Futboll
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
“Qëllimi im ishte të merrja pjesë në Champions League dhe në një turnir të madh, si Evropiani. Pasi i arrita këto qëllime, pensionimi më erdhi më i lehtë”
Bekim Zogaj ka kaluar pothuaj të gjitha shkallët që mund t`i kalojë gjatë jetës aktive një arbitër futbolli në Evropë dhe prapë ka mbetur ai djali modest dhe i përzemërt me të gjithë. Pak muaj më parë ai ka kaluar në “pension” sa i përket punës së arbitrit por pensionimin ja ka lehtësuar realizimi, pak para kësaj, i një ëndrre të madhe: pjesëmarrja si asistent gjyqtari në Kampionatin Evropian të Futbollit që u mbajt verën e kaluar në Gjermani. Në intervistën për Albinfo.ch Bekimi flet për këtë përjetim dhe për shumë të tjera që ka kaluar në këto 27 vite aktive dhe turbulente të marrjes me futboll.
Albinfo.ch: Jeni arbitri shqiptar i futbollit me arritjet ndoshta më të mëdha deri më sot. Si i vogël, keni filluar, sigurisht, si shumica e moshatarëve, me lojën e futbollit. Kur ka qenë momenti kur ju la “shkrepur”, të kaloni në referim dhe çfarë ka qenë përcaktuese për ta bërë këtë dhe për të mos vazhduar si futbollist?
B. Zogaj: Po është e vërtetë që edhe unë kam luajtur fillimisht futboll dhe në vitin 1997 kam vendosur të vizitoj kursin e gjyqtarëve në rajonin e Cyrihut. Momenti ka shkrepur pas një ndeshjeje kur mora një karton te verdhë, pasi reagova ne mënyrë jo sportive për një vendim të referit. Ai mu përgjigj mbas ndeshjes, duke më thënë: nëse e njeh rregulloren më mirë, starto me referim. Pas disa muajve e mora guximin dhe e kreva kursin e arbitrave fillestarë. Pas dy viteve referimi, më ftuan tani ne grupin e gjyqtarëve të talentuar në Cyrih. Aty ishim diku 30 kandidatë. Unë luaja atëherë në ligën e dytë regjionale të Cyrihut, ku u ngjita edhe si refer. Në vitin 2000 e mora vendimin që të fokusohesha vetëm si arbitër futbolli.
Albinfo.ch: Ku i keni bërë fillimet e para, në çfarë niveli dhe konkretisht, cila ka qenë ndeshja e parë ku ju keni bërë punën e arbitrit?
B. Zogaj: Hapat e parë i kam bërë te kadetët. Ndeshja e parë ka qenë ne Winterthur (SC Veltheim – FC Oberwinterthur), në prill të vitit 1997.
Albinfo.ch: Pastaj, puna juaj sigurisht është vlerësuar për nivelin profesional dhe kështu jeni ngritur në karrierë. A na tregoni shkallët në të cilat jeni ngjitur nga fillimet (1997) e deri më tani?
B. Zogaj: Vëzhguesit apo kontrollorët e ndeshjeve shumë shpejt e kanë parë potencialin tim si refer. Ne Zvicër, nga futbolli profesional deri ne nivelin me të ulët (liga e 5-të) kemi gjithsej 9 Liga që duhet t`i kalosh si refer. Unë në dy vitet e para kalova në ligën më te lartë regjionale të futbollit (Liga 2). Në sezonin 2004/05 jam nominuar si refer i talentuar në Akademinë e arbitrave, nga Federata e Futbollit te Zvicrës, ku përfaqësoja rajonin e Cyrihut. Atëherë, si refer kryesor. Atë vit kalova shkëlqyeshëm, nga tetë kontrolle, mora tetë propozime për të referuar në ligën e parë, aty ku sot luan FC Kosova e Cyrihut apo Prishtina e Bernës. Ne atë ligë kam referuar diku 100 ndeshje. Pas disa viteve e pashë qe nuk po më promovojnë më lartë, apo nuk kisha potencial dhe vendosa te bëhem asistentë i gjyqtarëve. Mentori dhe shoku im i ngushtë ma propozoi këtë detyrë. Kjo ishte në vitin 2010. Pas tri viteve si asistent u promovova në elitën e futbollit profesional ne Zvicër, në Swiss Football League. Pas 5 viteve në futbollin profesional mora stemën e FIFA Assistant Referee dhe kështu filloi rruga ime në arenën ndërkombëtare.
Albinfo.ch: Pak muaj më parë ju vendosët të “pensionoheni” nga puna e arbitrit. Sigurisht, kjo lidhet edhe me kufizimet e moshës, të cilat ju i keni kaluar. Si e keni përjetuar këtë akt (të pashmangshëm) dhe a keni pasur emocione?
B. Zogaj: Federata e Futbollit Zviceran e ka kufizuar aktivitetin e gjyqtarëve në moshën 45 vjeç. Pensionimi im ka qenë i paraparë të bëhej në fund të vitit 2024, pasi në shtator e arrija moshën 45 vjeçe. Pas kampionatit Evropian, Federata ma propozoi një pozitë si zëvendës shef i gjyqtarëve në Swiss Football League. Përgjigjja ime ishte pozitive dhe nga 1.10.2024 jam në këtë detyrë.
Kur jemi te pensionimi: Nuk ishte edhe akt shumë i lehtë, sepse arbitrimi apo futbolli më ka dhënë tepër shumë emocione pozitive, por qëllimi imë ishte të merrja pjesë ne Champions League dhe në një turnir të madh, si Evropiani. Pasi i arrita këto qëllime, pensionimi më erdhi pakëz më i lehtë. Natyrisht që kam pasur shumë emocione në ndeshjen e fundit, atë FC Basel – FC Zürich para 36000 shikuesve, kur të dy ekipet më befasuan pas ndeshjes, duke më dhuruar disa pajisje simbolike dhe duke mu qasur me plot respekt. Shumë lojtarë ishin falënderues për kontributin tim, posaçërisht Xherdan Shaqiri, Taulant Xhaka, Albian Ajeti, Mirlind Kryeziu etj.
Albinfo.ch: Mund të thuhet se keni pasur fat që pikërisht kur keni arritur moshën (45 vjeç) për pensionim ka rastisur që të zhvillohet Kampionati Evropian i futbollit dhe që ju të zgjidheni në ekipin që do të referonte në këtë ngjarje të madhe sportive. A e konsideroni referimin në Evropian si një kurorëzim të artë të karrierës suaj? Si e keni përjetuar pjesëmarrjen në këtë eveniment?
B. Zogaj: Po, patjetër që Kampionati Evropian ka qenë kulmi i karrierës sime. Ka qenë një turnir i jashtëzakonshëm. Shikueshmëri e madhe, plot emocione pozitive, prezenca e mediave dhe natyrisht kontakti me shumë kolegë, arbitra, nga e gjithë Evropa. Bisedimet, komunikimet me më të mirët, ishin fantastike, po ashtu mundësia për të ndarë eksperiencën me ata. Ishte një presion i madh, por kemi pasur paraqitje te mira. Ne ishim “kombëtarja” e arbitrave zviceranë dhe kishim dëshirën të prezantohemi sa më mirë. Natyrisht që kam pasur edhe shumë përkrahje nga shumë miq/kolegë te mi shqiptarë, të cilët i falënderoj nga zemra. Atë përvojë nuk mund të ta marrë askush. Ishte fantastike!
Albinfo.ch: Përveç kampionatit të përmendur, cilat aktivitete ose cilat ndeshje që keni referuar, i konsideroni më të rëndësishmet ose të nivelit më të lartë?
B. Zogaj: Për mua si Bekim çdo ndeshje ka qenë e rëndësishme. Jam gëzuar për çdo delegim. E veçantë ka qenë ndeshja e parë ne Champions League në Barcelonë dhe shumë e rëndësishme për ne si ekip. Po ashtu ndeshja AC Milan – Tottenham ne vitin 2023 para 74000 tifozëve, plus shumë ndeshje të kombëtareve A dhe ne Champions League. Po ashtu ndeshja gjysmëfinale në Conference League, Olympique Marseille – Feyenord Rotterdam, me emocione para dhe gjatë ndeshjes. Një ndeshje me një presion tepër te madh, me shumë incidente para dhe gjatë duelit.
Albinfo.ch: Sigurisht keni takuar, si pjesë e punës, edhe yje të mëdhenj të futbollit evropian e botëror. Cilët nga këto yje i keni takuar dhe cili ju ka lënë përshtypjen më të veçantë?
B. Zogaj: Kam takuar shumë yje të futbollit botëror. Lojtarë të ekipeve të mëdha si Barcelona, Real Madrid, Milan, Inter, Juventus Turin, Manchester Utd, Manchester City, Arsenal, Galtasaray etj. Po ashtu, lojtarë nga Kombëtaret si: Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Portugalia etj. Shumë lojtarë me kanë lënë përshtypje pozitive, thjeshtësia e tyre para dhe gjatë ndeshjes më ka befasuar shumë për të mirë. Momente interesante kam pasur edhe me disa lojtarë me prejardhje shqiptare si Milot Rashica, Amir,Rrahmani Granit Xhaka, Kristian Asllani dhe Adnan Januzaj.
Albinfo.ch: Arbitrat, për nga vetë natyra e punës së tyre sulmohen dhe shahen nga të dyja palët në fushë. A keni pasur ndonjëherë ndonjë problem serioz (ndoshta kërcënim) të kësaj natyre? Nëse po, cili ka qenë më i rëndi?
B. Zogaj: Në sezonin 2004/05 ka tentuar një lojtar të më sulmonte fizikisht, dhe më ka shtyrë nga mbrapa. Aty pata ndërprerë ndeshjen menjëherë dhe lojtari qe dënuar me 18muaj mos lojë, në ndeshjet kampionale. Kërcënime ka pasuar, sigurisht më shumë nga emocionet, por jo diçka serioze. Në ndeshje ndërkombëtare, nuk na ka ndodhur asnjë aksident, as që kemi pasur kërcënime, vetëm ndoshta ndonjë mesazh negativ në rrjete sociale.
Albinfo.ch: Keni deklaruar se pas lirimit nga puna e arbitrit, do të angazhoheni në trajnimin e arbitrave në kuadër të Federatës së Futbollit të Zvicrës. Na tregoni më shumë rreth kësaj.
B. Zogaj: Që nga data 1.10.2024 jam në detyrën e Zëvendës Shefit te Gjyqtarëve në futbollin profesional në Zvicër. Aty jam përgjegjës për të gjithë Asistentët ne Challenge dhe Super League, ku do t`i bëj edhe delegimet e tyre. Po ashtu si instruktor në seminare dhe në detyrën e kontrollorit nga Super Liga e Zvicrës deri në futbollin rajonal ku do t`i vlerësoj të gjithë gjyqtarët. Në të njëjtën kohë do të angazhohem edhe si VAR Supervisor (mbikëqyrës).
Albinfo.ch: Punën si arbitër ju e kryeni si punë shtesë, gjegjësisht keni një punë dhe profesion tjetër bazë, me të cilin e “fitoni bukën”. Cili është ky profesion dhe a do t`i kushtoheni atij me orar të plotë pas pensionimit nga referimi?
B. Zogaj: Nga viti 2018 kam qenë i punësuar me 60% në Financa & Controlling, në Komunën e Winterthurit dhe i angazhuar me 40% sie asistent “gjysmë profesional” në Federatën e Futbollit të Zvicrës. Nga 1 Janari 2025 do të jem i punësuar 90%-100% nga komuna e Winterthurit dhe do të kem edhe një mandat ne Federatë.
Albinfo.ch: Po flitet shumë për sistemin e “VAR”-it. Cili është mendimi i juaj rreth kësaj teknologjie. Sa e ka përmirësuar ose përkeqësuar punën e gjyqtarëve të futbollit?
B. Zogaj: VAR-i e bën futbollin me korrekt, më të drejtë. VAR-i i ka ndryshuar emocionet paksa, por neve gjyqtarëve na e ka lehtësuar detyrën ne fushë. Ne e shohim atë sikur “airbag”-un në veturë. Përpara, si asistent nuk flija mirë kur kisha gabuar dhe një ekip fitonte apo humbiste ndeshjen nga një gabim i imi. Sot VARi e korrigjon gabimin tim dhe un fle me rehat.
(Fotot: Urs Lindt (Freshfocus)
Të ngjashme
Të tjera nga Futboll
E-Diaspora
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës Më 4 janar prej orës 19:00 është ndeshja Zvicër – Kosovë...
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
Jeta në Zvicër
-
Spitali Kubati, lider në oftalmologji edhe gjatë vitit 2024 Viti 2024 ka shënuar një vit të rëndësishëm për Spitalin Kubati, i cili ka vazhduar të...
-
Trenat zviceranë tani fuqizohen tërësisht nga energjia elektrike e rinovueshme
-
Rritet paga minimale në katër kantone
-
Përmbledhje e lajmeve më të fundit të së enjtes në Zvicër
-
Bumi i çmimeve dhe shtëpitë e dyta: Ndryshimet e tregut zviceran të pronave në vitin 2025