Feja

Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër uron festën e Fitër-Bajramit

“Ashtu si ishim të bashkuar, human e të dinjitetshëm, tolerant e të disiplinuar gjatë muajit të agjërimit, ashtu duhet të jemi bashkë e unik gjithherë për të mirën e të gjithëve”, thuhet në urim

Kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër, Fehim ef. Abazi, ka uruar të gjithë besimtarët islam me rastin e festës së Fitër-Bajramit, përcjell albinfo.ch.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Më 15 qershor 2018 është dita e parë e Fitër-Bajramit, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër dhe në emrin tim personal, t’i përgëzojë të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve  kryesore të fesë islame, dhe t’ua uroj Fitër-Bajramin, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji në shenjë respekti ndaj krijuesit Fuqiplotë.

Muhamedi a.s. thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do t’i falet tërë çka ka gabuar më parë “

Festa e Fitër-Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me të madhe e shprehën edhe gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Na bashkoi adhurimi ndaj Zotit, bamirësia, mirëkuptimi, zeqati e sadakaja, si dhe solidariteti dhe përkujdesja ndaj të varfërve, ndaj nesër krenarë e ballëhapur e festojmë Fitër-Bajramin.

Të nderuar besimtarë!

Të nderuar vëllezër e motra!

Kurani mbështet konceptet e moralit, dashurisë e mëshirës, përkushtimit e sakrificës, tolerancës dhe paqes, besimtari i pajisur me këto virtyte përhap dashuri, respekt, harmoni e kënaqësi te të gjithë njerëzit që janë të prirë të punojnë vepra të mira.

Islami nëpërmjet agjërimit dhe adhurimeve të tjera i ka pastruar shpirtrat e njerëzve nga urrejtja e xhelozia, i ka dëlirësuar nga egoizmi pangopësia e koprracia duke i udhëzuar ne respekt ndaj njëri tjetrit,në ngritjen e një shoqërie humane,në të cilën gjykon dashuria hyjnore,e ngritur mbi principe të fuqishme të drejtësisë, bamirësisë e mëshirës. Nisur nga këto parime unë ju porosis të gjithëve që të shtrini dorën e ndihmës ndaj skamnorëve, jetimëve dhe të gjithë atyre që janë ne nevojë.

Ashtu si ishim të bashkuar, human e të dinjitetshëm, tolerant e të disiplinuar gjatë muajit të agjërimit, ashtu duhet të jemi bashkë e unik gjithherë për të mirën e të gjithëve.

Në fund më lejoni që edhe njëherë t’ua uroj nga zemra Fitër- Bajramin të gjithë vëllezërve e motrave tona, kudo që gjenden.

Me fat ju qoftë festa Fitër-Bajrami!

Kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër,

Fehim ef. Abazi