Kosova

Begaj u kërkon ambasadorëve shqiptarë të punojnë për Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se duhet të mbështetet Kosova në çdo rrethanë e situatë, e se është detyrë e Shqipërisë që të punojë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në takim me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të shtetit, Begaj ka theksuar se falë tyre Shqipëria ka arritur ta forcojë pozicionin e vet në arenën ndërkombëtare.

“Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj”, ka theksuar ai.

Begaj u kërkoi ambasadorëve dhe konsujve shqiptarë që të qëndrojnë afër shqiptarëve, duke u thënë se “pres nga ju rol aktiv në sugjerimin e hapësirave për veprim diplomatik, siç pres edhe një komunikim dhe informim real e të drejtpërdrejtë për zhvillimet në vendet apo rajonet që mbulon”. /Top Channel