Kriza në Ukrainë

Bashkimi Evropian do të trajnojë 15.000 ukrainas në vendet e BE-së

Misioni i ri i trajnimit do të vendoset nga ministrat e jashtëm të BE-së në takimin e tyre në Luksemburg më 17 tetor.

Sipas një raporti të medias, Bashkimi Evropian dëshiron të trajnojë deri në 15,000 ukrainas në vendet e BE-së dimrin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch. Dy selitë operative të trajnimit duhet të jenë në Gjermani dhe Poloni.

Këtë e raporton “Welt am Sonntag” duke iu referuar diplomatëve të lartë të BE-së dhe vendimeve përkatëse. Mandati për misionin e trajnimit fillimisht duhet të jetë i vlefshëm për dy vjet.

Sipas raportit, ambasadorët përgjegjës të BE-së kanë marrë një vendim në kuadër të “Komitetit Politik dhe të Sigurisë” (PSK), sipas të cilit duhet të krijohen shpejt modulet dhe strukturat përkatëse. Siç shkruan gazeta, duke cituar qarqet diplomatike, në Poloni do të ngrihet një komandë stërvitore shumëkombëshe në nivel operacional.

Gazeta “Welt am Sonntag” shkruan se misioni i ri i trajnimit do të vendoset nga ministrat e jashtëm të BE-së në takimin e tyre në Luksemburg më 17 tetor.