Bota

BE-ja planifikon procesin e aplikimit për vizë Shengen vetëm në formë dixhitale

Së shpejti ata shtetas jashtë BE-së, të cilëve u kërkohet të kenë një vizë Shengen për të udhëtuar në vendet evropiane, nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në një konsullatë për të paraqitur aplikimin dhe për të marrë një ngjitës pasaporte, por do të mund të aplikojnë online

Komisioni Evropian ka propozuar që procesi i vizave Shengen të bëhet tërësisht dixhital.

Viza speciale, lejon qëndrimin për turizëm ose biznes (por jo punë) në 26 vende evropiane deri në 90 ditë në çdo periudhë 6-mujore.

Shtetasit e vendeve të treta si Afrika e Jugut, India, Pakistani dhe Sri Lanka kanë nevojë për vizë Shengen për të vizituar Evropën, por ato nuk janë të nevojshme për shtetasit e tjerë jo të BE-së si britanikët apo amerikanët, përcjell albinfo.ch.

Propozimi do të duhet të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, por është në përputhje me një strategji të rënë dakord që qeveritë e BE-së janë të prirura ta përshpejtojnë pas pandemisë.

Pasi të jetë rënë dakord, sistemi do të përdoret nga vendet që janë pjesë e zonës Shengen pa kufij. Këto përfshijnë vendet e BE-së, duke përjashtuar Irlandën (e cila u largua) dhe Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë dhe Qipron (të cilat nuk lëshojnë viza Shengen). Islanda, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Zvicra, të cilat nuk janë anëtarë të BE-së, por kanë nënshkruar Konventën e Shengenit, do të jenë gjithashtu pjesë e sistemit të ri.

Proceset e bazuara në letër kërkonin që aplikantët të udhëtonin në konsullata për të dorëzuar aplikimin dhe për të marrë pasaportat e tyre me vizë, një procedurë që “rezultoi problematike gjatë pandemisë COVID-19”, tha Komisioni, përcjell tutje albinfo.ch.

Disa vende të BE-së kanë filluar tashmë të kalojnë në sistemet dixhitale, por jo të gjitha pranojnë pagesa online për tarifat e vizave.

Kur sistemi i ri do të vendoset, thotë Komisioni, aplikantët do të jenë në gjendje të kontrollojnë në platformën e Aplikimit për Viza të BE-së nëse kanë nevojë për vizë. Nëse po, ata do të krijojnë një llogari, do të plotësojnë formularin e aplikimit, do të ngarkojnë dokumentet dhe do të paguajnë.

Platforma do të përcaktojë automatikisht se cili vend Shengen do të jetë përgjegjës për aplikimin dhe aplikantët do të mund të kontrollojnë statusin e tyre dhe të marrin njoftime. Më pas, udhëtarët do të jenë në gjendje të aksesojnë vizën në internet, dhe nëse është e nevojshme ta zgjasin atë gjithashtu.

“Gjysma e atyre që vijnë në BE me vizë Shengen e konsiderojnë aplikimin për vizë të rëndë, një e treta duhet të udhëtojnë distanca të gjata për të kërkuar vizë. Është koha e fundit që BE-ja të ofrojë një platformë të shpejtë, të sigurt dhe të bazuar në ueb për aplikimin e vizave të BE-së për qytetarët e 102 vendeve të treta që kërkojnë vizë afatshkurtër për të udhëtuar në BE”, tha Komisionerja për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson, përcjell tutje albinfo.ch.

“Me disa shtete anëtare që tashmë kanë kaluar në dixhital, është jetike që zona Shengen tani të ecë përpara si një e vetme”, tha nënkryetari i Komisionit për Promovimin e Mënyrës sonë Evropiane të Jetesës, Margaritis Schinas.

Megjithatë, aplikantët për herë të parë, personat me të dhëna biometrike që nuk janë më të vlefshme ose me një dokument të ri udhëtimi, do të duhet ende të shkojnë në një konsullatë për të aplikuar.

Familjarët e qytetarëve nga BE-ja dhe Zona Ekonomike Evropiane, si dhe personat që kanë nevojë për ndihmë, do të mund të vazhdojnë të aplikojnë edhe në letër.

Platforma e Aplikimit për Viza të BE-së do të përdoret nga vendet e treta, shtetasit e të cilëve duhet të kenë një vizë për të hyrë në BE dhe është e ndryshme nga ETIAS (Autorizimi Evropian i Informacionit të Udhëtimit), i cili aktualisht është në zhvillim e sipër.

ETIAS do të përdoret nga shtetas jo të BE-së, të cilët janë të përjashtuar nga viza, por që do të duhet të aplikojnë për një autorizim udhëtimi përpara udhëtimit të tyre. Kjo do të kushtojë 7 euro dhe do të jetë falas për personat nën moshën 18 vjeç e lart 70 vjeç.

Bazuar në diskutimin midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit, Komisioni mund të fillojë zhvillimin e platformës në vitin 2024 dhe ta bëjë atë funksionale në vitin 2026. Vendet e BE-së do të kenë më pas pesë vjet kohë për të hequr gradualisht portalet kombëtare dhe për të kaluar në sistemin e përbashkët online.