Bota

BE teston detektorë zbulues të gënjeshtrave në kufi

Ai që do të dojë të hyjë në BE, në të ardhmen nuk do të takojë në kufi një njeri prej mishi e gjaku, por një nëpunës policie të krijuar nga kompjuteri – ky është plani.

Me anë të inteligjencës artificiale dhe me një test për zbulimin e gënjeshtrave Bashkimi Evropian do të lehtësojë punën në kufi dhe të luftojë kriminalitetin.

Plani Avatari do të verifikojë nga njëra anë dokumentat e udhëtimit, si pasaportën e udhëtimit, vizën dhe dëshminë për mjetet e nevojshme financiare si dhe do të bëjë pyetje si nëpunës dogane, si për shembull për përmbajtjen e valixhes ose shkakun e udhëtimit. Përgjigjet do të regjistrohen nga një kamera dhe do të analizohen.

Një program kompjuterik i ri do të jetë në gjendje që të dallojë në shprehjet e fytyrës të të intervistuarve, nëse ata thonë të vërtetën ose jo. Vitin që vjen, programi kompjuterik do të testohet në kalime të veçanta kufiri në Hungari, Letoni dhe Greqi.

Nëpunësi i kufirit që përfaqësohet nga kompjuteri duke përfshirë një test automatik për gënjeshtra,  është pjesë e projektit kërkimor iBorderControl, në të cilin ndër të tjera bashkëpunojnë policia hungareze, mbrojtja letoneze e kufirit dhe Leibniz Universität Hannover.

Synimi është që kontrollet në hyrje të BE-sw të përshpejtohen dhe të bëhen më të sigurta, shkruan DW, përcjell Albinfo.ch.

Ekspertë të pavarur dyshojnë se ky projekt që kushton 4,5 milionë euro do të ketë sukses.