Lajme

BE kundërshton rikthimin e termocentraleve me qymyr

Lajmi vjen posaqërisht pasi Gjermania dhe Austria njoftuan rifillimin emergjent të punës në impiantet e qymyrit të dielën

Presidentja e Komisionit Europian ka paralajmëruar vendet anëtare të BE-së që të mos tërhiqen nga përpjekjet e tyre afatgjata për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile, pasi Gjermania, Austria dhe Holanda thanë se do të rindezin impiantet e qymyrit ndërkohë që Rusia po kufizon furnizimet me gaz.

Ursula von der Leyen tha se qeveritë duhet të mbeten të fokusuara në “investime masive te burimet e rinovueshme”.

“Ne duhet të sigurohemi që ta përdorim këtë krizë për të ecur përpara dhe për të mos pasur një kthim prapa te karburantet e pista fosile,” tha ajo në një intervistë. “Gjendemi përballë një situate të vështirë dhe nuk është e vendosur që do të marrim kthesën e duhur”.

Vendet janë të shqetësuara për reduktime të mëtejshme të furnizimeve me gaz, të cilat, sipas udhëheqësve të BE-së, janë orkestruar nga Kremlini.

Rritja e menjëhershme e përdorimit të qymyrit, qoftë edhe e përkohshme, ka ngjallur shqetësime se vendet europiane mund ta përdorin krizën për të vonuar kalimin tek alternativat më pak ndotëse për ambientin.

Rob Jetten, ministri i klimës dhe i energjisë në Holandë, tha të hënën se vendi do të ndryshojë ligjet që përcaktojnë se stacionet e prodhimit të energjisë me qymyr duhet të funksionojnë me një kapacitet maksimal prej 35 për qind.

Gjermania dhe Austria njoftuan rifillimin emergjent të punës në impiantet e qymyrit të dielën, pasi Rusia reduktoi kapacitetin në tubacionin Nord Stream 1 me 60 për qind javën e kaluar. Ky tubacion, i cili kalon përmes Detit Baltik drejt Gjermanisë, është një nga kanalet kryesore të dërgimit të gazit rus në Europë. Zyrtarët e BE-së janë të shqetësuar se Rusia mund të reduktojë furnizimet akoma më tepër përpara dimrit.

Rusia ka thënë se reduktimi i kapacitetit ka ardhur si pasojë e problemeve teknike të tubacionit. Megjithatë, ajo ka refuzuar ta plotësojë mungesën përmes rrugëve të tjera të gazsjellësit.

Edhe vendet e tjera të BE-së, duke përfshirë Italinë, pritet të ndjekin shembullin e Gjermanisë për rifillimin e punës së termocentraleve me qymyr. Shtetet anëtare po përballen me presione ekonomike të shtuara për shkak të mungesës së energjisë, me çmimet standarde të gazit në Europë që u rritën me më shumë se 50 për qind javën e kaluar. Gazi është të paktën gjashtë herë më i shtrenjtë në eurozonë se sa ishte përpara pandemisë.

Von der Leyen tha se BE-ja ka përgatitur “plane urgjente” për t’iu përgjigjur kërcënimit të reduktimit të furnizimeve nga Rusia, duke përfshirë masat e kursimit të energjisë dhe vendosjen e “prioriteteve” për industritë që do të furnizohen me gaz. Ajo vlerësoi përpjekjet e fundit të Gjermanisë për të kursyer energjinë, duke thënë se kjo ishte një nga mjetet më efektive të BE-së.

Presidentja e komisionit citoi disa shifra që tregojnë se konsumi i gazit në Europë kishte rënë me 9 për qind në tremujorin e parë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Industria ka reduktuar përdorimin e gazit, pjesërisht edhe për shkak të çmimeve rekord. Nëse konsumatorët i ulnin termostatet me 2 gradë celsius, kjo mund të reduktojë ndjeshëm përdorimin e gazit, shtoi ajo.

BE-ja dëshiron të përshpejtojë planet për të rritur prodhimin nga burimet e rinovueshme, ndërkohë që gjen mënyra për të diversifikuar furnizimet e saj me gaz, siç është sjellja e ngarkesave me gaz natyror të lëngshëm nga deti nga rajone të tjera.

Von der Leyen tha se komisioni po bënte gjithçka që ishte e mundur në mënyrë që BE-ja në të ardhmen të jetë në gjendje të thotë se “ne bëmë zgjedhjet e duhura”.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shtuar urgjencën e planeve të BE-së për të kaluar te burimet e rinovueshme. Sipas planit “REPowerEU”, blloku synon të shkëputet nga varësia ndaj energjisë ruse, të diversifikojë burimet e gazit dhe të zgjerojë kapacitetin prodhues nëpërmjet energjisë së erës dhe asaj diellore.

Von der Leyen theksoi një udhëtim të fundit në Mesdheun Lindor, ku BE shpreson që furnizimet me gaz nga ujërat e Izraelit, të Qipros dhe të Egjiptit mund të ofrojnë gaz natyror të lëngshëm shtesë për Europën.

Ajo tha gjithashtu se prodhues të tillë si Norvegjia dhe Azerbajxhani po rrisin prodhimin për t’i dhënë BE-së alternativa të tjera ndaj furnizimeve me gaz rus, të cilat përbënin deri në 40 për qind të totalit të BE-së përpara pushtimit të Ukrainës.

REPowerEU do të rrisë investimet në energjinë e rinovueshme dhe do të thjeshtojë rregulloret e planifikimit në mënyrë që këto projekte të mund të ndërtohen më shpejt, tha ajo.

“Ne e dimë që, tani, ato nuk janë të mira vetëm për klimën, por edhe për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike.”/ Financial Times