Muzikë

Bebe Rexha debuton në filmat e metrazhit të gjatë, përkrah yjeve botërore

Këngëtarja 31-vjeçare me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, ka fituar një rol në filmin “Queenpins”, transmeton albinfo.ch.

Ajo shënon debutimin e parë në filmat me metrazh të gjatë, duke luajtur përkrah edhe yjeve të tjerë, si Kristen Bell dhe Leslie Jones. Adam Fogelson, kryetari i studios “STXfilms Motion Picture Group”, citohet të ketë thënë: “Ky është një film i përkryer për Bebe Rexhën që të shënojë debutimin e saj në aktrim. Ajo është një talent i jashtëzakonshëm dhe një yll ndërkombëtar i muzikës. Ne e dimë se ajo do ta pasurojë këtë projekt dhe do ta bëjë punën sa më argëtuese, falë talentit dhe personalitetit të saj të veçantë”.

Filmi thuhet se ngjason me projektet e kaluara kinematografike, “Thelma & Louis” dhe “I, Tonya”, si dhe bazohet në ngjarje të vërtetë.

Ndërkohë, skenarin dhe regjinë e filmit do ta bëjnë çifti i martuar, Aron Gaudet dhe Gita Pullapilly, dhe në të pritet të luajnë edhe aktorët Vince Vaughn dhe Paul Walter Hauser.