Integrimi

Besa dhe mikpritja, “ADN-ja” shqiptare që shpëtoi hebrenjtë

Johanna Neumann në një bisedë për albinfo.ch ka shkëputur disa nga kujtimet dhe vlerësimet e saj për kohën e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri

Solemniteti i ekspozitës kushtuar Besës Shqiptare në funksion të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, që u bë të enjten e kaluar në Bazel, kulmin e vet e pati me paraqitjen e gruas hebrenje Johanna Neumann, e mbijetuar e asaj kohe. Rrëfimi i saj i gjallë, lucid dhe i përshkuar nga një ngrohtësi e rrallë njerëzore, elektrizoi atmosferën në sallë, duke i shpalosur publikut një të vërtetë jo shumë të njohur për të. Ajo evokoi  shumë momente të përjetuara vetë dhe nga familja e saj në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. I gjithë rrëfimi mbështetej edhe në kontekstin politik të kohës, në Shqipëri dhe në botë, të cilin ajo e njihte me themel. 

Johanna Neumann pastaj në një  bisedë për albinfo.ch ka shkëputur disa nga  kujtimet dhe vlerësimet e saj për kohën e shpëtimit në Shqipëri.  

“Po, shqiptarët kanë shpëtuar moralin e botës, e them sërish”, ka përsëritur Neumann atë që kishte thënë nga tribuna para publikut. “E dini, në shumë vende të botës ka pasur individë që kanë shpëtuar hebrenj, kjo mund të shihet në listat që mban Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem”. Por, dallimi në rastin e Shqipërisë është se edhe qeveria shqiptare e atëhershme ka punuar bashkë me popullatën për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët. Kështu, personat dhe familjet nuk është dashur të kishin frikë nga qeveria, pasi që ajo nuk i denonconte te nazistët”. Në këtë vazhdë Neumann tregon raste e raste të panumërta kur zyrtarët shqiptarë, përmes improvizimeve të ndryshme kishin bërë fshehjen dhe shpëtimin e refugjatëve hebrenj.

69 emra shqiptarësh në mesin e “Të drejtëve të popujve”

“Duhet ditur se Shqipëria në atë kohë ka pasur rreth një milion banorë, një vend i vogël. Por, lista e shqiptarëve të nderuar nga “Yad Vashem” përmban 69 emra! Kështu, nëse krahasohet me popullatën e vendeve tjera shumë më të mëdha, Shqipëria është në krye”, thotë Neumann me bindje. 

Ajo ka qëndruar me prindërit në Shqipëri nga marsi i vitit 1939 deri në shtatorin e vitit 1945, kur bashkë me familjen ka emigruar në Itali e pastaj në SHBA. 

“Nga viti 1945 deri në fillim të viteve 90, sa zgjati diktatura, nuk kishim asnjë kontakt me shqiptarët. Por në këtë kohë, një mike imja, Erika Toptani nga familja e njohur tiranase Toptani kishte shkuar në Izrael ku kishte marrë mirënjohjen në emër të prindërve të të shoqit, të cilët në fshatin e  tyre ishin shpëtuar 17 hebrenj. Pas kthimit të saj në SHBA dhe pasi që në Shqipëri kishte rënë komunizmi, rifilluan kontaktet tona me Shqipërinë”, evokon ajo.

Neumann ka shkruar që në vitin 1983 një libër me rrëfimin e saj shqiptar. “Atë e kam shkruar për djalin tim, për fëmijët e mi dhe e kam shtypur privatisht me një tirazh të kufizuar, disa herë nga 100 kopje. Ia kam kushtuar fëmijëve të mi që ta dinë historinë e shpëtimit tonë në Shqipëri. Tash dikush po përpiqet ta publikojë, ndoshta edhe në gjuhën shqipe dhe atë gjermane”, thotë me gëzim, znj. Neumann. 

Fjala e Johanna Naummann, “një shpallje dashurie për Shqipërinë” 

Georg Darvas është hebre i lindur në Austri, ka jetuar një kohë në Izrael dhe prej shumë vitesh jeton në Zvicër, në Bazel, ku punon si regjisor. Vitet e fundit ai ka qenë i lidhur ngushtësisht me shqiptarët pasi që ka bërë regjinë e mjuziklit të parë shqiptar “Arjeta dhe Gëzimi” me nxënësit e shkollës së mesme të muzikës në Gjakovë. Ai po i vështronte me vëmendje të përqendruar fotografitë e kësaj ekspozite. 

“Jam i impresionuar me këtë që pashë e dëgjova sonte këtu. Por për mua nuk ka qenë e papritur, pasi që unë deri më tash kam qenë 12 herë në Kosovë dhe e kam përjetuar mikpritjen e mrekullueshme të popullit atje. Mund të them madje se kudo,  madje edhe në Zvicër kur të thuash se je hebre, e ke njëfarë sikleti. Por kështu nuk është në Kosovë, e besoj po ashtu edhe në Shqipëri. E nga kjo që pamë sonte, mund të veçoj se fjala e zonjës Neumann ishte si të thuash një “shpallje dashurie” ndaj popullit shqiptar. Ishte aq prekëse për të gjithë ne në sallë”, thotë Darvas. 

“Kjo që pamë e dëgjuam sonte nuk ka qenë aspak e njohur për mua”, thotë hebreu i moshuar Peter Lyssy i cili binte në sy me kapelëzen e vogël çifute mbi kokë. “Mendoj se ky realitet duhet të bëhet më shumë i njohur sidomos në mesin e hebrenjve”, thotë i menduar Lyssy. “Të gjithë mund të mësojmë nga kjo. Ka paragjykime mbi shqiptarët, mbi hebrenjtë, mbi myslimanët dhe kjo ekspozitë mund të ndihmojë në çrrënjosjen e paragjykimeve. Kjo që po organizohet do të shërbejë si një dëshmi e mirë për karakterin e vërtetë të kulturës së shqiptarëve”, përfundon Peter Lyssy. 

Shqiptarët nuk ishin vetëm refugjatë, ata edhe kanë strehuar të tjerët

Ndërsa bashkëshortja e tij, Kathrin Lyssy shton se mosbesimi ndaj të huajve është shumë i madh prandaj ajo beson se një ekspozitë si kjo u jep rastin të rinjve që të shohin e të njohin gjëra të reja, të kuptojnë se në mesin e popujve ka më shumë gjëra që i bashkojnë se të tilla që i ndajnë. Edhe familja ime nga ana e nënës është shpëtuar nga holokausti falë një familjeje të krishterësh francezë… Pra vlerat njerëzore janë kudo të njëjta”. 

“Aktiviteti i sontëm jep të kuptohet se shqiptarët nuk janë vetëm ata që kanë ardhur këtu si refugjatë por se ata, në kushte shumë më të vështira, kanë pritur edhe vetë refugjatë hebrenj dhe i kanë mbrojtur ata duke rrezikuar edhe jetën e tyre”, thotë ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj. Ai përkujton se edhe Izraeli gjatë kohës së eksodit kosovar ka strehuar një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të përndjekur nga regjimi i Milosheviqit. “Dhe kjo është shprehje e tërthortë e mirënjohjes”. 

“Fakti se në kuadrin e aktiviteteve të ekspozitës do të ketë edhe debate, shfaqje filmash dhe vizita kolektive nga nxënësit, na bën të shpresojmë se efekti i saj në drejtim të heqjes së paragjykimeve për shqiptarët do të jetë i madh”, shton ai në një prononcim për albinfo.ch. 

Ndërsa për ambasadorin e Shqipërisë, Ilir Gjonin kjo ekspozitë e kishte suksesin të garantuar. 

“Vetë prania e madhe e publikut dhe fakti se zonja Johana Neumann ka ardhur enkas nga SHBA për të treguar historinë e saj shqiptare, është dëshmi për këtë. Ekspozita lartëson vlerat e lashta të popullit tonë është edhe një mesazh për brezat e rinj dhe për opinionin publik shqiptar. Kjo sigurisht ndikon edhe në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve por edhe për njohjen e historisë që ne shqiptarët e kemi krijuar dhe për 1001 arsye nuk e njohim as vetë. Shqiptarët duke pasur humanitetin në adn-në e tyre kanë mbrojtur në mënyrë instinktive vlerat që mbroheshin dhe mbrohen me konventa ndërkombëtare”, thotë ambasadori Gjoni.