Futboll

Berisha eliminon Strakoshën

Në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Arsenali i Granit Xhakës dhe Shkodran Mustafit

Salzburgu i Valon Berishës ka bërë sensacion përballë Lazios së Thomas Strakoshës, duke fituar me rezultat 4:1.

Skuadra italiane kishte fituar 4:2 në fushën e saj dhe ishte favorite për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, por kështu nuk ndodhi, shkruan albinfo.ch.

Në fakt, golin e parë e shënuan mysafirët me anë të Ciro Immobile në minutën e 55-të, por vetëm një minutë më pas barazojnë vendasit.

Çmenduria ndodhi më pas, kur vendasit në minutat 72, 74 dhe 76 shënojnë tre gola për t’u kualifikuar tutje. Berisha asistoi në golin e dytë, derisa Strakosha nuk mund të bënte më shumë.

Në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Arsenali i Granit Xhakës dhe Shkodran Mustafit. Arsenali barazoi 2:2 në Rusi kundër CSKA Moskës.

Dy skuadrat tjera gjysmëfinaliste janë Marseille dhe Atletico Madrid. Shorti do të hedhet të premten nga ora 12:00.