Integrimi
Besa, histori e sakrificës shqiptare për shpëtimin e hebrenjve
Të enjten është hapur në Bazel ekspozita “Besa” një kodeks nderi, si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore"
“Shqipëria shpëtoi moralin e botës!” Një deklaratë si kjo tingëllon e ekzagjeruar dhe patetike nëse e thonë shqiptarët. Por këtë e tha dhe e përsëriti disa herë para publikut zviceran dhe shqiptar, Johana Neumann, gruaja hebrenje, e cila bashkë me familjen dhe një numër të madh bashkëkombësish kishte shpëtuar nga holokausti falë besës gjegjësisht mikpritjes shqiptare.
Të enjten është hapur në Bazel ekspozita “Besa” – një kodeks nderi, si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore” që është e para në kuadrin e dhjetë ekspozitave dhe aktiviteteve tjera me këtë temë, në Zvicër, të shtrira brenda një viti.
Në hapjen solemne, në një sallë të mbushur përplot shqiptarë, zviceranë dhe hebrenj, ishin të pranishëm edhe ambasadorët e shteteve përkatëse: i Izraelit Yigal Baruch Caspi, i Shqipërisë, Ilir Gjoni dhe i Kosovës, Naim Malaj
Po ashtu në emrin e qytetit dhe kantonit mikpritës, publikun e përshëndeti përfaqësuesi i Paralementit të qytetit dhe Kantonit Bazel Daniel Goepfert.
Ekspozita e fotografive “Besa…” është një kontribut i muzeut të holokaustit Yad Vashem”, e cila ka shëtitur një numër të madh metropolesh botërore për të bërë të njohur sakrificën e shqiptarëve që gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore shpëtuan qindra hebrenj nga deportimi dhe vdekja. Në Zvicër kjo ekspozitë po vjen si rezultat i një angazhimi të madh të një grupi iniciuesish izraelitë e zviceranë, me përkrahjen e ambasadave të Izraelit, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës të cilëve u janë bashkuar edhe asociacione shqiptare si Kuvendi i Shqiptarëve në Zvicër, individë e afaristë shqiptarë etj. Edhe platforma Albinfo.ch që nga fillimi ka qenë e angazhuar si partner medial në organizimin e serisë së ekspozitave “Besa”.
Në fjalën e hapjes, bashkëudhëheqësja e projektit të ekspozitave Esther Hörnlimann ka folur për qëllimin e kësaj ekspozite që jo rastësisht është hapur më 8 maj, në vigjiljen e Ditës së Evropës, gjegjësisht 9 majit, ditës së çlirimit nga nazizmi. Ngritja e urave në mes të popujve, kujtimi dhe vlerësimi i solidarizimit të pashembullt të shqiptarëve me hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore dhe kultivimi në kohën e sotme i kësaj trashëgimie pozitive është synimi për të cilin është iniciuar kjo seri ekspozitash.
Me fjalët e tyre përshëndetëse janë paraqitur edhe përfaqësuesei i Parlamentit të qytetit dhe Kantonit të Bazelit, Daniel Goepfert, Guy Rueff , kryetar i bashkësisë izraelite në Bazel, Gzim Hasanaj, në emrin e Kuvendit Shqiptar Zvicrës etj.
Ndërsa ngjitja në skenë e zonjës Johana Neumann, e cila si fëmijë kishte përjetuar solidarizimin dhe sakrificën e shqiptarëve me hebrenjtë, ka qenë pika kulmore e mbrëmjes. Neumann punon për US Holocaust Memorial Museum në Washington DC. Gruaja e imtë por tepër vitale dhe e mprehtë për moshën e saj 84 vjeçare, me fjalimin e saj spontan ka ngjallur emocione të fuqishme te të pranishmit. Ajo me devocion ka evokuar kujtimet për mikpritjen e ngrohtë që shqiptarët u kishin bërë familjes dhe bashkëkombësve të saj. Kjo ka qenë një histori e pashembullt, që dëshmon për një virtyt të veçantë që kanë treguar shqiptarët në atë kohë, ka thënë veç tjerash Neumann, e cila kishte ardhur enkas nga Uashingtoni për të marrë pjesë në këtë aktivitet.
Në ditët në vijim do të ketë edhe aktivitete tjera në lidhje me ekspozitën, si vizita kolektive të nxënësve të shkollave të Bazelit dhe shfaqje filmash etj.
Ekspozita qëndron e hapur deri më 22 maj. (B.SH.)
(albinfo.ch së shpejti publikon edhe një shkrim më të zgjeruar ku veç tjerash bën pjesë edhe deklarata ekskluzive për albinf.ch e zonjës Neumann dhe të pjesëmarrësve tjerë.)
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok” Almira tregon se aktualisht ka mbi 800 mijë ndjekës dhe përveç se është një tik-tok-ere e...
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
Gjermani: 14-vjeçari shqiptar kishte pësuar djegie në 80% të trupit, zgjohet nga koma pas 5 muajsh
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë Mërgimtarët pasi u “rehatuan” në aeroplan u desht të presin 5 orë, në fund u dha...
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025