Futboll

Berisha e thotë me shaka: Shënova gol më të bukur se Ronaldo

“Është një gol mjaft i bukur. Jo sikur i Ronaldos, por edhe më i bukur”, ka thënë Berisha duke buzëqeshur

Sulmuesi nga Kosova, Besart Berisha, ka lënë gjurmë në futbollin australian, duke thyer shumë rekorde, derisa po shkëlqen edhe në këtë sezon.

Berisha të dielën ka shënuar një gol të mrekullueshëm në stilin gërshërë, për të ndihmuar skuadrën e tij Melbourne Victoryn të kualifikohet në gjysmëfinale të “Play-Off”-it, shkruan albinfo.ch.

Ai ndihet i lumtur që e ndihmoi ekipin e tij, ndërsa golin e tij me shaka e ka konsideruar si më të mirë sesa ai i Cristiano Ronaldos, të cilin ky i fundit e shënoi javë më parë ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve.

“Është një gol mjaft i bukur. Jo sikur i Ronaldos, por edhe më i bukur”, ka thënë Berisha duke buzëqeshur.

Ky gol ishte i rëndësishëm për të dhe skuadrën australiane. “Ishte një gol mjaft i rëndësishëm për ne, prandaj për këtë jam dyfish i lumtur. Është një gol që nuk e shënon shpesh ndoshta gjatë karrierës”, theksoi Berisha pas lojës.

“Për mua, ishte goli i parë në stilin ‘Gërshërë’. Jam mjaft i lumtur sepse ishte i duhuri në fund. Ishte një ndeshje e vështirë, por jam mjaft i lumtur që shënova në fund”, nënvizoi ai.

Berisha ndihet i motivuar dhe është optimist se Melbourne do ta fitojë kampionatin në Australi.