Shëndetësi
Bashkëvarësia nga personat me çrregullime mentale
Co-Varësitë situative[1] që s`kanë të bëjnë me përkujdesjen e të varësuarve nga mjetet varësuese substanciale dhe josubstanciale
Çka janë co-varësitë situative – Të tilla janë co-varësitë të cilat s`kanë të bëjnë me varësitë substanciale, siç janë p.sh: ato nga alkooli dhe drogat ilegale, ose me varësit josubstanciale, siç janë p. sh: ato që shkaktohen nga lojërat e fatit dhe nga tejpërdorimi i mjeteve digjitale, por kanë të bëjnë me situata të caktuara ngarkuese brenda familjes, në vendin e punës, ose në ambientin rrethues.
Cilat janë situatat ngarkuese me efekte co-varësuese – Situatat ngarkuese të cilat krijohen gjatë përditshmërisë janë të shumta dhe mbase edhe të panumërta, por jo të gjithë situatat e tilla janë co-varësuese. Situatat ngarkuese me efekte co-varësuese pak a shumë janë të veçanta. Ato kryesisht kanë të bëjnë me përkujdesin e anëtarëve të familjes ndaj personit (familjarit) i cili vuan nga probleme të mprehta, siç janë p. sh: çrregullimet psikike etj.
Si zhvillohen co-varësitë situative – Co-varësitë situative zhvillohen si për shkak të përkujdesjes së vazhdueshme të personave me situata të rënda shëndetësore dhe të natyrave të tjera, ashtu edhe për shkak të sjelljeve dhe të veprimeve sipas rastit jo të shëndosha të personave të tillë, të cilat barten si ngarkesa psikike në mesin e anëtarëve tjerë të familjes, ose në mesin e kolegëve të punës, ose në mesin e banorëve të lagjes duke shpënë në co-varësimin e tyre.
Cilët janë faktorët rrethanorë që i favorizojnë co-varësitë situative – Faktorët rrethanorë që i favorizojnë co-varësitë situative në radhë të parë kanë të bëjnë me shkallën e ulët të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të shoqërive të caktuara, me ç`rast për shkak të mangësive financiare dhe organizative të sistemeve shëndetësore dhe të mirëmbajtjes sociale të shoqërive të tilla, barra kryesore për përkujdesjen e personave me probleme të rënda shëndetësore rëndon kryesisht mbi anëtarët tjerë të familjes, sipas rastit edhe mbi kolegët e punës, dhe pak a shumë edhe mbi të tjerët në ambientin jetësore të lagjes etj.
Aspekti specifik:
Aspekti specifik i co-varësive situative ka të bëjë kryesisht me përkujdesjen e personave që kanë çrregullime të caktuara psikike, ose që janë të traumatizuar ekstremisht, ose që kanë të meta mendore, të cilët përkujdesen dhe përballohen nga anëtarët tjerë të familjes, sipas rastit edhe nga kolegët e punës etj.
1. Co-Varësia situative me rastin e përkujdesjes së personave me çrregullime psikike
Aspekti i përgjithshëm:
Cilat çrregullime psikike çojnë në co-varësimin e të tjerëve
Jo të gjitha çrregullimet psikike (diagnozat) shpien në co-varësi të theksuara situative brenda rrethit të ngushtë familjar dhe të personave të tjerë të cilët i përkujdesin ata gjatë përditshmërisë. Kështu, të sëmurët psikikë të përmirësuar dhe të etabluar, të cilët trajtohen rregullisht nga personat profesionistë, dhe që janë të vetëdijshëm për çrregullimet e tyre psikike dhe për rrjedhojë edhe vetëndihmohen, nuk e ngarkojnë aq shumë rrethin e ngushtë familjar sa që ai të vuajë nga shenjat e co-varësisë.
Nga ana tjetër janë çrregullimet psikike të caktuara të cilat për vet faktin se manifestohen edhe me sjellje normalisht të papranueshme, ngarkuese dhe sipas rastit edhe të rrezikshme nga ana e të sëmurëve, çojnë në co-varësim ekstrem të anëtarëve familjes dhe të të tjerëve, të cilët i përkujdesin dhe i „durojnë“ ata për vite me radhë dhe të shumtën e herëve gjatë tërë jetës. Në mesin e çrregullimeve psikike me efekte co- varësuese janë ato që kanë të bëjnë me çrregullimet e personalitetit dhe skizofrenit.
Çrregullimet e personalitetit dhe skizofrenit
Në literaturën psikologjike-psikiatrike tanimë ka të dhëna të mjaftueshme të cilat flasin se sa e vështirë është përkujdesja dhe përballimi i të sëmurit psikik nga anëtarët tjerë të familjes, ose nga kolegët e punës, ose edhe nga të tjerët brenda të njëjtit ambient jetësor.
Kështu, p. sh: nuk është aspak e lehtë ta kesh një pjesëtar të familjes i cili vuan nga çrregullimet e personalitetit, p. sh: të tipit disocial, me ç`rast ai kërkon që t`i plotësohen të gjitha dëshirat e tij, shpesh të paarsyeshme dhe të pamundshme për t`u plotësuar, duke mos qenë ai aspak i arsyeshëm ndaj të tjerëve në familje, ose në vendin e punës; ose të tipit me çrregullime të marrëdhënieve ndërnjerëzore, me ç`rast ai konfliktuohet me secilin në familje dhe me kolegët e tij në vendin e punës, ose me partnerin/partneren duke e rrezikuar edhe bashkëshortësinë; ose të tipit paranoik; skizoid; skizotipik, fobik, narcisoid etj.
Po ashtu nuk është aspak e lehtë të kesh një anëtar të familjes i cili vuan nga ndonjë tip i caktuar i skizofrenisë, me ç`rast ai për shkak të çrregullimeve të theksuara psikike nuk i merr medikamentet sepse beson se mjekët duan që ta helmojnë, ose që i sulmon fizikisht anëtarët tjerë të familjes, ose që tenton të bëjë vetëvrasje etj. Që mos të keqkuptohem nga lexuesit dua të theksoj, se jo të gjitha tipet e nëntipet e skizofrenive manifestohen me sjellje e veprime ngarkuese për rrethin nga ana e të sëmurëve, sepse ka tipe të skizofrenive dhe persona që vuajnë prej tyre, të cilët ndonëse pak a shumë karakterizohen nga sjellje të veçanta ekscentrike, megjithatë, nuk paraqesin rrezikshmëri as për veten e as për rrethin, dhe si të tillë sipas rastit edhe punojnë në vende pune të përshtatshme për ta.
Aspekti specifik:
Rrjedha dhe zhvillimi i co-varësive me rastin e çrregullimeve psikike
Në njërën anë është përkujdesja intensive, kurse në anën tjetër janë sjelljet përtej të lejueshmes dhe të tolerueshmes të të sëmurëve psikik, ato të cilat bëjnë që anëtarët e familjes së ngushtë, kurse në disa shoqëri tradicionale edhe anëtarët e familjes së gjerë, të vuajnë bashkarisht me të sëmurit e tyre psikik për shkak të zhvillimit të co-varësisë. Të sëmurët e tillë psikike me sjellje e veprime ngarkuese për të tjerët, „luajnë“ me disponimin e të gjithë të tjerëve në familje e më gjerë. Kur ata përmirësohen, gëzohen e përmirësohen të gjithë anëtarët tjerë të familjes, kur ata përkeqësohen, hidhërohen e përkeqësohen të gjithë anëtarët e familjes. Kësisoj, një i sëmurë i tillë mund të co-varësojë dhe të „shtrijë për dhe/dysheme“ sipas rastit pesëmbëdhjetë apo njëzetë anëtar të familjes së ngushtë e të farefisit të gjerë, ndër të tjera edhe për shkak të rrjedhës kronike dhe të mos-shërimit të plotë që kanë çrregullimet e tilla psikike.
Ndikimi i faktorëve kulturor në zhvillimin e co-varësive me rastin e çrregullimeve psikike
Pothuajse në të gjitha kulturat dhe religjionet e shoqërive të ndryshme çrregullimet me natyrë psikike pak a shumë janë të tabuizuara, të mitizuara dhe të stigmatizuara, dhe si të tilla ato mbeten kryesisht si çështje e brendshme e të sëmurëve dhe e anëtarëve të familjeve të tyre të ngushta. Kështu, edhe në vendet e përparuara personat që vuajnë nga çrregullimet psikike dhe të afërmit e tyre të cilët i përkujdesin ata, nuk vendosin lehtë që ta kërkojnë ndihmën e psikiatrave dhe të psikologëve, gjë që nuk ndodhë kur është fjala për sëmundjet trupore. Tabuizimet, mitizimet, stigmatizimet dhe ngurrimi për të kërkuar ndihmë profesionale për shërimin e personave me çrregullimeve psikike, paraqesin faktor favorizues për zhvillimin e co-varësive në mesin e anëtarëve të familjeve të ngushta të cilët i përkujdesin të sëmurët e tyre me çrregullime psikike.
Tabuizimet, mitizimet, stigmatizimet dhe ngurrimet e tilla për të kërkuar ndihmë profesionale janë edhe me të theksuara në mesin e disa grupeve të emigrantëve, përfshirë këtu edhe shqiptarët, të cilat nga shumë vende pazhvilluara, siç është edhe Kosova, janë vendosur në vende të zhvilluara, siç është edhe Zvicra. Kështu, në mesin e grupeve të caktuara të migrantëve mund të ndodhë që çrregullimet psikike, si nga personat të cilët vuajnë prej tyre, ashtu edhe nga familjarët e tyre, të mbahen të fshehura për vjet të tëra, me ç’rast si çrregullimet psikike të të sëmurëve, ashtu edhe co-varësitë e familjarëve të tyre janë të kronifikuara dhe për rrjedhojë edhe vështirë të trajtueshme e të shërueshme.
Shenjat e co-varësisë me rastin e çrregullimeve psikike
Me kalimin e kohës familjarët vuajnë gjithnjë e më shumë nga frikat dhe pasiguritë e shumta lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me sëmurin e tyre psikik. Ata brengosën, dëshpërohen, pikëllohen dhe sipas rastit edhe zemërohen me sjelljet dhe veprimet e palogjikshme dhe të paakseptueshme të të sëmurit të tyre. Në rastet kur i sëmuri ka filluar të bëhet agresiv ndaj të tjerëve në familje ose ndaj vetës me qëllim të vetëvrasjes, anëtarët e familjes kthehen në “roje!”. Ata kudo që janë, brenda ose jashtë familjes, “një sy e një vesh” e kanë të drejtuar kah i sëmuri veprimet e të cilit nuk janë të parashikueshme. Kësisoj, anëtarët e familjes duke qenë të co-varësuar, ata tani vuajnë nga një pjesë e çrregullimeve psikike prej të cilave vuan edhe vet i sëmuri, p. sh: nga ç`rregullimet e frikës, të gjumit dhe çrregullimet afektive të shoqëruara me depresione. Kështu, edhe në rastet kur i sëmuri në masë të konsiderueshme është rehabilituar dhe “shëruar”, anëtarët e familjes vazhdojnë të vuajnë edhe më tej nga shenjat e co-varësisë, sepse në njërën anë kanë frikë se të sëmurit mund t`i kthehen gjendjet e mëparshme, kurse në anën tjetër ata vet nuk janë trajtuar e shëruar nga co-varësia e tyre.
Në shumë raste anëtarët e familjes së ngushtë përpjekjet dhe përballjet e tyre të vështira për ta përkujdesur dhe ndihmuar të sëmurin psikik, i kuptojnë si një fatkeqësi të veçantë dhe si një dënim nga Zoti për shkak të ndonjë mëkati të bërë paraprakisht.
Këshilla
Personat të cilët vuajnë nga çrregullimet psikike dhe familjarët e tyre duhet ta kërkojnë me kohë ndihmën e personave profesionist, të mjekëve të shtëpisë, të psikiatrave e të psikologëve, me qëllim të parandalimit primar të zhvillimit të sëmundjeve psikike dhe të co-varësisë.
Në rastet kur i sëmuri psikik shfaqë shenja të theksuara të sëmundjes psikike, familjarët që së bashku me mjekun e shtëpisë duhet që patjetër ta kërkojnë ndihmën e personave profesionist, me qëllim të parandalimit dhe të shërimit sekondar të të sëmurit dhe të co-varësisë të familjarëve të tij.
Në rastet kur i sëmuri psikik për shkak të situatës kritike në të cilën gjendet paraqet rrezik për vetën (do që të vetëvritet) ose për të tjerët, hospitalizimi i tij është i domosdoshëm me qëllim të prevenimit dhe shërimit terciar të të sëmurit dhe të co-varësisë së anëtarëve të familjes të cilët e përkujdesin të sëmurin.
Nëse gjendjet e tilla kritike të të sëmurit psikik paraqitën në orët e vona të mbrëmjes apo të natës, familjarët duhet të angazhohen që ta çojnë atë në shërbimin më të afërt të urgjencës. (Vijon)
Info:
Institucionet për trajtimin dhe shërimin e çrregullimeve psikike në kantonin e Cyrih-ut
Privatklinik Hohenegg, Klinik Psychiatrie, Psychotherapie und Psychosomatik Meilen
Psychiatrische Klinik Sanatorium Kilchberg
ipw (Integrierte Psychiatrie Winterthur)
UNI-Spital Zürich -Klinik für Psychiatrie und Psychotherapie
Psychiatrische Klinik am Zürichberg Zürich
Schlössli, Private Klinik für Psychiatrie u. Psychotherapie
Dr. med. Xhevat Hasani
[1] „Co-Varësitë situative“ – kjo shprehje si e tillë nuk gjindet në literaturë sepse tema e tillë për herë të parë trajtohet nga autori i këtij artikulli
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch