Lajme

BE-ja kërkon qasje të menjëhershme në vaksinat e “AstraZenecas”

Bashkimi Evropian ka kërkuar qasje të menjëhershme në vaksinat kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca” që prodhohen në Britani të Madhe, teksa po e vazhdon betejën ligjore për shpërndarjen e menjëhershme të tyre nëpër vendet e bllokut.

Kërkesa e BE-së për qasje në vaksinat e prodhuara në Britani pritet që t’i përkeqësojë marrëdhëniet me Londrën në lidhje me shpërndarjen e vaksinave. “AstraZeneca” ka dështuar në jetësimin e shpërndarjes së vaksinave në Britani dhe në BE, duke e prolonguar fushatën e imunizimit në Evropë.

BE-ja ka akuzuar kompaninë për mosrespektim të obligimeve të parapara në kontratë, teksa “AstraZeneca” është arsyetuar se ka përmbushur plotësisht marrëveshjen. Brukseli zyrtar i ka kërkuar kompanisë që shpërndarjen e vaksinave ta nisë në fund të qershorit dhe që t’i vërë në përdorim të gjitha fabrikat e prodhimit të listuara në kontratë.