Lajme
Bashkimi i shkollës shqipe në Zvicër, një lajm i mirë për të gjithë
Lidhur me bashkimin e LAPSH dhe LSHSH, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë paralele me bashkëkryetarët e subjektit të ri: Liburn Mehmetaj dhe Vaxhid Sejdiu
Të dielën, më 17 mars, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës, në Bernë, është nënshkruar marrëveshja për bashkimin në mes të dy subjekteve të mësimit shqip në Zvicër: LAPSH (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë) “Naim Frashëri” dhe Shkolla Shqipe në Zvicër (SHSHSZ). Përfaqësuesit e dy subjekteve, por edhe ambasadorët nga tre vendet amë, të përfshirë në këtë marrëveshje: i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kanë folur për një akt historik. Bashkimi i arritur premton që të vendosë në binarë më të sigurt mësimin e shqipes nga nxënësit shqiptarë në Zvicër.
Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes, zhvillimet që i kanë paraprirë dhe synimet për të ardhmen, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me dy kryetarët respektivë: Liburn Mehmetaj dhe Vaxhid Sejdiu.
albinfo.ch: Më në fund, më 17 mars 2024 u arrit marrëveshja për bashkim në mes të LAPSH “Naim Frashëri” dhe Shkollës Shqipe. E kujt ishte iniciativa dhe çfarë synohej konkretisht me të?
Vaxhid Sejdiu: Përpjekje për bashkimin e dy subjekteve “Shkolla Shqipe” – Zvicër dhe LAPSH ka pasur në vazhdimësi por kohëve të fundit ato janë intensifikuar me iniciativën e Ambasadave tona (Shqipëri, z. Mustafa Nano, Kosovë, z. Sami Ukelli dhe Maqedoni e Veriut, z. Rexhep Demiri). Thënë shkurt iniciativa ishte e tre ambasadorëve në bashkëpunim me drejtuesit e shkollave shqipe në Zvicër. Bashkimi i dy subjekteve të arsimit në Zvicër ka një domethënie të veçantë shpresoj që do të ndikojë pozitivisht në hapjen e pikave të reja shkollore, në angazhimin e mërgimtarëve rreth ruajtjes së gjuhës amtare dhe besoj që do të ndikojë dukshëm në shtimin e përpjekjeve tona të përbashkëta në organizimin sa më të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Dhe sot, me datë 17 mars 2024 arritëm të bëjmë bashkimin e këtyre dy institucioneve të rëndësishme të arsimit shqip në Zvicër me shpresë, që në të ardhmen do të punojmë edhe më shumë sepse numri i tashëm i nxënësve që vijojnë mësimin në gjuhën amtare lenë shumë për të dëshiruar. Prandaj bashkimi i këtyre dy subjekteve është një lajm i mirë për të gjithë ne sepse hap rrugë më shumë dhe gjithmonë duke shpresuar në përkrahjen edhe mbështetjen edhe të institucioneve tona.
Liburn Mehmetaj: Më 6 mars 2022, Kryesia e LAPSH-it vendosi që të bëj përpjekje për bashkim me Shkollën Shqipe Zvicër, në praninë e Ambasadorit të Kosovës në Zvicër, z. Sami Ukelli. Pas kësaj filluan përpjekje për të reformuar LAPSH-në, që të krijohen kushtet për bashkim, në koordinim veçanërisht me Ambasadën e Shqipërisë. Ky proces përfundoi më 4 qershor 2023, me votimin e statutit të ri të LAPSH-it. Më tutje, me iniciativë të të tre ambasadorëve të shteteve amë (Shqipëri, z. Mustafa Nano, Kosovë, z. Sami Ukelli dhe Maqedoni e Veriut, z. Rexhep Demiri), palët u takuan në Bernë dhe u pajtuan të fillojnë negocimin e marrëveshjes.
Ky bashkim, i nënshkruar më datën 17 mars 2024 nga kryetarët e të dy subjekteve, z. Vaxhid Sejdiu nga SHSHZ dhe z. Liburn Mehmetaj nga LAPSH-i, në një ceremoni të mbajtur në Bernë, simbolizon një bashkim të fuqishëm mes dy prej institucioneve më të rëndësishme arsimore për komunitetin shqiptar në Zvicër. Marrëveshja përcakton një strukturë të re organizative që synon të rrisë numrin e nxënësve, të integrojë stafin mësimor të dyja shkollave dhe të forcojë programet arsimore në gjuhën shqipe për të gjitha nivelet.
Bashkimi i këtyre dy institucioneve do të mundësojë një platformë më të gjerë dhe më të fortë për edukimin e brezave të rinj shqiptarë në Zvicër, duke iu ofruar atyre jo vetëm mësim në gjuhën amtare por edhe njohuri të thella mbi historinë, kulturën dhe vlerat e popullit shqiptar.
albinfo.ch: Ku ishin pengesat e deritashme që pamundësonin një bashkim të mëhershëm të dy subjekteve tona shkollore?
Vaxhid Sejdiu: Pengesat kanë qenë të natyrës organizative, moshapja rrugë për mësuesit, të cilët dëshironin të angazhoheshin dhe të punojnë në hapjen e pikave të reja shkollore në kuadër të LAPSH-it ishte pa dyshim një nga problemet kryesore. Por, me përpilimin e një marrëveshje bazë, e cila hap rrugë për të gjithë mësuesit, prindërit dhe veprimtarët, që të veprojnë në mënyrë të përbashkët për të njëjtin qëllim dhe me të njëjtën emblemë, padyshim është risi dhe vlerë që duhet respektuar nga të gjithë sepse vetëm duke tejkaluar veten, vetëm duke hap rrugë për t`u angazhuar të gjithë bashkërisht mund t`ia dalim. Përpjekjet e LAPSH-it për të qenë një shoqatë e hapur e arsimit për të gjithë është lajmi më i mirë për të gjithë ne, që jetojmë dhe veprojmë në Zvicër.
Liburn Mehmetaj: Deri më sot, bashkimi i dy institucioneve arsimore nuk ishte i mundur për shkak të mosplotësimit të disa kushteve bazë. Ishte thelbësore të arrihej një marrëveshje funksionale dhe praktike, jo vetëm në letër. Kërkesa për reformimin e statutit të LAPSH-it, e realizuar vitin e kaluar, ishte një hap vendimtar për të shmangur mosmarrëveshjet e mëparshme dhe të siguronte një bazë të qëndrueshme për bashkim.
albinfo.ch: Me nënshkrimin e marrëveshjes, a është arritur edhe pajtimi për riorganizimin e punës, tashmë të një subjekti të vetëm nga dy subjekte sa ishin deri më sot? Respektivisht, si parashihet të ndodhë “shkrirja” në mes tyre?
Vaxhid Sejdiu: Fjala “shkrirje” nuk i takon përpjekjeve tona të përbashkëta për të punuar dhe vepruar në shërbim të gjuhës dhe shkollave shqipe, por ne përdorimin termin bashkim i dy subjekteve “Shkolla shqipe” Zvicër dhe LAPSH, të cilat janë bartëse të mësimit në gjuhën amtare. Shkolla shqipe ka mësues dhe pika shkollore në pjesën dërmuese të kantoneve të Zvicrës në ato kantone ku jemi prezentë të dy subjektet shkohet me parimin e barazisë 50% me 50%, pra numër të barabartë anëtarësh, kurse në ato ku është prezent vetëm njëri subjekt vazhdohet me ata veprimtarë të arsimit dhe mësues për të vazhduar punën e përditshme në realizimin e qëllimeve dhe detyrave të përbashkëta. Bashkimi është i natyrshëm sepse shkolla shqipe ka nevojë për veprimtarë të rijë, mësues dhe në rend të para orët mësimore në gjuhën shqipe kanë nevojë për nxënës, për më shumë nxënës.
Liburn Mehmetaj: Termin “shkrirje” qëllimisht nuk e kemi përdorur. Preferojmë termin “bashkim” që simbolizon më mirë bashkëpunimin e ndërsjellët për të cilin jemi pajtuar. Të gjitha strukturat e Shkollës Shqipe Zvicër integrohen në kuadër të LAPSH-it. Në kantonet ku nuk kishte prezencë LAPSH-i, Shkolla Shqipe Zvicër tashmë quhet LAPSH. Në kantonet ku nuk ka prezencë Shkolla Shqipe Zvicër, struktura ekzistuese e LAPSH-it mbetet e pa ndryshuar. Në kantonet ku kishte dhe struktura të LAPSH-it dhe të Shkollës Shqipe Zvicër, të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit inkuadrohen në LAPSH. Po ashtu, në ato kantone, LAPSH-i pranon në kryesinë drejtuese të saj po aq anëtarë të Shkollës Shqipe Zvicër sa i kishte LAPSH-ja, apo një numër më të vogël, por gjithmonë me numër proporcional. Për shembull, nëse një kanton kishte një kryesi nga 4 anëtarë të LAPSH-së, asaj i shtohen 4 anëtarë të Shkollës Shqipe Zvicër (prandaj Kryesia përbëhet nga 8 anëtarë gjithsej).
Implementimi i marrëveshjes do tüe zgjasë deri më 31 gusht 2024.
albinfo.ch: A është vendosur se cili do të jetë udhëheqësi/udhëheqësja e organizimit të ri?
Vaxhid Sejdiu: Jemi pajtuar që fillimisht gjatë periudhës kalimtare të udhëhiqet nga dy bashkë-kryetarë, Vaxhid Sejdiu dhe Liburn Mehmetaj. Kjo pajtueshmëri tregon gatishmërinë tonë që të veprojmë bashkërisht jo vetëm në nivel qendror, por edhe në nivel kantonal me qëllim që hapat e mëtutjeshëm të dëshmojnë punën dhe angazhimet tona të përbashkëta.
Liburn Mehmetaj: Për një periudhë tranzitore, organizimi i ri do të udhëhiqet nga dy bashkë-kryetarë, Vaxhid Sejdiu dhe Liburn Mehmetaj. Ky model i përkohshëm i udhëheqjes reflekton përkushtimin për bashkëpunim dhe barazi në mes të dy institucioneve të bashkuara, derisa të stabilizohet plotësisht struktura e re.
albinfo.ch: Po emri zyrtar, cili do të jetë?
Vaxhid Sejdiu: Emri i Shoqatës do të mbetet LAPSh, si vazhdimësi e një tradite të organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, por në përdorim tonë do ta kemi edhe emrin “Shkolla shqipe”. “Shkolla shqipe” në përdorim është shumë më praktike, e kemi përdorur edhe në të kaluarën në komunikimet jozyrtare, veçanërisht në kontakt me të huajt, me drejtoritë e shkollave zvicerane, me përfaqësuesit e institucioneve sepse në momentin që iu themi LAPSH, ata menjëherë kërkojnë informacione shtesë, kurse në momentin që themi “Shkolla Shqipe” përfundojnë pyetjet.
Liburn Mehmetaj: Emri i përbashkët do jetë LAPSH, si institucion mbi 30 vjeçar. Termi “shkolla shqipe” natyrisht se mund të përdoret, sepse tashmë gjërat janë shumë të qarta: ekziston një strukturë unike dhe e bashkuar në Zvicër që organizon mësimin në gjuhë shqipe anë e mbanë Zvicrës. Kjo zgjedhje është bërë për të ruajtur identitetin dhe historinë e gjatë të këtij institucioni, duke u bërë simbol i vazhdimësisë dhe unitetit në arsimimin e komunitetit shqiptar në Zvicër.
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind Çmimi mesatar i primeve të sigurimit shëndetësor është 378,70 franga në muaj. Për të rriturit, një...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel