Futboll

Behrami: Duhet ndryshuar disa gjëra që Zvicra të ketë sukses në Evropian, mungon dikush që e kundërshton Xhakën

Futbollisti në pension, Valon Behrami është shprehur se beson që Përfaqësuesja e Zvicrës ka gjasa të mira në Kampionatin Evropian që këtë verë mbahet në Gjermani, ndërsa ka thënë se duhen ndryshuar disa gjëra që Zvicra të ketë sukses në Evropian.

Në një intervistë për Blick, ai u ka bërë thirrje lojtarëve kryesorë të përfaqësues të marrin përgjegjësi më shumë teksa ka thënë se te Zvicra mungon dikush që e kundërshton kapitenin Granit Xhaka.

“Lojtarët e tjerë duhet të marrin gjithashtu hapësirën. Përshtypja ime është se mungon dikush që mund t’i kundërvihet Granitit. Ai ka nevojë për atë fërkim. Në një ekip konkurrues nuk mund të bësh pa të, kështu ishte edhe me ne në të kaluarën. Stephan Lichtsteiner dhe unë patëm diskutime të vazhdueshme, por kjo e bëri grupin më të fortë”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Ish-futbollisti për Zvicrën ka luajtur 83 ndeshje, në shumë prej të cilave përkrah Xhakës në qendër të mesfushës.

“Ndonjëherë ishte vetëm një diskutim në stërvitje nëse ishte faull apo jo. Në futbollin profesionist duhet të luftosh gjithmonë. Përndryshe nuk do të shkoni më tej, do të jeni një ekip i mirë që luan futboll të bukur. Por nuk fitoni asgjë. Kur mendoj për Lichtsteinerin, mendoj për një konkurrent të madh. Kur shohim njëri-tjetrin është gjithmonë shumë i respektueshëm. Këto janë kujtime të bukura”, ka shtuar tutje ai.

38-vjeçari, ka përmendur disa emra që sipas tij kanë rol te Zvicra, kur u pyet se nga kush duhet të kundërshtohet Xhaka.

“Akanji, Sommer, Freuler ose Rodriguezi. Akanji është në ekip të madh, te Manchester City. Një lojtar i madh. Ai ka edhe më shumë peshë në përfaqësuese dhe duhet ta marrë përsipër këtë përgjegjësi”, është shprehur Behrami.

Behrami ka kritikuar ndërhyrjen e Granit Xhakës pas kritikave që kanë marrë vëllai i tij Taulanti dhe skuadra e Baselit teksa sipas tij, Xhaka është dashur të qëndroj i distancuar nga ai debat.

“Nuk mund të bëjë këtë si lojtar i përfaqësueses dhe si kapiten i përfaqësueses. Mos më keqkuptoni, mendoj se është mirë kur lojtarët tregojnë karakter… Graniti më pëlqen si djalë. Por këto nuk janë vlerat për të cilat duhet të njihet përfaqësuesja”, ka thënë ndër të tjera ai.