Lajme

Bernardin Jakaj nuk di për humbje, fiton titullin IBO Continental në Vjenë

Boksieri shqiptar që jeton në Vjenë, Bernardin Jakaj, ka arritur fitoren e tij të radhës në boksin profesionist, kurse këtë herë “viktimë” e tij ka qenë holandezi Nasser Bukenja, të cilin e mposhti me pikë pas 10 rundeve. Më këtë rast, Jakaj fitoi titullin IBO Continental në peshën e rëndë, shkruan albinfo.at.

Në këtë mbrëmje boksi u zhvilluan 14 ndeshje, në të cilën u paraqiten gjithsej nëntë boksierë shqiptarë. Një duel tjetër i rëndësishëm u zhvillua për titullin “Internacionale të Austrisë” mes boksierit shqiptar Dielli Vranovci dhe çekut Miroslav Serban. Pas duelit të zhvilluar, ndeshja  përfundoi me pikë të barabartë, raporton albinfo.at.

Në anën tjetër, fitore prej boksierëve shqiptarë, kanë shënuar edhe; Dardan Avdylaj, Kushtrim Veseli, Adrian Berisha, Habib Vuqiterna, Driton Isenaj.

Duelet e boksit u zhvilluan në Marien Erzendorf, 25 kilometra larg Vjenës, në një sallë të mbushur plot me shikues e që kryesisht ishin shqiptarë.

Të dy boksierët pas ndeshjes falënderuan publikun për pjesëmarrje dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme.

Ky event është organizuar nga kompania promovuese „Simba Sports“, e cila udhëhiqet nga ish-boksieri i njohur kosovar që jeton në Austri, Shpëtim Shala.