. A ka ndonjë mësim që dëshironi ta ndani, që e keni mësuar nga njerëzit me të cilët keni punuar këto 10 vite?
Hëh! Nuk e di nëse është mësim! Unë mendoj se është mësim në proces, dhe do të ishte “si të balancoj nevojën për të qenë kritik ndaj vetvetes.” Sidomos në gazetari, ekziston një nevojë për të qenë kritik, për të parë se si mund të përmirësohemi më shumë, si mund të dëgjojmë më shumë tregime, si mund të bëjmë një punë më të mirë për të shkruar këto tregime, si të ndryshojmë, si të përshtatemi, çfarë është me të vërtetë interesi publik… Unë mendoj se ekziston kjo nevojë për të qenë gjithmonë vetë-vlerësues, por atëherë si t’i balancojmë të gjitha këto dhe të jemi në gjendje të shikojmë prapa në punën që bëjmë dhe të mendojmë se po bëjmë diçka të rëndësishme dhe të mirë.
E shoh këtë tendencë të jemi kritikë ndaj vetvetes edhe te kolegët e mi, por mendoj se ndonjëherë duhet ta balancojmë ketë, në mënyrë që të vlerësojmë atë se çfarë po bëjmë. Ky është mësim në proces. Ende nuk e kam kuptuar mirë, por mendoj se është e rëndësishme të ndalesh në disa momente, sidomos kur je duke punuar me ekipe të mëdha, ku të gjithë ndihen të përfshirë, të vlerësosh punën e përbashkët. Sidomos me rritjen që e kemi përjetuar gjatë vitëve kjo ka filluar të bëhet edhe më e rëndësishme.
- Me rritjen e rrjeteve sociale, kemi parë një rritje edhe në shpërndarjen e lajmeve të pavërteta. Kjo duket se është përkeqësuar edhe me fillimin e pandemisë COVID-19. Cili është sygjerimi dhe këshilla jote për njerëzit në Kosovë, për gjetjen e lajmeve kredibile dhe për të krijuar opinione të mirëinformuara?
Me të vërtetë duhet të gjejmë kohë për të kontrolluar burimet. Kur e them këtë, nënkuptoj se duhet të kontrollohet se kush është media që boton këtë histori, kush është media pas informacionit. Është një gjë e lehtë për t’u bërë. Pra, kontrolloni nëse ka transparencë, informacion mbi autorin, a janë ata kredibil… Nëse nuk ka informacion mbi median, atëhere kjo padyshim ngre një flamur të kuq.
Nga njëra anë, teknologjia ka sjellë më shumë larmi në botimin e lajmeve në përgjithësi, por gjithashtu kërkon që në të jemi pak më kritik ndaj asaj që po lexojmë, të dimë se si të kontrollojmë atë që po lexojmë dhe të sigurohemi se vjen nga një burim i besueshëm. Unë nuk mendoj se është domosdoshmërisht më ndryshe nga më parë. Në të kaluarën, njerëzit blinin një gazetë të caktuar, por ata kishin informacionë mbi redaktorin, autorin, botuesin. Këtë mund dhe duhet ta bësh edhe me burime online.
- Çfarë mund të presim nga Besa Luci dhe Kosovo 2.0 në të ardhmen?
Jemi në një pikë ku po kërkojmë të zgjerojmë dhe diversifikojmë formatet online të tregimit të ngjarjeve. Është një moment jashtëzakonisht emocionues për ne pasi që ngadalë po shkojmë më shumë në podcast dhe në multimedia në përgjithësi. Thjesht po shohim si të përmirësojmë mënyrën se si tregojmë histori në formate të ndryshme si dhe vizualisht. Ky është plani ynë për K2.0 nga aspekti gazetaresk.
Përveç kësaj, ne gjithashtu kemi shumë programe dhe mentorime që bëjmë, megjithatë për shkak të pandemisë kjo ka ndryshuar pak, sepse ne i bëjmë shumicën e programeve tona në një hapësirë fizike e cila shërben si qendër. Tani për tani, jemi duke menduar ngadalë se si mundemi si një organizatë mediatike të rrisim të ardhurat tona dhe të ndërtojmë një model tjetër financiar, ku ne vazhdojmë të jemi një organizatë e financuar nga donatorët, por gjithashtu të mos mbështetemi vetëm tek ata si burim financiar. Ky është një problem i përgjithshëm i shumë mediave, por ka mënyra kreative të ndryshme se si t’i diversifikojmë format e të ardhurave. Kjo është padyshim faza tjetër për ne.
- A mendoni se ka një audiencë në Kosovë që është e gatshme për këto formate multimediale të ndarjes së lajmeve?
Unë mendoj se ka njerëz që janë gati, dhe ka edhe nga ata që nuk janë. Thjesht, nëse nuk ofron gazetari kualitative, njerëzit mund të harrojnë të kërkojnë gazetari më të mirë. Nëse nuk ofron ose tregon një mënyrë tjetër se si historitë mund të tregohen, atëhere nuk do të ketë një kërkesë për të. Shembujt duhet të ekzistojnë. Sa më shumë që ka njerëz që e bëjnë këtë, edhe kërkesa do të jetë më e madhe nga publiku. Sepse është e rëndësishme ta kemi parasysh se përgjegjësia jonë primare është të njerëzit, te shoqëria. Ti duhet të tregosh se çfarë është e mundur, dhe pastaj më shumë e më shumë njerëz do të kerkojnë atë.
- Për fund…
Ne vendosëm ta emërojmë këtë temë [SHPRESA] vitin e kaluar dhe pastaj ndodhi pandemia, që natyrisht askush nuk mund ta kishte predikuar, por e bëri që të jetë edhe më relevante. Të gjitha këto probleme që ne jemi duke i folur tani në saj të pandemisë, kanë qenë duke ekzistuar. Pandemia veçse i ka bërë më të dukshme dhe kjo është arsyeja pse edicioni Shpresa u lidh aq mirë.
Shumë njerëz kanë komentuar se ishte ajo çfarë po nevojitej, të jemi kritikë ndaj shpresës por gjithashtu dhe ta ri-imagjinojmë shpresën. Diçka që e kam mësuar nga i gjithë ky proces si dhe me pandeminë, është se kjo ideja e të kthyerit në normale dhe dëshira e njerëzve për t’u kthyer në normale — në fakt le të mos kthehemi në normale, normalja nuk ishte aq e mirë. Le të shohim se si mund të ndryshohemi dhe të përmirësohemi. Kjo është diçka e rëndësishme që unë e mësova nga e gjithë kjo.
Për Fondin Kosovaro-Amerikan per Edukim (KAEF)
Çdo vit, për më shumë se 15 vite, Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF) ka mbështetur kosovarët e talentuar me bursa për studime të nivelit master në universitetet më të mira në SHBA. Përmes ish-bursistëve, program ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në këtë mënyrë:
Programi: 107 bursa të plota të nivelit master në bazë merite, mbi 40 universitete në SHBA, nota mesatare 3.67, mbi 100 punë praktike të ndjekura duke përfshirë IFC, UBS, dhe Bankën Botërore.
Pas kthimit në Kosovë: biznesmenë dhe sipërmarrës në rritje, zyrtarë publik dhe udhëheqës të respektuar nga shoqëria civile, menaxhuan projekte mbi 88 milion dollar dhe hapën më shumë se 50 biznese të suksesshme, duke kaluar kufinjtë e Kosovës. Mbështeteni program KAEF sot duke dhuruar tek: mygiving.net/donate/KAEF ose mësoni më shumë për iniciativën e fundit filantropike këtu.
I themeluar me fonde nga USAID dhe i implementuar nga Këshilli Amerikan për Edukim Ndërkombëtar, KAEF ka operuar si entitet i pavarur që nuk merr fonde nga qeveria Amerikane që nga 2004. Sot, KAEF mbështetet kryesisht nga donacionet e individëve dhe bizneseve në Kosovë, Amerikë si dhe nga universitetet amerikane.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane