Kosova

BE reagon ndaj bojkotit të Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Po ashtu, përmes një përgjigje dërguar mediave, blloku evropian ka shprehur keqardhje edhe për thirrjen që serbët të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

“Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Blloku evropian tha se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, “me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte”.

“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”, tha BE-ja.

BE-ja tha po ashtu se që kur serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës nëntorin e vitit 2022, blloku evropian me partnerët e tij është angazhuar që serbët e Kosovës të kthehen në institucione.

“Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësorë në veri të Kosovës”, u tha në reagim.