Integrimi

“Besa”, kur shumica gabuan, shqiptarët bënë atë që duhej

Në ambientet e SHLP të Cyrihut, në një prani masive të publikut dhe të personaliteteve publike, është hapur ekspozita "Besa, një kod i nderit"

Bernard Attas punon si profesor në Universitetin e Lucernit. Është nga hebrenjtë e Selanikut, qytetit për të cilin thotë se në të kaluarën është karakterizuar nga kozmopolitizmi dhe ku bashkëjetonin, krahas greqishtes e turqishtes edhe frëngjishtja e spanjishtja, gjuhë të cilat prof. Attas i flet që nga fëmijëria … Pastaj, papritur, atij  i dridhet buza. “E gjithë familja më ka përfunduar në Aushvic, në Luftën e Dytë Botërore”, sqaron profesori duke kërkuar falje për këtë moment dobësie. Më tutje ai tregon historinë e tij të njohjes me shqiptarët. Kjo njohje mbështetet në rrëfimet e babait të tij për pjesëmarrjen në luftën greko-italiane që pjesërisht është zhvilluar edhe në territorin e Shqipërisë.

“Gjithmonë i kam admiruar shqiptarët për fisnikërinë dhe tolerancën që kanë treguar dhe kjo ekspozitë është edhe një dëshmi se kam pasur të drejtë”, thotë Attas tek flet për ekspozitën “Besa”. Ai thotë të ketë dëgjuar për historinë e shpëtimit të bashkëkombësve të tij në Shqipëri por kjo që ka parë në këtë ekspozitë është edhe më e fuqishme, më mbresëlënëse. “Një rrëfim shumë i fuqishëm për guximin qtetar të treguar në një kohë shumë të vështirë, dhe sidomos një rrëfim i realizuar shumë bukur, me përpikëri dhe nivel përmes ekspozitës së fotografive”, përfundon profesori Attas deklaratën për albinfo.ch .

Rektori i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, Walter Bircher ka përshëndetur në rolin e nikoqirit pjesëmarrësit e shumtë, përshirë edhe tre ambasadorët: i Shqipërisë, Ilir Gjoni, i Izraelit Yigal Caspi dhe i Kosovës, Naim Malaj. Ai ka shprehur kënaqësinë që si një mjedis që frekuentohet nga të rinjtë, studentët e tashëm dhe mësimdhënësit e ardhshëm, shkolla që drejton ai, ka rastin të prezantojë rrëfimin për një fenomen të jashtëzakonshëm që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Shqiptarët e bënë atë që duhej në një kohë që shumica e madhe nuk e bëri”, ka cituar rektori moton e ekspozitës shëtitëse të fotografive “Besa, një kod i nderit”. 
 
Shpëtim të hebrenjve ka pasur edhe gjetiu por vetëm në Shqipëri ky ka qenë sistematik

Për bashkëkryetaren e bashkësisë së hebrenjve të Cyrihut, Shella Kertesz, shembulli i shqiptarëve, të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte unik në botë. Në të gjitha kombet dhe mjediset ka pasur individë dhe grupe që kanë strehuar ose shpëtuar hebrenj, ka thënë Kertesz. “Por askund nuk ka vepruar një kod moral sikur Besa  te shqiptarët, sipas të cilit mbrojtja e mikut të shtëpisë është një rregull dhe jo një përjashtim. Atëbotë, shumica në Evropë, kanë shikuar anash, mjerisht”, ka thënë përfaqësuesja e komitetit hebre të Cyrihut

Ajo më tutje ka përmendur i emërtimin e një shkolle në Berlin me emrin e shqiptarit Refik Veseli i cili bashkë me familjen e tij kishte shpëtuar disa familje hebrenje të ikura nga ish Jugosllavia. 

“Ne, të gjithë Evropa dhe bota mund ta marrim shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë dhe Besën e tyre si shembull të humanitetit. Nuk mund të flas në emrin e të gjithëve por si përfaqësuese e komunitetit të hebrenjve të Cyrihut unë vetëm mund t`ia lakmoj shqiptarët për këtë pasuri”, ka thënë në fund të fjalës së saj Shella Kertesz.
 
Ndërsa Orhan Spahiu si përfaqësues i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës në fjalën e tij është ndalur më shumë në tolerancën që tradicionalisht mbretëron në mesin e pjesëtarëve të tri religjioneve të shqiptarëve. Kjo tolerancë, bashkë me kodin moral të Besës është reflektuar edhe në mikpritjen dhe mbrojtjen që shqiptarët u kanë ofruar hebrenjve. 
 
“Heronjtë e heshtur” dhe Besa Shqiptare
 
Ai ka thënë se përkatësia religjioze te shqiptarët është gjithmonë e rendit të dytë në krahasim me humanitetin dhe përkatësinë kombëtare. Sipas tij, nuk ka qenë e rastit që Papa Francesku vizitën e parë në një vend evropian e ka bërë në Shqipëri, ku, sërish jo rastësisht, është pritur nga krerët e të gjitha religjioneve të atjeshme.

Me një trajtim të temës “Heronjtë e heshtur”, punonjësja shkencore e Memorialit të Rezistencës Gjermane, Beate Kosmala, e ardhur nga Berlini, ka ndërlidhur edhe fenomenin e Besës shqiptare në funksion të shpëtimit të hebrenjve. Ajo ka folur gjerësisht mbi format e rezistencës ndaj nazizmit në Gjermaninë e Rajhut të tretë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ndërkohë që nën trysninë e kohës, shumica e kishave në Gjermani kanë dështuar të mbrojnë hebrenjtë nga holokausti, ka pasur individë besimtarë që nën kushte të rrezikut permanent për t`u zbuluar, kanë shpëtuar ose kanë bërë përpjekje për të shpëtuar bashkëqytetarët e tyre hebrenj”. Kosmala ka vënë theksin edhe në besimin mysliman të disa nga shpëtimtarët shqiptarë që, sipas saj, ka shtyrë ata të bëjnë atë që kanë bërë.

Adea Barileva, një maturante nga Cyrihu ka shpalosur para publikut përvojën e saj interesante të punimit të temës së maturës. Me një vetësiguri mbresëlënëse ajo ka treguar arsyen përse ka zgjedhur pikërisht temën  e shpëtimit të hebrenjve për punimin e saj. “Pasi kam dëgjuar nga prindërit këtë histori, jam bërë shumë kureshtare të di më shumë rreth saj dhe kam vendosur që punimin tim të maturës t`ia kushtoj kësaj teme. Duke eksploruar materiale që lidhen me temën, unë kam pasuruar shumë njohuritë e mia mbi këtë kapitull të historisë së popullit tim. Dhe mund të them se, si e re me rrënjë shqiptare, kam gjetur mjaft argumente që më japin të drejtë të mburrem me përkatësinë time”, ka thënë veç tjerash Adea.

Ekspozita mbetet e hapur deri më 5 dhjetor. Ajo mund të vizitohet nga e hëna deri të premten prej orës 7.00-22.00 dhe të shtunave, nga ora 7.00 deri në orën 17.00.

Adresa: Pädagogische Hochschule Zürich, Lagerstrasse 2, 8090 Zürich, LAC – Eingang/Kulturräume

Ekspozitë që lufton paragjykimet ndaj shqiptarëve
 
Lars Haefner, një zviceran i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët, botues i portalit albanien.ch thotë se e ka befasuar për të mirë prania e madhe e publikut në këtë hapje ekspozite. Ai shprehet për albinfo.ch se projekti i ekspozitës shëtitëse “Besa…” është më se i qëlluar për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër. Është shumë mirë që ekspozita është hapur në një ambient studentësh ndërsa do të ishte ideale që sa më shumë mësues t`i sjellin nxënësit e tyre për të parë ekspozitën dhe aktivitetet përcjellëse, thotë Haefner. Kjo do të ndihmont më së shumti në luftimin e paragjykimve të padrejta ndaj shqiptarëve.