Zhvillim

BE jep 2.8 milionë për Apolloninë

Mes siteve arkeologjike që ka përzgjedhur për restaurim, BE ka vendosur që me një fond prej 2.8 milionë eurosh të restaurojë edhe qytetin antik të Apollonisë

Qyteti antik i Apollonisë do të jetë tani në qendër të kujdesit të Bashkimit Europian. Mes siteve arkeologjike që ka përzgjedhur për restaurim, BE ka vendosur që me një fond prej 2.8 milionë eurosh të restaurojë edhe qytetin antik të Apollonisë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të mbajtur në Novi Sad të Serbisë, u përzgjodhën tre site arkeologjike në Ballkanin Perëndimor për financim nga BE. Këto site janë pikërisht Apollonia, Manastiri  Françeskan në Serbi  dhe Kështjella e Banja Llukës në Bosnje Hercegovinë.

Gjashtë projekte janë në vazhdim, ndërkohë që 25 projekte gjithsej do të përfitojnë nga ky fond i BE-së për rehabilitimin e monumenteve që kanë nevojë urgjente për ndërhyrje, shkruajnë mediet nga Tirana.

Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon dhe është themeluar në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë, që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit.