Lajme

BBC: Spitali anglez tentoi të heshtë dyshimet ndaj infermieres që vrau shtatë foshnja

Drejtuesit e spitalit në veriperëndim të Anglisë nuk kanë hetuar akuzat që kishte bërë stafi ndaj infermieres, e cila ka vrarë shtatë foshnja dhe ka lënduar disa të tjera, raporton BBC, përcjell albinfo.ch.

Sipas hulumtimit, ata kanë dështuar të hetojnë akuzat ndaj infermieres Lucy Letby dhe kanë tentuar të heshtin doktorët që dyshonin se ajo ishte fajtore për vdekjet e foshnjave në spital.Gjykata e Manchester-it dje e ka shpallur fajtore infermieren e fëmijëve të porsalindur për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentimvrasjen e gjashtë të tjerave në një periudhë njëvjeçare. Ajo u akuzua se qëllimisht lëndoi foshnjat e porsalindura në mënyra të ndryshme, përfshirë injektimin e ajrit në gjakun e tyre, qumështit në stomak, për helmim të foshnjave duke u shtuar insulinë në ushqimet e tyre dhe duke ndërhyrë në tubat e frymëmarrjes.

Zyrtarja e Prokurorisë, Pascale Jones, deklaroi se infermieres në fjalë iu besua mbrojtja e foshnjave më të dobëta, teksa tha se ata që punonin përkrah saj nuk e dinin se kishin vrasëse në mesin e tyre.

Familjarët e viktimave janë deklaruar se nuk e kanë marrë vendimin që prisnin ndaj infermieres, teksa masa e dënimit ndaj saj do të bëhet e ditur në seancën e së hënës.

“Sot drejtësia është vënë në vend dhe infermierja që duhej të kujdesej për foshnjat tona është shpallur fajtore për lëndimin e tyre. Mirëpo drejtësia nuk do të largojë lëndimin, zemërimin dhe shqetësimin që të gjithë ne kemi përjetuar. Disa familje nuk e kanë marrë vendimin që prisnin dhe për këtë arsye është vendim i hidhur. Jemi të thyer, të shkatërruar. Mund të mos e dimë kurrë pse ndodhi kjo”, ka deklaruar përfaqësuesja e familjeve, Janet Moore.

BBC sot ka zbuluar se udhëheqësit e spitalit kanë vonuar njoftimin e policisë, ani pse për disa muaj ishin paralajmëruar se infermierja mund të jetë duke vrarë foshnjat.

Sipas raportimeve, rasti ishte ngritur nga një doktor, por nuk ishte marrë asnjë masë, ndërsa menaxheri kryesor i spitalit kishte kërkuar nga doktorët që të shkruajnë kërkimfalje për infermieren dhe u ishte kërkuar që të mos e akuzonin për vrasjen e foshnjave.