Kultura
Besa, kosovarja me brendin e saj të modës në Nju Jork
Kreatorja nga Kosova, Besa Neziri-Rugova me sukses po e ushtron profesionin e saj që e ushtron me pasion në Nju Jork. Ajo është ballafaquar me shumë sfida, të cilat vetëm sa e kanë motivuar që të punojë më shumë
Besa Neziri-Rugova është një kreatore nga Kosova shumë e suksesshme në Nju Jork, SHBA. Ajo ka linjën e saj në Nju Jork si dhe studion në Prishtinë, ndërsa është shumë e njohur në skenën ndërkombëtare, por në atë kosovare. Besa, në një intervistë për ‘Albinfo.ch’, tregon për rrugën që kishte si kreatore, sukseset dhe sfidat me të cilat është përballur, si dhe planet për të ardhmen.
Albinfo: Fillimisht Besa a mund të na tregoni për rrugën tuaj si kreatore? Si ka qenë në fillim dhe me çfarë vështirësish je përballur?
Besa Neziri-Rugova: Ky profesion në një formë ose tjetër ka qenë pjesë e jetës sime qysh nga fëmijëria. Por profesionalisht rrugëtimi im si kreatore filloi me fillimin e studimeve në ‘Parsons School of Design’, këtu, në Nju Jork. Kjo është një shkollë mjaft prestigjioze dhe rigoroze, prandaj studimet nuk ishin aspak të lehta. Gjithashtu është edhe shkollë mjaft e shtrenjtë kështu që më është dashur që të punoj edhe gjatë studimeve, me orar të plotë përfshirë dhe vikendet, ndërkohë që edhe në shkollë isha studente me orar të plotë. Kjo ka qene pjesa më e vështire, për shkak se më duhej ta ndaja kohën me shumë precizitet dhe të kalkuluar mirë, në mënyrë që të arrij t’i mbuloj të gjitha. Jo rralle herë bëja vetëm nga 3 orë gjumë.
Sa është e vështirë që një kreatore nga Kosova të depërtojë në arenën ndërkombëtare?
Nuk mendoj qe kam hasur në ndonjë vështirësi të veçantë që do të lidhej me faktin që jam nga Kosova. Kjo industri është e vështirë për të gjithë dizajneret, ngado qofshin ato sepse nuk mjafton vetëm talenti për të arritur suksese. Janë shumë faktorë që e bëjnë këtë fushë mjaft sfiduese.
- Sfidat e saj
Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqoheni ju, dhe artistët kosovarë?
Një sfidë që mund ta veçoj që e kam hasur si artiste e huaj në një vend të huaj është ndoshta fillimi i një jete të re në një vend me kulturë e gjuhë krejt ndryshe, me një sistem shkollor shumë ndryshe prej vendit nga vij unë. Por, unë besoj që këto janë vështirësitë që i has çdokush që fillon një jetë të re në një vend të huaj, e jo domosdoshmërisht vështirësi si artiste që vij nga Kosova.
Çka e bën të suksesshme një kreatore?
Për të qenë kreatore e suksesshme, nuk mjafton vetëm ngritja profesionale. Ka disa komponentë që janë të domosdoshëm për një kreatore. Pasioni, është faktori numër një. Pastaj puna dhe përkushtimi i pafund, dëshira për të mësuar dhe për t’u përmirësuar çdo ditë. Kreativiteti, shpirti i lirshëm artistik, si dhe aftësitë e mira komunikatave dhe të biznesit, të gjitha këto janë faktorë që veprojnë së bashku për të siguruar suksesin e një kreatoreje.
- E pasionuar pas profesionit të kreatores së modës
Sa e bën me pasion këtë punë?
Për të qenë i suksesshëm në çdo punë nevojitet pasion. Pasioni te jep zell, motivim, dhe shtytje! Siç thoshte edhe Martin Luther King: Nëse njeriu është edhe pastrues i rrugëve, ai duhet të fshijë rrugët, sikurse Mikelangjelo pikturonte, e Betoveni kompozonte, ose sikurse Shekspiri shkruante poezinë. Edhe unë shkrij shpirtin në punët e mia. Dhe kushdo që blen një veshje nga brendi im, ka blerë edhe një cope shpirti dhe shumë dashuri prej meje si artiste!
Cilat kanë qenë sukseset tua deri më tani dhe cilat janë synimet për të ardhmen?
Për mua sukses është mundësia për të ushtruar profesionin tim lirshëm dhe për të krijuar pa kufizime ato që i dua. Formimi i linjës sime në Nju Jork dhe hapja e studios sime në Prishtine, pastaj krijimi i një klientele të besueshme me shije të rafinuar dhe që i beson punës sime janë disa nga ato që unë i quaj sukses. Unë besoj në suksesin me bazament dhe themel të fortë, e jo në atë të ndërtuar brenda natës, prandaj me hapa të ngadalshëm, por të sigurt po e ndërtoj karrierën time. Kam shumë plane dhe projekte për të ardhmen në të cilat punoj çdo ditë me shumë dashuri
Mesazhi i Besës për diasporën
Mesazhi im për diasporën shqiptare nëpër botë është që mos të lejojnë që frika nga asimilimi, të ju pengojë në integrimin në shoqërinë dhe vendin ku ata jetojnë. Të jesh pjesë e një shoqërie tjetër nuk domethënë që të harrosh gjuhën dhe prejardhjen, por vetëm çka e pasuron njeriun. Gjithashtu ju uroj shumë shëndet e suksese kudo që janë, dhe shumë kurajë për të ndjekur ëndrrat e tyre, sepse nuk është e lehtë të startosh një jetë prej fillimit në një vend me kulturë, gjuhë e zakone krejt tjera!
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriBesa Neziri-Rugova
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:New York
- Profesioni:Stiliste
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë