Lajme
Bashkimi Historik i Dy Shkollave Shqipe në Zvicër
"Ky bashkim është një hap i madh përpara në përpjekjet për të avancuar arsimimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare për diasporën shqiptare në Zvicër"
Lidhja e marrëveshjes për bashkimin e “dy shkollave shqipe” në Zvicër, ose, më saktë, i dy subjekteve që kanë zhvilluar mësimin në gjuhën shqip në këtë vend, është konsideruar si “historike” nga nënshkruesit e marrëveshjes. Këtë e thotë komunikata për media që e kanë lëshuar dy subjektet në fjalë, që tashmë janë shndërruar në një, gjegjësisht LAPSH dhe SHSHZ, me kryetarët respektivë: Liburn Mehmetaj dhe Vaxhid Sejdiu.
“Data 17 mars 2024 do të jetë një moment tjetër historik që do të mbahet mend për gjenerata me radhë, sidomos në diaporën shqiptarë në Zvicër, pasi “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër” (LAPSH) dhe “Shkolla Shqipe” në Zvicër (SHSHZ) kanë njoftuar zyrtarisht bashkimin e tyre. Ky bashkim është një hap i madh përpara në përpjekjet për të avancuar arsimimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare për diasporën shqiptare në Zvicër”, thuhet në komunikatë.
Ky bashkim, i nënshkruar me datën 17 Mars 2024 nga kryetarët e të dy subjekteve, z. Vaxhid Sejdiu nga SHSHZ dhe z. Liburn Mehmetaj nga LAPSH, në një ceremoni të mbajtur në Bernë, simbolizon një bashkim të fuqishëm mes dy prej institucioneve më të rëndësishme arsimore për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Marrëveshja përcakton një strukturë të re organizative që synon të rrisë numrin e nxënësve, të integrojë stafin mësimor të dyja shkollave dhe të forcojë programet arsimore në gjuhën shqipe për të gjitha nivelet.
Ambasadorët e tre shteteve, asaj të Shqipërisë, z.Mustafa Nano, Kosovës, z.Sami Ukelli dhe Maqedonisë së Veriut, z.Rexhep Demiri të pranishëm në ceremoni, kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë për këtë iniciativë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar jashtë kufijve të atdheut, vazhdon komunikata.
Bashkimi i këtyre dy institucioneve do të mundësojë një platformë më të gjerë dhe më të fortë për edukimin e brezave të rinj shqiptarë në Zvicër, duke iu ofruar atyre jo vetëm mësim në gjuhën amtare por edhe njohuri të thella mbi historinë, kulturën dhe vlerat e popullit shqiptar.
Implementimi i marrëveshjes së bashkimit të dy shkollave shqipe në Zvicër do të ndodhë sipas një plani të hollësishëm që përfshin integrimin e stafeve mësimore dhe të nxënësve. Ky proces do të zhvillohet gradualisht, me qëllim që të sigurohet një tranzicion efikas për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e përfshirë në kantone ku ka të hapura klasa shqipe: Argau, Basel-Land, Bern, Cyrih, Friburg, Jura, St-Gallen, Thurgau, Ticino dhe Vaud Marrëveshja parashikon gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës për të mbështetur nevojat e materialeve mësimore, monitorimin e progresit të nxënësve si dhe verifikimin e kualifikimeve të mësimdhënësve.
Implementimi i marrëveshjes dhe arritja e bashkimit teknik është i paraparë të ndodhë më 1 shtator 2024, pra në fillim të vitit shkollor 2024-2025.
Që nga sot dhe deri në Kuvendin e radhës, LAPSH në Zvicër drejtohet nga të dy Kryetarët: Vaxhid Sejdiu dhe Liburn Mehmetaj, bëhet e ditur në fund të komunikatës të nënshkruar nga: Vaxhid Sejdiu, Kryetar dhe Liburn Mehmetaj, Kryetar.
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër? Afati i fundit për ndryshimin e siguruesit tuaj shëndetësor zviceran është më 30 nëntor. Këtu janë...
-
Gjithçka që ndryshon në jetën në Zvicër nga muaji dhjetor
-
Ky është tregu më i mirë zviceran i Krishtlindjeve në Zvicër
-
Kafshët shtëpiake në Zvicër tani kanë një dosje dixhitale shëndetësore
-
Çmimi i celularëve në Zvicër po bie