Lajme

Bashkimi Evropian krijon mekanizëm kundër pastrimit të parave

Qindra miliarda euro të transaksioneve të dyshimta vlerësohet të ndodhin çdo vit brenda BE-së

Komisioni Evropian këtë muaj do të paraqesë legjislacionin për të krijuar Autoritetin Kundër Pastrimit të Parave (AMLA).

AMLA duke filluar që nga viti 2026, do të jetë në gjendje të mbikëqyrë drejtpërdrejt disa ndërmarrje financiare dhe mund të vendosë gjoba për firmat që shkelin rregullat e pastrimit të parave.

Paketa legjislative përfaqëson përpjekjen më të guximshme të Bashkimit Evropian (BE) për të trajtuar paratë e paligjshme pas skandaleve në të gjithë bllokun.

Qindra miliarda euro të transaksioneve të dyshimta vlerësohet të ndodhin çdo vit brenda BE-së, por përgjigjja e unionit është e penguar nga ligjet brenda vendeve anëtare dhe një hezitim në disa vende për të zbatuar plotësisht direktivat ekzistuese kundër pastrimit të parave.

Roli i agjencisë

Qëllimi i komisionit është të harmonizojë më mirë praktikat rregullatore, të forcojë koordinimin midis autoriteteve kombëtare dhe të përmirësojë flukset ndërkufitare të informacionit midis njësive të inteligjencës financiare të vendeve.

Autoriteti i ri gjithashtu do të mbikëqyrë drejtpërdrejt firmat e sektorit financiar, që kanë operacione në një numër vendesh anëtare të BE-së.

Paketa, e cila do të duhet të përgatitet midis Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare, do të krijojë gjithashtu një libër të vetëm rregullash të BE-së për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe rregulla të reja mbi pasuritë e kripto.

AMLA, e cila pritet të ketë një staf prej 250 personash, do të luajë një rol “kryesor” në regjimin e ri.

Pastrimi i parave është një problem i madh brenda BE-së, me Europol-in që vlerëson se transaksionet e dyshimta kapin vlerën e 1.3% të Produktit të Brendshëm Bruto.

“Paketa është sigurisht një punë e madhe”, tha Sven Giegold, një anëtar i PE-së, i cili ka bërë presion për një regjim më të ashpër të  unionit.

Megjithatë ai gjithashtu theksoi se, komisioni kishte nevojë të ndiqte procedurat e shkeljes kundër shteteve që nuk arrijnë të zbatojnë regjimin aktual.