Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër

Bashkimi „virtual“ i mantelbardhëve shqiptarë në Zvicër

Bashkimi i mjekëve ka nisur nëpër rrugë virtuale nëpërmjet rrjeteve sociale. Tashmë është realizuar edhe takimi i parë i tyre në muajin qershor në Lucern

Askush nuk e di saktësisht se sa mjekë shqiptarë punojnë e veprojnë në Zvicër. Të gjitha përpjekjet e deritashme për bashkimin e mantelbardhëve si duket kanë dështuar. Asnjë gjurmë nuk ka lënë deri tani Asociacioni i Profesionistëve Shëndetësorë, i cili ishte krijuar në vitin 2013, dhe kishte për qëllim identifikimin e profesionistëve të ndryshëm shëndetësorë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër.

Albinfo.ch merr vesh se Asociacioni në fjalë nuk është më funksional dhe se deri tani janë realizuar shumë pak takime të tyre.

Për bashkimin e mantelbardhëve shqiptarë në Zvicër më seriozisht ka menduar, Florim Cuculi, kardiolog në Spitalin Kantonal të Lucernit. Ai ishte ndër studentët e parë shqiptarë të mjekësisë në Universitetin e Bazelit. Kardiologu Cuculi thotë se të paktën janë 80 mjekë shqiptarë të profileve të ndryshme që veprojnë dhe punojnë në Zvicër. Nisur nga kjo shifër, Cuculi i lindi ideja që të bëjë një organizim mes mjekëve që të njihen me njëri-tjetrin. „Ideja për t’u bërë bashkë vjen nga fakti që jemi shqiptarë por edhe profesionistë shëndetësorë që mund të realizojmë projekte të përbashkëta“, tha për albinfo.ch kardiologu Cuculi.

Shumica e mjekëve shqiptarë, “të importuar” nga Ballkani

Bashkimi i mjekëve ka nisur nëpër rrugë virtuale nëpërmjet rrjeteve sociale. Tashmë është realizuar edhe takimi i parë i tyre në muajin qershor në Lucern, në qytetin ku vepron Cuculi. Ftesës së kardiologut me origjinë nga Kërcova i janë përgjigjur në takimin e parë mbi 30 mjekë. „Shumica e mjekëve që erdhën në takim ishte hera e parë që i kam parë. Erdhën nga e tërë Zvicra por shumicën nuk i kisha parë kurrë.“, tregon Cuculi.

Tashmë një bazë e dhënave të mjekëve ekziston në grupin e krijuar të mjekëve. Figurojnë asistentë të mjekëve deri te kryemjekët, por kishte edhe mjekë që menaxhojnë ordinancat e tyre private apo që punojnë nëpër spitalet zvicerane. Aty shihet një përzierje e profileve të ndryshme të mjekëve por shumica janë “importuar” nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Ndërkaq, shumë pak ka mjekë shqiptarë që janë shkolluar në Zvicër.

Në grupin e mjekëve të cilët e ka iniciuar këtë platformë virtuale, kardiologu Cuculi thotë se është paraparë të hyjnë edhe studentët e mjekësisë. Doktori kërçovar  thotë se të gjitha përpjekjet për të rrjetëzuar profesionistët shëndetësorë shqiptarë në Zvicër kanë dështuar ngase ideja ishte nisur mbrapsht. Asociacioni i dështuar i profesionistëve shëndetësorë që mbeti në gjysmë të rrugës ishte angazhuar për realizimin e projekteve të përbashkëta Zvicër-Kosovë. Po ashtu ata ishin zotuar se do të kujdeseshin edhe për kolegët e tyre nga Kosova të cilët ia mësyjnë Zvicrës.

Faza e parë, organizimi i një simpoziumi mjekësh

Ata gjithashtu patën thënë se do të punojnë në sensibilizimin e komunitetit shqiptar në Zvicër në aspektin shëndetësor dhe do të shkëmbejnë përvojat me kolegët e tyre kosovarë. Por iniciatori për bashkimin e mjekëve në Zvicër, Florim Cuculi, thotë se ata kanë nevojë në fillim  të njohin më shumë njëri-tjetrin. „Derisa nuk e njohim njëri-tjetrin është vështirë të ndihmojmë kolegët tanë në Kosovë, apo kudo që janë. Faza e parë është të bëhet rrjeti këtu dhe të shohim se çfarë kapaciteti profesionistësh kemi në Zvicër“, ka deklaruar Cuculi

„Shumë herë pacientët më pyesin për probleme mjekësore dhe shumica e pyetjeve mbeten pa përgjigje ngase unë jam vetëm kardiolog dhe nuk jam ekspert për sëmundjet tjera. Për këtë arsye në rrjet ne mund t’i orientojmë te specialistët tjerë që me dëshirë do të bartin ekspertizën e tyre në vendin e origjinës. Po, për pacientët e Zvicrës janë pacientë potencial për specialistët shqiptarë“, tha Cuculi. Ai  është kundër që organizimi i tyre të ketë një strukturë të caktuar me kryetar etj. Faza e parë e aktivizimit të këtij grupi mjekësh është të organizohet një simpozium mjekësh dhe në të njëjtin simpozium të formalizohet nëse duhet të ketë një strukturë organizata e tyre. „Më mirë është të mendojmë për projekte konkrete se sa të humbim kohë duke menduar për struktura udhëheqëse të këtij organizimi“, thekson docenti në Universitetin e Baselit. Takimi i radhës do të planifikohet në muajt në vijim. Ai do të ishte më formal dhe do të ketë formatin e një mini simpoziumi..

Pikë në zemër, bartja e ekspertizës në vendin e origjinës

Kardiologu Florim Cuculi duke promovuar platformën e mjekëve të bashkuar tha se janë të gatshëm të ofrojnë ekspertizën e tyre në Kosovë nëse kërkohet në mënyrë të organizuar nga institucionet e atjeshme shëndetësore. „Për shembull në Kardiologji në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë nuk bëhet koronografia dhe kjo është tragjedi. Ngase shumë pacientë janë të rrezikuar madje nga një infarkt i zemrës. Do të thotë deri tash nuk janë gjetur format e bashkëpunimit me mjekët jashtë vendit sidomos në sektorët e shëndetësisë kur rrezikohet drejtpërdrejt jeta e njerëzve. Ne kemi potencialin që e kemi dhe  me lidhjet që kemi krijuar do të mund të bartim ekspertizën tonë. Por nëse ata nuk e kërkojnë ndihmën tonë ne nuk mund t’ua ofrojmë“, tha në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch Florim Cuculi

Në Zvicër punojnë rreth 80 mjekë shqiptarë

Kardiologu Cuculi thotë se të paktën janë 80 mjekë shqiptarë të profileve të ndryshme që veprojnë dhe punojnë në Zvicër. Nisur nga kjo shifër, Cuculi i lindi ideja që të bëjë një organizim mes mjekëve që të njihen me njëri-tjetrin. „Ideja për t’u bërë bashkë vjen nga fakti që jemi shqiptarë por edhe profesionistë shëndetësorë që mund të realizojmë projekte të përbashkëta“, tha për albinfo.ch kardiologu Cuculi.