Integrimi
Bashkim Rexhepi, në garë për Këshillin e Kantoneve
Kosovari 29 vjeçar figuron për kandidat në zgjedhje për Këshillin e kantoneve në listën e socialistëve të rinj JUSO
29-vjeçari nga Prishtina e bëri publike kandidaturën për deputet në Këshillin e kantoneve edhe në një takim me komunitetin shqiptar, të shtunën në Sarnen të kantonit të Obwaldenit, ku edhe ka kërkuar votën e bashkatdhetarëve që të dëgjohet edhe zëri i tyre në institucionet zvicerane.
Në këtë takim me elektoratin shqiptar, ku ishin të pranishëm edhe tre ambasadorët shqiptarë të akredituar në Bernë, si dhe zyrtari nga Ministria e Diasporës së Kosovës, Mustafë Xhemajli dhe kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Orhan Spahiu, kandidati për deputet, Bashkim Rexhepi, ka theksuar domosdoshmërinë dhe zotimin për të qenë një zë i fortë për të gjithë shqiptarët në Zvicër.
“Në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, prej tyre thuhet se përafërsisht 30 deri 50 mijë kanë nënshtetësi zvicerane. Në krahasim me gjeneratën e parë, shumica e të rinjve kanë zënë pozicione të mira në ekonomi dhe politikë. Nga ana tjetër, numri i studentëve për çdo ditë sa vjen e rritet. E mira është se çdokund kemi njerëzit tanë. Por, e keqja është se këta njerëz nuk duam t’i njohim dhe t’i kontaktojmë”, ka thënë në këtë takim kandidati Bashkim Rexhepi.
Politikani kosovar ka kërkuar që të ndryshohet kjo qasje e shqiptarëve në Zvicër, duke punuar të gjithë me projekte të përbashkëta.
“Për ta ndryshuar këtë fakt ne duhet të organizohemi. Të bëjmë projekte të përbashkëta. E kjo arrihet vetëm nëse takohemi me njëri-tjetrin. Ta largojmë skepticizmin. Ta shtyjmë njëri-tjetrin dhe të ecim përpara si komunitet dhe si komb. Nëse ne shqiptarët nuk punojmë për interesat tona këtu, atëherë askush nuk shikon për ne”, është shprehur Rexhepi.
29-vjecari nga Prishtina mori mbështetjen dhe të ambasadorëve shqiptarë të akredituar në Bernë. Tre diplomatët shqiptarë vlerësuan lart pjesëmarrjen e shqiptarëve në jetën politike të Zvicrës.
Ambasadori kosovar, Naim Malaj, ka potencuar ndikimin që kanë shqiptarët në Zvicër. Madje, sipas tij, në disa kantone shqiptarët kanë rol vendimtar në zgjedhjen e deputetëve dhe ministrave zvicerane.
Malaj ka kërkuar nga komuniteti shqiptar në kantonin Obwaldenit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Shqiptarët përbëjnë një komunitet shumë të rëndësishëm në Zvicër. Përfshirja e tyre në jetën politike është relativisht e kënaqshme, duke marrë parasysh etapat në të cilat kanë kaluar shqiptarët në Zvicër. Prania jonë këtu nuk tregon se ne mbështesim vetëm njërin kandidat, po më shumë tregon se ne jemi të interesuar që të kemi sa më shumë kandidatë shqiptarë që garojnë në zgjedhje”, ka deklaruar ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.
Ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi, ka thëne të jetë një lajm i mirë pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën e këtushme politike.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike zvicerane tregon se vlerat tona kombëtare janë edhe evropiane”, ka thënë ambasadori shqiptar në Zvicër, Mehmet Elezi.
Diplomati nga Shqipëria tha se e mira e kësaj gare politike është se kandidatët shqiptarë do të votohen nga të gjithë, pa marrë parasysh preferencat politike nga vendi i prejardhjes. Po ashtu, ai e ka konsideruar si pozitive edhe për Zvicrën që në institucionet e saj të ketë edhe përfaqësues politikë shqiptarë për shkak të numrit të madh të këtij komuniteti.
Edhe homologu i tij nga Maqedonia, Ramadan Nazifi, konsideron se shqiptarët nuk janë më vetëm kurbetçarë klasikë që punojë vetëm për kafshatën e bukës, por janë integruar dhe janë bëre faktor i vendosjes në Zvicër.
“Me zgjedhjen e përfaqësuesve tanë do të përfitojmë të gjithë, sidomos mërgata jonë që ka shumë halle. Po ashtu do të jetë edhe një përvojë e mirë që edhe ne të përcjellim vlerat tona kombëtare”, ka thënë ambasadori i Maqedonisë në Zvicër, Ramadan Nazifi.
Zyrtari nga Prishtina, Mustafë Xhemajli, ka folur për objektivat e Ministrisë së Diasporës. Drejtori në Departamentin e hartimit të politikave të diasporës njoftoi të pranishmit se projektligji për mërgatën po kalon fazën e dëgjimit publik.
Ndërsa Orhan Spahiu, kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve, ka folur për domosdoshmërinë e formimit të Kuvendit në Zvicër, që ka për mision përfaqësimin e interesave të shqiptarëve në raport me shtetin zviceran dhe shteteve të prejardhjes.
“Duke mos mohuar angazhimin e shumë shoqatave në kohë edhe më të vështira, shqiptarëve megjithatë u ka munguar një zë unik në Zvicër”, ka thënë Orhan Spahiu.
Spahiu ka njoftuar se Kuvendi tashmë ka përkrahjen e institucioneve zvicerane dhe po punon në konsolidimin e tij të plotë.
Takimin, të mbështetur nga organizata Second@as plus, nga portali shqiptar në Zvicër Albinfo.ch si dhe nga Universiteti Popullor Shqiptar, e ka moderuar Avni Binaku. Ky i fundit ka folur për rolin e të huajve, sidomos të shqiptarëve në organizatën Second@s Plus, në funksion të avancimit të të drejtave të komunitetit shqiptar në kantonin e Lucernit.
Bashkimi Rexhepi është me prejardhje nga Kosova dhe që nga viti 1995 jeton në qytezën Giswil. Ai punon për Sindikatën Unia të rrethinës Zürich-Schaffhausen dhe është duke studiuar shkencat kulturore në Lucern.
Që nga viti 2009 ai është anëtar i JUSO i kantonit Obwalden dhe nga viti 2011 gjithashtu anëtar i SP-së.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor