Lajme

BBC: Mbi 50 mijë ushtarë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë

Mbi 50 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë, raporton “BBC”, përcjell albinfo.ch.

Në vitin e dytë të luftës numri i trupave ruse të vrarë ishte 25 për qind më i lartë se në vitin e parë të luftës.

“BBC Russian”, grupi i pavarur mediatik “Mediazona” dhe vullnetarë të tjerë, kanë numëruar të vdekurit që nga shkurti i vitit 2022 kur Rusia e nisi pushtimin e shkallës së plotë.

Varret e reja në varreza ndihmuan në sigurimin e emrave të shumë ushtarëve.

Ekipet po ashtu kanë kërkuar informacione nga burime të hapura nga raportet zyrtare, gazetat dhe rrjetet sociale.

Sipas hulumtimit, mbi 27 mijë e 300 ushtarë rusë kanë humbur jetën në vitin e dytë të luftës, që tregon se si përparimet në front kanë pasur kosto të madhe njerëzore.

Rusia ka refuzuar të komentojë.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve – prej më shumë se 50 mijë – është tetë herë më i lartë se shifra e vetme publike që Moska e ka publikuar në shtator të vitit 2022 për numrin e ushtarëve të vrarë.

“BBC” thotë se numri i rusëve të vrarë mund të jetë dukshëm më i lartë.

Në llogarinë nuk janë përfshirë edhe numri i milicëve të vrarë në zonat e okupuara në Donetsk e Luhansk, në Lindje të Ukrainës. Nëse shtohen, atëherë shifra do të jetë dukshëm më e lartë.

Ukraina ndërkohë rrallë komenton të vdekurit. Në shkurt, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë, por bazuar në inteligjencën e SHBA-së numri mund të jetë dukshëm më i madh.