Shqipëria
BE: Nuk do të ketë ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ka hyrë në agjendën e Këshillimit të BE-së për Çështje të Jashtme. Për të ngarkuarin e Lartë të BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe shumë kolegë të tij nga vendet anëtare, kritikat ndaj këtij fakti janë të drejta. Sepse “Ballkani Perëndimor është një rajon kyç me rëndësi gjeostrategjike në Evropë dhe për Evropën”, argumentoi politikani 74-vjeçar në konferencën e shtypit në Bruksel. “Nuk do të presim më dy vjet, madje as dy muaj derisa ta rikthejmë Ballkanin Perëndimor në agjendën e BE-së“, premtoi ai.
Një sërë çështjesh për të zgjidhur
Lista e problemeve të lidhura me Ballkanin Perëndimor është jo e vogël: zgjerimi, e i lidhur me të hapja e konferencave të para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe vazhdimi i negociatave me Serbinë e Malin e Zi, dhe çështjet e pazgjidhura ndëretnike në Bosnjë e Hercegovinë dhe dialogu Kosovë-Serbi.
Ministrat e rikonfirmuan edhe një herë zotimin e tyre për perspektivën evropiane të këtyre vendeve, siç tha Borrell. Ata u zotuan se do të angazhohen për çeljen sa më shpejt të konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por Borrell nuk e mohoi se është i shqetësuar për mosmarrëveshjet aktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Ne i inkurajojmë këto dy vende të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për konfliktin e tyre“.
Borrell theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpjegoi se dialogu Serbi – Kosovë do të vazhdojë kur të jetë gati pala kosovare, e cila ka kërkuar kohë për t’u parapërgatitur.
Jo ndarjes të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut
Ndryshe nga ç’ishte paralajmëruar më parë në media, Borrell tha se nuk ka plane për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria. Më parë komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi, ishte shprehur për mundësinë e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, meqë Bullgaria po e bllokon aktualisht fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Edhe ministri gjerman i punëve të jashtme Heiko Maas më parë e kishte hedhur poshtë idenë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.Edhe deputetja gjermane e Bundestagut, Renata Alt, liberalët, u prononcua kundër shkëputjes së dy vendeve dhe paralajmëroi që Shqipëria të mos dalë para Maqedonisë së Veriut.
Çështja e Maqedonisë së Veriut do të jetë në agjendën e ministrave të Evropës të martën, më 11.05.21. Para nisjes së tij në Bruksel, ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, tha se të dy vendet i kanë plotësuar kushtet për hapjen e konferencave ndërqeveritare dhe se me to duhet filluar sa më shpejt.
Dhurata pa kushte
Kthimi i Ballkanit Perëndimor në agjendën e ministrave të jashtme në BE vjen pas ankimeve të disa liderëve të Ballkanit Perëndimor për ndihmën e vonuar. Duke aluduar për diplomacinë e vendeve të tjera me anë të vaksinës, Borrell kujtoi se vaksinat e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë dhuratë, jo me pagesë, dhe jo të kushtëzuara.
Bashkimi Evropian i ka premtuar Ballkanit Perëndimor deri në fund të muajit qershor nëpërmjet nismës Covax deri tani 1 185 340 vaksina. Një pjesë e mirë e tyre tashmë ka mbërritur në rajon.
Të mos humbasim zemrat e njerëzve
Javën e ardhshme liderët e Ballkanit Perëndimor janë ftuar të shkojnë në Bruksel për një darkë joformale për të këmbyer opinionet e tyre në lidhje me zhvillimet aktuale në rajon. Borrell tha se pret nga shtetet anëtare të dalin me propozime të reja për ta bërë më të dukshëm angazhimin politik të BE-së në rajon.
Një sërë ministrash të jashtëm të vendeve anëtare, si suedezja, Ann Linde, estonezja, Eva-Maria Liimets, apo sllovaku, Ivan Korčok, ishin shprehur qysh në fillim të takimit për rëndësinë e veçantë të rajonit. “Ne duhet të kemi në kujdes strategjik për rajonin“, tha Korčok. “Për fat të keq, gjatë dhjetë vjetëve të kaluara kemi qenë të përqendruar te zgjerimi. Kjo është diçka shumë e mirë, tha ai, por ne nuk duhet të humbasim vëmendjen në teknikalitete, e të harrojmë zemrat e njerëzve nga Ballkani Perëndimor, të cilët të ardhmen e tyre e shohin në BE”.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Fishekzjarret zvicerane lëshojnë deri në 400 tonë grimca Sipas autoriteteve federale zvicerane, fishekzjarrët lëshojnë 200 deri në 400 tonë grimca çdo vit. Të shtunën,...
-
Një termocentral i ri bërthamor do të testohet dy vjetët e ardhshme
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit