Lajme

Berna do t`i detyrojë protestuesit e koronës të paguajnë vetë dëmet që shkaktojnë

Komunat mund t'i ngarkojnë organizatorit dhe demonstruesve të dhunshëm kosto deri në 10,000 CHF, ndërsa, në raste më serioze deri në 30,000 CHF

Qyteti i Bernës i ka paraqitur një kërkesë Policisë së Kantonit të Bernës në mënyrë që kostot e shkaktuara në demonstratat e paautorizuara të koronës të barten tek pjesëmarrës të caktuar të demonstrimit.

Nga pikëpamja e autoriteteve të qytetit, kushtet për këtë janë plotësuar, shkruan sda.ch.

“Ne i kemi paraqitur një kërkesë policisë kantonale të Bernës për këtë transferim të kostos” është shprehur drejtori i sigurisë i qytetit të Bernës Reto Nause të premten për programin e radios SRF Regional Diagonal.

Qyteti aktualisht është duke pritur që t`i ketë të gjitha të dhënat e nevojshme, transmeton albinfo.ch. Sapo të mbërrijnë të dhënat, Berna do të jetë në gjendje të realizojë “transferimin” e tillë të kostos.

Dëmi ekonomik që shkaktohet në qytetin e Bernës çdo të enjte për shkak të protestave të kundërshtarëve të masave të Corona është i madh – ashtu siç është i madh angazhimi që duhet të bëjë policia, thotë Nause.

Tubimet e kaluara ishin të paautorizuara dhe degjeneruan në dhunë. Kjo do të thotë se janë krijuar parakushtet për të bërë transferimin e përmendur të kostove.

Ligji i ri policor kantonal, i cili është në fuqi që nga qershori 2020, parashikon mundësinë e bartjes së shpenzimeve për demonstruesit. Prandaj, komunat mund t’i ngarkojnë organizatorit dhe demonstruesve të dhunshëm kosto deri në 10,000 CHF, ndërsa, në raste veçanërisht serioze deri në 30,000 CHF.

Çdo demonstrim i paautorizuar kundër koronës në Bernë shkakton kosto për angazhimin e policisë në shumat prej 100,000 deri në 200,000 franga, përcjerll albinfo.ch. Kjo, nga fakti se, për të garantuar sigurinë publike, policia e Bernës ka gjithmonë një kontigjent të madh prej disa qindra policësh në detyrë.