Feja

Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër uron besimtarët për festën e Bajramit

Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër njofton të gjithë besimtarët myslimanë se dita e parë e Kurban Bajramit është më 12.09.2016, ditë e hënë. Me këtë rast Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër shpreh urimet më të përzemërta me rastin e kësaj feste.

„Festa e Kurban Bajramit, përveç që reflekton adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë, në vete ka edhe simbolikën e flijimit që te ne vjen që nga koha e Ibrahimit a.s., e që për mision ka vlerat e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut, por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë“, thuhet në njoftimin e Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër

„Festa e Kurban – Bajramit na rikujton në mënyrën më të mirë mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të reflektojë në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë. Për këtë edhe kërkohet nga ne që këto virtyte t’i përcjellim në këtë vend të demokracisë dhe ta shpalosim autoritetin tonë fetar e kombëtar në suazat e shtetit që na i mundësoi për një ardhmëri të mirë“ thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame Shqiptare, të nënshkruar nga kryetari Mustafë Memeti.